Shaban Murati

Në datën 17 nëntor u zhvillua mbledhja e ministrave të jashtëm të BE, e cila kishte në rendin e ditës vendosjen e një date për hapjen nga BE të bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut. Ministrja e jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, shpalli veton bullgare për caktimin e një date të konferencës së parë ndërqeveritare të BE me Maqedoninë e Veriut.

Meqë vendimet e marra në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme të BE kërkojnë unanimitet, BE dështoi që t’i caktonte Shkupit një datë për konferencën e parë ndërqeveritare.

Duke shpjeguar qëndrimin e qeverisë bullgare, ministrja e jashtme Zaharieve deklaroi në 17 nëntor se projekti i propozuar nga Komisioni Europian për marrjen e vendimit për Maqedoninë e Veriut “nuk reflekton kërkesat bullgare dhe nuk mund të mbështetet në formën e tanishme”.

Ndërkaq ministrja theksoi në mbledhjen europiane se Bullgaria e përkrah kuadrin bisedues të një date të konferencës ndërqeveritare të BE me Shqipërinë.

Në fakt dështimi i tanishëm i Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE ishte paralajmëruar nga dështimi i samitit BE-Ballkani Perëndimor në Sofje në 10 nëntor për të arritur një kompromis midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndonëse dy shtetet ballkanike fqinjë ishin organizatorët e përbashkët të samitit.

Dështoi edhe takimi kokë më kokë në Sofie po atë ditë i kryeministrit bullgar Bojko Borisov me kryeministrin verimaqedonas Zaev. Në prag të mbledhjes së ministrave të jashtëm të BE ministrja e jashtme bullgare shpjegoi qendrimin zyrtar bullgar se “Shkupi duhet të njohë të vërtetën historike. Nëse Republika e Maqedonisë së Veriut pranon rrënjët bullgare të kombit dhe të gjuhës së saj, kjo do t’i jepte fund tensionit në marrëdhëniet tona”.

Intransigjencën e qeverisë së Shkupit e sinjalizoi dy ditë para mbledhjes së BE, Akademia e Shkencave e Maqedonisë së Veriut, që publikoi në 15 nëntor një promemorie, ku kërkon që integrimi i shtetit në BE të respektojë statusin e tij shtetformues dhe identitetin kombëtar, historik, kulturor, gjuhësor dhe nominal.

Gjendja duket pa rrugëdalje, sepse qeveria e Maqedonisë së Veriut pas mbledhjes së ministrave të jashtëm të BE ritheksoi intransigjencën e saj në datën 17 nëntor me një deklaratë, ku sipas agjencisë maqedonase “Makfaks” deklarohet se “qendrimi i Bullgarisë është dështim i BE. Identiteti dhe gjuha maqedonase nuk janë objekt për bisedime”.

Në qendër të konfliktit diplomatik dhe politik midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin në BE qëndron historia. Janë të njohura qëndrimet e Bullgarisë, e cila nuk njeh as historinë, as gjuhën dhe as identitetin e pretenduar nga Maqedonia e Veriut. Ndonëse Bullgaria ka qenë shteti i parë, që e njohu pavarësinë e Maqedonisë së Veriut në 1991, ajo gjithmonë ka shprehur rezervat e saj lidhur me gjuhën, historinë dhe identitetin e shtetit të ri verimaqedonas, të cilat Sofja i konsideron me rrënjë bullgare dhe pjesë e historisë, e gjuhës dhe e identitetit bullgar.

Bullgaria nuk u bë pengesë në fillim të vitit 2020 që Maqedonia e Veriut të anëtarësohej në NATO, sepse anëtarësimi i saj ishte një interes imediat gjeopolitik, strategjik dhe ushtarak i gjithë vendeve anëtare të NATO-s, përfshirë edhe Bullgarinë, përballë kërcënimit rus. Por tani Bullgaria ndaj fqinjit të vet perëndimor, që pret datën e konferencës ndërqeveritare me BE, ka vendosur të mos ndjekë më tolerancën, që demonstroi në rastin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.

Lexo po ashtu:  Alban Qosja: Opozita drejt popullit, apo populli drejt opozitës?

Tani Sofia ka vendosur të zbatojë veton e saj në procedurën e anëtarësimit të Shkupit në BE, duke aktualizuar më fort presionin që Shkupi të pranojë të vërtetën historike të prejardhjes nga Bullgaria të gjuhës, kulturës, kombit dhe të identitetit maqedonas. Sofja ka paralajmëruar shumë herë gjatë gjithë kohës, që nga anëtarësimi i Bullgarisë në BE në vitin 2007, se ajo do të përdorë të drejtën e vetos për të bërë që Shkupi të pranojë të vërtetën historike të prejardhjes bullgare të popullit, të gjuhës dhe të identitetit maqedonas.

Për hir të së vërtetës duhet thënë se diplomacia bullgare është treguar tolerante dhe e duruar me Shkupin, ndonëse e ka paralajmëruar prej shumë vitesh që duhet të zgjidhë problemet e hapura me Bullgarinë. Në vitin 2012 kam theksuar vijat e kuqe bullgare para portës së integrimit europian të Shkupit: “Vija e re e kuqe bullgare, që i vendoset Shkupit, me kërcënimin për mbylljen e portës së BE, është një zhvillim serioz negativ në marrëdhëniet dypalëshe mes Bullgarisë dhe Maqedonisë, i cili mund të ketë pasojat e veta në dinamikën e integrimit të Maqedonisë në BE, por edhe në raportet ndërballkanike” (“Shqiptarët e Maqedonisë-prioriteti i çështjes shqiptare”, Tiranë 2016, fq. 203).

Tani duket çeshtja ka ardhur në një pikë ngopje, ku Maqedonia e Veriut ka nevojë të ndërmarrë hapa, që plotësojnë kërkesat e Bullgarisë. Duket se vendosmëria e Sofies këtë rradhë është më e madhe, sepse ajo ka refuzuar jo vetëm dokumentin e përgatitur nga Komisioni Europian për kuadrin e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut, por edhe ndërhyrjen dhe presionin e Gjermanisë si presidente e rradhës e BE.

Qeveria e Shkupit i ka refuzuar kërkesat e Bullgarisë dhe për me tepër ka nxitur një frymë antibullgare në politikën dhe në mediat e saj. Maqedonia e Veriut si republikë dhe si shtet është një realitet i ri politik dhe gjeopolitik, i krijuar për interesa dhe faktorë ideologjikë të rrethanave të pas luftës së dytë botërore dhe nuk ka asnjë bazë shkencore të pretendojë se është një realitet historik.

Ushqimi zyrtar i sotëm i miteve historike është vazhdim i së njëjtës strategji komuniste serbo-sovjetike, që krijoi republikën e Maqedonisë në vitin 1945. Artificialitetin e pretendimeve historike të Maqedonisë së Veriut e vërteton edhe fakti se gjatë 30 viteve të shtetit të pavarur të krijuar në 1991 Maqedonia e Veriut për shkak të vakuumit të saj historik ka ndërruar flamurin, himnin, Kushtetutën dhe vetë emrin e shtetit.

Pikërisht për t’iu larguar ëndrrës megallomane të trashëgimisë historike, në këtë kuadër Shkupi duhet të realizojë përshtatje të reja në funksion të prioritetit të identitetit politik dhe gjeopolitik, pa rrezikuar integrimin europian për pretendime surreale të trashëgimisë antike dhe historike.

Lexo po ashtu:  Rama për Kosovën/ Hero i keqkuptuar apo tradhëtar oportunist

Përtej efekteve dypalëshe të përplasjes së tanishme midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut lidhur me veton bullgare të datës 17 nëntor, ridel si e rëndësishme detyra për të nxjerrë disa mësime nga shteti për besnikërinë ndaj interesit, trashëgimisë dhe vlerave historike dhe diplomatike kombëtare. Historia ka pasur dhe ka një rol të madh në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në diplomacinë e sotme, sidomos me shtetet fqinjë.

Problemi i Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut ka filluar qysh kur u krijua nga Jugosllavia në vitin 1945 “Republika e Maqedonisë”, e cila konsiderohet nga shkenca serioze historike si një krijim i Serbisë për të pakësuar influencën e Bullgarisë në popullsitë sllave të jugut të përfshira në Jugosllavi.

Shkenca linguistike e konsideron edhe gjuhën maqedonase si një inxhinjering politik të Serbisë, e cila që në vitin 1945 ngriti një Komision Shtetëror për krijimin e një alfabeti maqedonas. Një nga anëtarët e këtij komisioni shtetëror të Serbisë ka qenë shkrimtari Venko Markovski, (1915-1988), i cili do të deklaronte më vonë se “maqedonasit etnikë dhe gjuha maqedonase nuk ekzistojnë dhe janë rezultat i planeve të Kominternit për Ballkanin”.

Kur Maqedonia e Veriut u shpall shtet i pavarur në 1991 dhe u përkrah edhe nga Perëndimi, Bullgaria ishte e para që e njohu si realitet politik këtë shtet, por nuk pranoi kurrë kornizën zyrtare të Shkupit për gjuhë maqedonase, për popull maqedonas dhe për identitet maqedonas. Ministrja e jashtme bullgare Zaharieva në datën 16 nëntor deklaroi se “në qoftë se Bullgaria mbyll sytë ndaj faktit që Maqedonia e Veriut i qendron ideologjisë së konceptuar nga Stalini dhe Tito, kjo do të jetë në favor të Moskës”.

Në fakt mbrojtja e historisë nga shteti dhe diplomacia bullgare në marrëdhëniet dypalëshe ka ardhur në kreshendo, sepse Maqedonia e Veriut, si shtet pa rrënjë reale identitare, kombëtare dhe linguistike, ndoqi rrugën e gabuar të mohimit të historisë reale të prejardhjes, por u zhyt në përvetësimin e historisë së popujve dhe të shteteve fqinjë.

Ajo ndoqi rrugën e gabuar të maqedonizimit të historisë dhe personaliteteve bullgare, duke u përpjekur të ngrejë një nacionalizëm fals historik. Shkupi ndoqi rrugën e gabuar të përvetësimit të historisë antike të Greqisë, duke pretenduar Aleksandrin e Madh, megjithë absurditetin e saj zyrtar, sepse Aleksandri i Maqedonisë ka jetuar 1000 vjet para se sllavët të zbrisnin dhe të pushtonin Ballkanin. Shkupi përvetësoi historinë dhe personalitetet shqiptare që nga kompozitori i famshëm i Bizantit, Jan Kukuzeli nga Durrësi, e deri tek Nënë Tereza dhe vëllezërit Manaki.

Vërtet historia nuk duhet të pengojë diplomacinë e sotme në ecjen përpara, por nuk është diplomaci ajo që harron apo fshin historinë e popullit të vet. Ndaj qëndrimi i diplomacisë bullgare është një shembull bashkëkohor se si mbrohen interesat e kombit dhe të historisë së tij.

Në këto situata aktuale diplomatike në rajon stonon akoma më shumë qendrimi i papranueshëm i qeverisë dhe i diplomacisë shqiptare përballë presioneve të shteteve fqinj, që duan të na fshijnë kujtesën historike dhe trashëgiminë historike. Mund të shënojmë këtu se Shqipëria e dha votën e saj për pranimin e Maqedonisë në NATO pa i kërkuar asgjë lidhur me të drejtat historike të popullit shqiptar në atë shtet për të qenë shtetformues dhe vendimmarrës në drejtimin e shtetit.

Lexo po ashtu:  Shpifësira demagogjike e kishës socialiste

Për fat të keq Shqipëria është sjellë me mendjelehtësi të pakrahasueshme lidhur me mbrojtjen e të vërtetave të saj historike në marrëdhëniet me shtetet fqinjë. Në vitin 2017 kur filluan bisedimet zyrtare midis Shqipërisë dhe Greqisë për të ashtuquajturën paketë të çeshtjeve të marrrëdhënieve shqiptaro-greke, Shqipëria pranoi kërkesën alogjike greke dhe hoqi dorë nga përfshirja në këtë dosje bisedimesh të çeshtjes çame. Shqipëria ndërmori aktin vetvrasës diplomatik që pranoi në bisedimet të mos zihej me gojë as çështja çame dhe as fjala Çamëri.

Diplomacia shqiptare shkelte historinë e popullit dhe të kombit të vet. Çështja çame, që është pjesë e historisë kombëtare, e çeshtjes ende të pazgjidhur kombëtare dhe e identitetit kombëtar shqiptar, u braktis nga diplomacia shqiptare me përulësinë më të madhe. Ishte vija e imponimit grek për të fshirë një degë të rëndësishme të historisë, të popullit dhe të identitetit tonë si Çamëria.

Është një vijë antihistorike, që në mandatin e dytë të qeverisë së Edi Ramës pati si rezultat aktin skandaloz të heqjes së çështjes çame nga programi i qeverisë socialiste, çeshtje të cilën ajo vetë e kishte futur në programin qeveritar të vitit 2013. Është vija e imponimit grek për të përjashtuar nga parlamenti i Shqipërisë kryetarin dhe deputetët e partisë PDIU.

Por qëndrimi i mjerë servil shqiptar ndaj Greqisë nuk është aksident. Sepse këtë qendrim përulës ndaj atyre që na vjedhin historinë tonë ka mbajtur shteti dhe diplomacia shqiptare edhe ndaj Serbisë. Në tetor të viti 2013 Serbia kulmoi projektin e saj zyrtar “Edikti i Milanos 313-2013, Serbia”, ku në mënyrë flagrante përvetësonte aktin dhe veprën lapidare të perandorit Kostandini i Madh, i lindur në viset e Dardanisë, dhe ia shiste botës si përkatësi serbe. Serbia organizonte projektin diplomatiko-shtetëror të përvetësimit të Kostandinit të Madh, që ka jetuar 400 vjet para se sllavët të zbrisnin dhe të pushtonin Ballkanin.

Por shteti shqiptar, qeveria shqiptare dhe diplomacia shqiptare heshtën si mumje dhe nuk bënë asnjë përçapje diplomatike dhe mediatike nëpër kancelaritë dhe qeveritë europiane për të ndriçuar të vërtetën se Kostandini dhe vepra e tij nuk kishin asnjë lidhje me Serbinë dhe historinë serbe, por kanë lidhje me historinë e kombit shqiptar.

Leksionet, që diplomacia nuk duhet të shohë nga historia, janë përralla për kozmopolitët e shteteve të vogla. Të gjithë shtetet e botës respektojnë historinë, trashëgiminë dhe vlerat e tyre historike në marrëdhëniet me shtetet e tjera dhe nuk lejojnë cenimin e vijës së interesit historik kombëtar. Sofja dhe Shkupi sot po zihen për përkatësinë historike, por Shqipëria e sotme po e shet falas historinë e saj./Dita/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *