Si vijnë idiotët, qesharakët, të marrët kriminalë në krye?

Dëshira për një “babë të ashpër” që ia “kallzon vendin” edhe vetë subjektit dëshirues për të, që “thotë të vërtetën troç” vetëm pse janë fjalë që i thotë ai, e jo pse është tamam e vërtetë apo troç, nuk është mitologjizim (kult i individit që qëndron kategorikisht mbi të tjerët e mbi rrethanat, i pakrahasueshëm me ta e i pandikueshëm prej tyre). Nuk është as romantizim (besim te dikush që i përket të njëjtës kategori me të tjerët e me rrethanat, por megjithatë ngrihet përmbi to).

Siç dihet, ata që kanë kërkuar të tillë “babë të ashpër”, qysh prej Romës së lashtë post-republikane, e në Francën post-revolucionare imperiale, e në Gjermaninë post-Weimar, dhe sot, gjatë krizës së prodhuar nga konsumizmi e neoliberalizmi, nuk kanë përzgjedhur si shtyllë të besimit të tyre as njeriun e mitizueshëm as atë të romantizueshëm, sepse s’janë në gjendje të pranojnë që dikush mund të jetë “më i mirë” se ta në aspektin njerëzor. Prandaj madje, as nuk kanë zgjedhur, përmes formulës së tragjedisë klasike, njeriun që ngrihet mbi të tjerët, por që në fund e mposhtin rrethanat (materiale, financiare, gjeopolitike, kontingjente). Shpesh kanë zgjedhur sipas formulës komike, njeriun që nuk ngrihet aspak mbi mesataren e të tjerëve, por thjesht (e përkohësisht) mbi mesataren e rrethanave (ka para, influencë, tituj). Ndonjëherë, në formën e tragjedisë absurde është besuar te ai i cili nuk ngrihet as mbi të tjerët e as mbi rrethanat, e gjithnjë është nën to.

Lexo po ashtu:  Zgjedhjet rrotulluese në Shqipëri - Votuesit shqiptarë në anën perëndimore të Drinit le t’i marrin për shembull ata nga ana lindore. 

Kjo dalldisje masive nuk është magjepsje prej virtytit të dikujt, por është thjesht dëshirë për të ndëshkuar vetveten e atyre që me fajet që bënë shkaktuan krizën. Ky vetëndëshkim presin të ketë efekt purifikues (pastrues prej fajit), ndonjëherë shoqëruar edhe me pranim e pendim të sinqertë por pa kuptim të thellë të fajit. Po ashtu, ky vetëndëshkim shoqërohet nga pritshmëria e heshtur se ai që vetëndëshkohet vullnetarisht do e pësojë më pak se ai që reziston./Arbër Zaimi /

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *