SHBA dhe Irani do të punojnë për riaktivizimin e marrëveshjes bërthamore. Një takim i planifikuar për të martën e javës tjetër në Vjenë mund të bëhet pika fillestare nga ku nis një kthesë e tillë.

Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara do të jenë të pranishëm por nuk do të takohen drejtpërdrejt me iranianët kur palët që janë pjesë e marrëveshjes bërthamore të takohen javën e ardhshme.

“Njëra nga palët po tregon … që ata, për momentin, nuk preferojnë të takohen drejtpërdrejt me palën tjetër,” tha një zyrtar i lartë i BE i përfshirë në bisedime, duke iu referuar iranianëve, të cilët kanë këmbëngulur që SHBA të heqë sanksionet e njëanshme si parakusht për rinovimin e negociatave.

Zyrtarët e të dy palëve konfirmuan praninë fizike në mbledhjen që do të mbahet në kryeqytetin austriak pas një takimi online të udhëhequr nga BE, e cila është administratori i marrëveshjes, i njohur si Plani i Përbashkët i Përgjithshëm i Veprimit (JCPOA).

“Pjesëmarrësit ranë dakord të rifillojnë këtë sesion të Komisionit të Përbashkët në Vjenë javën e ardhshme, në mënyrë që të identifikojnë qartë heqjen e sanksioneve dhe masat e zbatimit bërthamor, përfshirë përmes mbledhjeve të grupeve përkatëse të ekspertëve. Në këtë kontekst, koordinatori do të intensifikojë kontakte të ndara në Vjenë me të gjithë pjesëmarrësit e JCPOA dhe Shtetet e Bashkuara”, thuhet në një deklaratë të BE-së.

Lexo po ashtu:  Mali i Zi miraton një paketë masash kundër Rusisë, Tirana po pret...!

Mediat iraniane raportuan se zëvendësministri i Jashtëm Seyed Abbas Araghchi ka konfirmuar pjesëmarrjen e Teheranit në takimin e së martës në Vjenë.

Ndërsa zyrtarët amerikanë do të jenë të pranishëm në Vjenë, Irani po refuzon deri më tani të angazhohet drejtpërdrejt me Uashingtonin. Iranianët kanë bërë thirrje që SHBA të heqë sanksionet ekonomike, të cilat u rivendosën nga Trump, i cili në 2018 vendosi të tërhiqej nga marrëveshja që kishte firmosur paraardhësi i tij.

Negociatorët janë nën presionin e kohës sepse Irani do të mbajë zgjedhjet presidenciale në qershor, një zhvillim që mund të zhvendosë dinamikën e bisedimeve, ose madje të çojë në ndryshim të negociatorëve.

/ Politico.eu /

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *