Arbër Zaimi
Ata të pushtetit në Tiranë, që argumentojnë për largimin e gjykatave nga rrethet dhe përqendrimin në Tiranë, përdorin rëndom një argument: përqendrimin e madh të popullsisë në Shqipëri të Mesme dhe zbrazje të rretheve.
Ky argument përdoret edhe kur mbyllen shkollat në fshatra, kur mbyllen klinikat dhe spitalet e qyteteve, kur mbyllen zyrat administrative, e kështu me radhë. Mbyllen, sepse po ikin njerëzit, thonë. Pra pushteti oligarkik shfaqet kinse i dorëzuar, i dorëhequr prej gjithçkaje, meqë “s’ka ç’i bën”. Por vetëm shfaqet. Interesin e ka të krijojë blerës për betonin në Tiranë dhe me Shqipërinë e zbrazur të ndërtojë “rezervate turistike”, apo t’ia shfrytëzojë nëntokën e mbitokën sipas dëshirës.
E vërtetë është e anasjellta. Njerëzit ikin nga fshatrat e qytetet e Shqipërisë, jo pse u pëlqen Tirana, por sepse atje nuk kanë pranë shërbime publike cilësore. Sado biznes i mirë të jetë bujqësia, askush nuk nis familje atje ku nuk ka spital të mirë e shkolla të mira pranë. Normalisht, edhe polici, gjykatë, shërbime administrative.
Zbrazja e rrethinave të Shqipërisë nuk ka qenë fenomen spontan, u çuan njerëzit e i braktisën shtëpitë e tokat dhe u dyndën në getot e Tiranës. Jo. Për të krijuar blerës për betonin përçud të Tiranës, fillimisht u lanë shkollat pa laboratorë e biblioteka dhe u mbushën me mësues analfabetë me teser partiake, mandej u lanë spitalet pa pajisje e me myk, pastaj u mbushën zyrat e administratës, gjykatave, rendit, me njerëz pa ndjenjë detyre e pa mision atdhetar. Dhe kështu u nxit e u arrit zbrazja e Shqipërisë, dyndja në Tiranë, që për shumë të rinj është vetëm stacion i ndërmjemë për ikjen jashtë vendit.
Ky fenomen megjithatë nuk është fatal, ka zgjidhje. Ktheni shkollat e spitalet, policinë e prokurorinë, gjykatat e administratën nëpër rrethe, duke vendosur theksin te cilësia e shërbimit publik. Angazhoni aty studentët më të mirë shqiptarë, duke u dhënë atyre mundësinë të kontribuojnë tre vjet për atdheun, në shkëmbim të përvojës interesante të punës që e marrin. Kthejeni ndjenjën e detyrës dhe misionin atdhetar në frymë të politikës shtetërore. Dhe do të shihni se rikthehen njerëzit te vendet e tyre, pranë vatrës, pranë punës.
Ka kosto kjo që them unë. Por kosto më të madhe ka zbrazja e Shqipërisë dhe dyndja në Tiranë.
Lexo po ashtu:  Letër të hapur publike Isa Mustafës

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *