Gëzim Mekuli
Ato kombe e shoqëri që kanë mbetur në “gjysmë të rrugës”, por edhe shoqëritë përparimtare kanë nevojë për medie të shkolluara dhe gazetarë të lexuar. Përgjegjësi e medieve është që këto t’i shërbejnë në mënyrë të shëndoshë popullit. Mgjithatë, mediet shqipe janë në garë se kush do të fitojë më shumë shikues, dëgjues e lexues. Pra, kush do të ketë më shumë reklama e para.

A e kanë harruar mediet rolin e tyre në shoqëri?
Së voni gazetari i nderuar i KTV-së, Adriatik Kelmendi, ftoi, si mysafir në studio, UDB-ashin e Serbisë, Mehmet Loci. Do të jem i drejtpërdrejtë. Unë mendoj se kjo ftesë ishte e parakohshme, e ngutshme, ofenduese dhe aspak profesionale.

Gazetaria jonë ka “një problem”: Nuk mund ta dalloj “sferën private” nga “sfera publike”. “Hapësira private” të takon ty, është e jotja dhe ti je ai që e strukturon dhe e udhëheq atë. Ndërsa “hapësira publike” është krejt tjetra; nuk është e jotja, ti nuk ke të drejtë t’i imponosh dëshirat, qëllimet dhe interesat e tua private.

“Hapësira publike” është e të gjithëve, është interes i përgjithshëm. P.sh., mysafirin e “shtëpisë tënde” nuk mund ta ftosh si mysafir edhe në medien publike. Këtu janë shumë faktorë që determinojnë vlerat e një ndodhie, interesi apo një ngjarje, e që kjo të klasifikohet e të shpërthej në hapësirën publike si lajm për interesin publik. Pra, duhet të sheshohet nëse lajmi dëmton, çorienton apo e lehtëson jetën e qytetarëve. E pra, të bëhesh gazetar, duhet ta kesh aftësinë dhe ndjenjën intelektuale që “të shohësh edhe pas bregut”.

Spiuni Mehmet Loci dhe gjuha e tij në “Rubikon”

Gjuha, fjala e shkruar, si kurrë njëherë më parë, është shndërruar në një mjet të fuqishëm për të ndikuar e drejtuar proceset politike. Ca do të thonë se kjo nuk është asgjë e re. Kjo punë dihet! Por, sikurse as edhe njëherë më parë, gjuha, teksti dhe fotografia nuk kanë pasur mjetin dhe mundësinë për të depërtuar edhe atje ku më parë as që mund të ëndërrohej. Duke parë këtë përparësi shumëdimensionale, UDB-ashi e spiuni i Serbisë, Mehmet Loci, shfrytëzoi fjalën, pra rrëfimin e tij, për ta “ndryshuar” dhe zbukuruar realitetin e jetës dhe të punës së tij si spiun në UDB-në e Serbisë, dega në Pejë.

Lexo po ashtu:  Shkolla ta mëson jetën, feja vdekjen

Më duhet të pranoj se gazetaria e keqe dhe e luksit, këto ditë, më shqetësoi e më pikëlloi. Pas plot 29 vjetësh m’u rikthyen pamjet e rënda; pamje dhe emocione që dëshiroja të mos i kujtoja as edhe një herë në jetën time.

Si ndodhi kjo?

Në këtë gjendje të rëndë, e në këtë pikëllim më rikthyen fjala, fotografia dhe gjuha e manipuluar e punëtorit të sigurimit jugoserb, i njohur në Pejë e rrethinë, si UDB-ashi Mehmet Loci.

Shqetësimi im ishte i thellë, sepse “po pastrohej” moralisht e politikisht UDB-ashi famëkeq Mehmet Loci. E kush po e “rehabilitonte”? Gazetaria e keqe shqipe.

Nuk dua fare të përqendrohem në atë se çfarë kam dëgjuar për këtë “supovc”. Këtu dua të shpreh zemërimin dhe dëshpërimin tim si qytetar. Dua botërisht ta tregoj zhgënjimin tim për rolin johuman e mjegullues të gazetarisë sonë shqipe dhe rrugën kah po shkon kjo.
Unë e kam përjetuar “hafijen e Serbisë”, Mehmet Loci. Po, po, e kam përjetuar keq, tmerrësisht shumë keq. Dhe jo vetëm unë, por e tërë familja ime u traumatizua dhe helmua nga UDB-ashi Mehmet Loci. Mehmet spiuni ishte i frikshëm, i fortë, i egër, i pjekur në moshë, ishte shtazë e uritur, i pangopshëm dhe i pamposhtur!

Spiuni Mehmet Loci e kishte Serbinë atdhe dhe, ajo i qëndronte pranë, e ushqente këtë. E unë isha i dobët, frikohesha shumë, i butë e i thyeshëm. Unë “s’kisha” atdhe! Atë e kisha larg. Atdheu po ribëhej e nuk po më qëndronte pranë… Unë kisha 18 vjet, isha student e me shpresa shumë, e ai, UDB-ashi pejan, ishte (ashtu me dukej mua) “Hitleri me prejardhje nga Peja”.

Të gjitha këto përjetime u ringjallën tek unë dhe tek familja ime pasi pamë në “hapësirën publike” mbeturinën e SUP-it nga Peja. Fjala e tij e mbështjell me gënjeshtra e shpifje, siguria e tij në kërrigën e studios, të shqetësonte e të nervozonte. Gjuha e tij e mbushur me propagandë sllave dhe lufta e tij speciale, e menduar mirë dhe e lansuar nëpërmjet medies shqipe, “të vriste”. Fotografia e tij, e “pa kohë”, të “pushkatonte”, po ashtu.
Çoroditja dhe tërbimi pas lakmisë, karrierës dhe shkëlqimit të pamerituar, bëri që spiunët dhe torturuesit e rinisë shqiptare të jenë aktorë politikë dhe fjala e tyre të zë vend në publik. Po, ne jemi të interesuar për debatin dhe lajmin e orientuar mirë, e që i sjell shëndet e të mira popullit, por nuk jemi për lajmin e debatin e njerëzve që dhunuan, rrahën, torturuan, përgjakën dhe burgosën me qindra mijëra shqiptarë. Pse? Sepse besonin në të qenurit shqiptarë. Ja, ky ishte “mëkati” politik!

Lexo po ashtu:  T'i gëzohesh bombave të terroristëve serb, vetëm e vetëm për me fol diçka në publik kundër Qeverisë, kjo dëshmon se sa në rrezik është qëndrueshmëria e Kosovës si shtet

“Gazetaria e lakmisë” më frikësoi, më shumë më frikësoi për faktin se në ç’drejtim po shkon gazetaria jonë, kah po orientohet debati ynë, si po shpërqendrohet vëmendja e opinionit.

Këtu më duhet të ngreh një pyetje: A ka njohuri gazetaria jonë për fuqinë e fjalës dhe shqetësimin që “fotografia e shëmtuar” sjell tek mendja e kujtesa e një populli. Pyes përsëri këta gazetarë, se si do të reagonin hebrenjtë, francezët, anglezët, rusët, pra viktimat e Gjermanisë naziste, sikur në televizionet e kohës do të ftoheshin si “mysafirë” spiunët dhe bashkëpunëtorët e “Geheime Staatspolizei” (policisë sekrete të Gjermanisë Naciste, 1933-1945).

A e dini se si do të reagonin populli dhe viktimat e këtij regjimi? Unë e di.

Sa isha i burgosur dhe në hetuesi, spiuni i Serbisë, Mehmet Loci, gjatë hetuesisë agresive për aktivitetin tim politik, “agjitacion dhe propagandë nacionaliste, kundërrevolucion, irredentizëm dhe nacionalizëm shqiptar”, me zë të lartë e me përplasje të grushteve mbi tavolinë, zakonisht në orët e hershme të mëngjesit, me çjerrej dhe më ulërinte: “A e di ti se Kosova është midisi i Serbisë”, “A e di ti se Beogradi është shtëpia jonë”. Me kujtohet, se si më torturonte dhe përsëri vazhdonte: “Ti don me shkru kundër Serbisë, more pis, more nacionalist. Ti donë Republikë, aaaaaa”?, “Ty t’ka marrë në qafë familja jote”, “Ku e ke familjen tash, hëëëëë”?, “Na kemi me ju vjerrë për s’gjalli more nacionalist”.

Dhuna psiqike dhe fizike që ushtroi spiuni i JugoSerbisë me shokët e tij është e përshkueshme, por e papërshkrueshme është pamja vizuale dhe gjuha e tij në mediet shqipe.

Lexo po ashtu:  Vaksinat kundër Covid-19: Shëndeti publik vjen para lirisë personale

Në vend se këto mbeturina të UDB-së të izolohen nga publikja e të gjykohen nga gjykata e gjykatës së pavarur, për krimet ndaj njerëzimit, këta edhe po nderohen dhe po respektohen nga gazetaria e keqe shqipe.

Gazetaria e UNMIK-ut tanimë po tregon edhe prodhimet dhe sukseset e saja. Suksesi i kësaj gazetarie është kontrolli i debatit dhe “sajimi” i “shqiptarëve të ndershëm”. (posteni albanci, gj. serbe).

Unë “s’pata kondicion” të kyçem në “debatin” me UDB-ashin, Mehmet Loci. Sepse nuk pata fuqinë ta përcjellja propagandën e tij kundër shqiptarëve. Unë nuk pata durimin të shoh një UDB-ash në medien shqipe, i cili prej aty, përsëri dhe pa frikë, në ofensivë mbronte interesat e çetnikëve të Beogradit.

Pata shumë qejf ta kujtoj këtë spiun, se çfarë përjetova sa isha “në dorën e tij” gjatë hetuesisë në burgun famëkeq të Pejës.

Tani pata nevojë t’i them se unë jam i fortë e ti i dobët!
Pata dëshirë t’i them se tani unë kam atdhe e ti je pa të!
Pata lazëm t’i them se tani unë kam familje e ti s’ke!
Pata dëshirë t’i them se unë, ideja ime, bindja ime, janë të pamposhtura, sepse unë dhe populli e ndërtuam Republikën e Kosovës. (E nuk do të ndalemi deri tek rindërtimi i shtetit të Rilindasve).

Dhe për fund, disa fjalë prindërve të mi të mëdhenj: Babi e Mami, (ty mami që nuk je më në këtë botë, e që rëndë e përjetove burgosjen e fëmiut tënd pa i mbushur 18 pranvera), u jam borxhli e falënderues për edukatën, kulturën dhe brumosjen me idealet më fisnike që i duhen një njeriu: sinqeritetin, atdhedashurinë, njerëzinë, moslakminë dhe guximin.

Qofsha edhe unë si ju!
Pastë Noka fatin tim!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *