Lista Srpska është kujdesur që nëpërmjet një njoftimi për media të thotë se masat e vendosura në Veri që lidhen me pandeminë janë vendime të Vuçiq. Por, nga MSH japin një version tjetër: kryetarët e komunave në Veri kanë kërkuar vetë në Prishtinë të vendosen kufizimet atje. Në Qeverinë që udhëhiqet nga Avdullah Hoti ndërkaq kanë bërë thirrje që kjo çështje të mos politizohet, ani pse kritika ka pasur nga partitë opozitare.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Goran Rakiq mbrëmë bëri të ditur se shtabi i krizave në veri të vendit ka marrë vendim për karantinimin e katër komunave dhe vendosjen e ndalimit të lëvizjes nga ora 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit.

Rakiq në këtë konferencë të jashtëzakonshme për media njoftoi gjithashtu se 53 persona janë konfirmuar të infektuar me koronavirus në këtë pjesë të Kosovës.

Kjo paraqitje e Rakiq është kritikuar për faktin se nuk është bërë e ditur nëse një vendim të tillë, komunat në veri të vendit e kishin marrë në koordinim me autoritetet e Kosovës.

Lexo po ashtu:  E kapën me plagjiaturë/ Universiteti i Beogradit i heq doktoraturën ministrit të Financave

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar sot gjatë ditës se ishin kryetarët e komunave veriore që e kanë bërë kërkesën në MSH për kufizim të lëvizjes dhe për karantinimin e tyre.

Kjo sipas tyre ka ardhur pasi që në këtë pjesë ka pasur rritje të numrit të rasteve me koronavirus.

“Duke qenë që në komunat në veri të Kosovës është vërejtur një rritje e numrit të personave të infektuar nga Covid-19, kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës i kanë kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që të kufizojë lëvizjen e qytetarëve në këto komuna dhe të bëjë karantinimin e tyre”, thuhet në përgjigje.

Nga Ministria që udhëhiqet nga Armend Zemaj kanë bërë të ditur për Gazetën se bazuar në këto kërkesa MSH përmes IKSHPK’së u ka kërkuar komunave në fjalë që të konfirmojnë nevojën e kufizimeve.

“Bazuar në këto kërkesa, MSh përmes IKSHPK u ka kërkuar zyrtarëve komunalë të këtyre komunave të dhëna epidemiologjike rreth Covid-19 për ta konfirmuar nevojën e kufizimeve, diçka që ata e kanë bërë. Pra, bëhet fjalë për veprime të koordinuara në bazë të informacioneve zyrtare rreth situatës epidemiologjike në atë pjesë”, kanë bërë të ditur nga Ministria e Shëndetësisë.

Lexo po ashtu:  Kryengritja e Malësisë e vitit 1911 “përkthehet” në film

Gazeta Express për këtë çështje ka kontaktuar edhe Qeverinë e Kosovës. Në këtë institucion kanë kërkuar që kjo temë të mos politizohet.

“Zëvendëskryeministri Rakiq është në koordinim me ministrinë e Shëndetësisë, kërkojmë që të mos politizohet kjo çështje”, thanë nga zyra e kryeministrit.

Megjithatë, kritika për këtë temë kanë pasur nga partitë opozitare. Ish’ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë për Gazetën Express se kjo është tregues që qeveria Hoti varet nga votat e Listës Serbe.

“Zv.kryeministri Goran Rakiq ka vendosur përmes shtabit paralel në komunat e veriut që kjo zonë të futet në karantinë, ndërkaq Lista serbe deklaron që marrin urdhëra vetëm nga Vuçiq. Lejimi i kësaj mendësie qeverisëse e ka futur Kosovën në senduiç, në dy anët ka Serbinë, si shtet dhe si Listë serbe. Për këto pak ditë hoqën reciprocitetin, hoqën dorë nga angazhimi për anëtarësimet në organizmat ndërkombëtar dhe pas hapjes totale karshi Serbisë natyrshëm vijnë këto vendime e deklarata nga leva tjetër e Beogradit dhe që cenojnë rëndë territorin dhe sovranitetin e vendit”, thotë Haxhiu, duke shtuar se sa më parë duhet që në vend të mbahen zgjedhje të reja.

Lexo po ashtu:  “The Guardian”: Aventurë emocionuese skijimi në peizazhet e Bjeshkëve të Nemuna

Sipas njohësve të çështjeve politike dhe juridike Kosova duhet që të ushtrojë mandatin e saj në tërë territorin e Kosovës.

Ehat Miftaraj nga IKD ka thënë për Gazetën Express se secili vendim që merret duhet të jetë në plotëni me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Vendimet e një anshme nga Zëvendës-Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës që cenojnë rendin kushtetues dhe ligjor të Kosovës, duhet të anulohen dhe të ndërmerren masa politike të menjëhershme ndaj të njëjtit, duke mos përjashtuar edhe masa tjera që lejon ligji”, ka deklaruar ai.

Pak ditë më parë Qeveria e Kosovës në krye me Avdullah Hotin ka vendosur kufizime të reja për qytetarët.

Kjo përfshin kufizimin e lëvizjes në disa komuna ku ka më shumë raste me koronavirus, prej orës 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *