Ministrja e Jashtme suedeze, Ann Linde deklaroi se vendi i saj ka marrë garanci nga Uashingtoni se do të ketë mbështetjen e SHBA gjatë periudhës që një aplikim i mundshëm për t’u anëtarësuar në NATO-n miratohet nga 30 vendet e Aleancës.

Suedia dhe Finlanda fqinje qëndruan jashtë NATO-s gjatë Luftës së Ftohtë, por aneksimi i Krimesë nga Rusia në 2014 dhe pushtimi i Ukrainës i kanë shtyrë dy vendet që të rimendojnë politikat e tyre të sigurisë, me anëtarësimin në NATO që duket gjithnjë e më i mundshëm.

Të dy vendet janë të shqetësuara se do të jenë të pambrojtur gjatë procesit të aplikimit, i cili mund të marrë deri në një vit për t’u miratuar nga të gjithë anëtarët e NATO-s.

“Natyrisht, nuk do të hyj në asnjë detaj, por ndihem shumë i sigurt se tani kemi një garanci amerikane” i tha Linde TV suedez nga Uashingtoni pas takimit me Sekretarin e Shtetit të SHBA, Antony Blinken.

“Megjithatë, jo garanci konkrete sigurie, nga ato që merren vetëm nëse jemi një anëtar i plotë i NATO”, shtoi ajo.

Lexo po ashtu:  Kosova e para në Evropë për numrin e vdekjeve nga ajri i ndotur, askush nuk ofron zgjidhje

Linde nuk pranoi të sqaronte më shumë se çfarë garancie konkrete kishte marrë nga Blinken.

“Garancia nënkupton se Rusia e ka të qartë se nëse organizon çfarëdo lloj aktiviteti armiqësor kundër Suedisë, ashtu sikundër kanë kërcënuar, veprimet nuk do të kalonin pa përgjigje nga SHBA”, shtoi ajo.

Një deklaratë e Departamentit të Shtetit të SHBA-së lëshuar pas takimit tha se Blinken kishte riafirmuar përkushtimin e Uashingtonit ndaj politikës së NATO-s për të mirëpritur anëtarët e rinj, por nuk përmendi garancitë e sigurisë për Suedinë, shkruan Gazeta Si.

Ministri suedez i mbrojtjes tha muajin e kaluar se një aplikim mund të shkaktojë një sërë përgjigjesh nga Rusia, duke përfshirë sulme kibernetike dhe sulme të tjera hibride, të tilla si fushatat propagandistike, për të minuar sigurinë e Suedisë.

Moska ka paralajmëruar se mund të vendosë armë bërthamore dhe raketa hipersonike në enklavën europiane të Kaliningradit nëse Suedia dhe Finlanda bëhen anëtarë të NATO-s.

Si Suedia ashtu edhe Finlanda pritet që të marrin një vendim nëse do të aplikojnë për t’u bashkuar me NATO-n brenda këtij muaji.

Lexo po ashtu:  Të luftosh racizmin mbi biçikletë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *