Bashkimi Evropian bëri të ditur se shefi i politikës së Jashtme të bllokut, Josep Borrell ka ftuar një takim të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 27 shkurt.

Në një njoftim të shërbimit të Jashtëm të BE-së thuhet se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Në njoftim thuhet se takimi do të përqendrohet në propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Propozimi i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara nuk parasheh njohjen e ndërsjellë ndërmjet të dyja vendeve por zotimin e tyre se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

Në janar të dërguarit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës dhe Italisë u takuan me udhëheqësit e të dyja vendeve për t’i bindur ata që të nënshkruajnë një marrëveshje në bazë të propozimit ndërsa u thanë se duhet të deklarojnë deri në mars nëse e pranojnë planin ose do të përballen me pasoja.

Udhëheqësit e të dyja vendeve thanë se e pranojë në parim propozimin./Voa

Lexo po ashtu:  Disa deputetë të LDK-së nuk do t’i japin nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë Kurti

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *