Pandemia e Covid-19 ka lënë miliona njerëz pa punë dhe ka çuar shumë biznese në faliment. Por nëse për disa pandemia solli varfëri, për të tjerë ka rezultuar një minierë ari.

Firmës bioteknologjike “Relief Therapeutics” në Zvicër, e cila shpreson të ripërdorë ilaçin e saj 20-vjeçar aviptadil ose RLF-100 kundër Covid-19, iu rritën aksionet 40 000 për qind këtë vit në bursën vendase. Para se virusi të fillonte të përhapej duke bërë viktima në të gjithë globin në fillim të vitit 2020, vlera e aksioneve të kompanisë ishte 0.001 franga zvicerane.

Vlera e aksioneve të saj arriti kulmin historik prej 0.8 franga zvicerane për aksion në gusht, pasi kompania e barnave me bazë në Gjenevë dhe partneri i saj amerikano-izraelit, NeuroRx, njoftuan se pacientët me sëmundje kritike Covid-19 u rikuperuan shpejt nga problemet serioze të frymëmarrjes pas tre ditësh trajtimi me RLF- 100. Ndërsa interesi i investitorëve është zbehur pjesërisht që nga ajo kohë, aksionet e kompanisë u rritën 400-fish këtë vit.

Lexo po ashtu:  Investimet e huaja ndihmojnë strukturimin e ekonomisë së brendshme

Firma zvicerane nuk është e vetmja që i gëzohet kësaj rritjeje eksponenciale. Aksionet e kompanive farmaceutike, të cilat kanë garuar për të marrë vaksinën shumë të nevojshme të koronavirusit, gjithashtu u rritën, por me një ritëm “më të ngadaltë”. Për shembull, aksionet e prodhuesit amerikan të vaksinave Novavax u rritën mbi 3 000 përqind këtë vit, duke eklipsuar rivalen amerikane, Moderna, e cila fitoi mbi 700 për qind.

Kompania gjermane e bioteknologjisë BioNTech, e cila zhvilloi vaksinën së bashku me Pfizer, u rrit deri në 250 për qind këtë vit, ndërsa aksionet e partnerit amerikan u shtuan vetëm me pesë përqind gjatë së njëjtës periudhë.

Një tjetër zhvillues, Vaxart, po punon për një vaksinë në formë pilule, në vend të injeksionit. Pavarësisht shqetësimeve se një vaksinë orale nuk do të merrte pjesën e saj të tregut nga gjigantët e industrisë, vlera e saj u rrit me 2 000 për qind.

E ashtuquajtura Big Pharma (kompanitë e mëdha farmaceutike) nuk është sfera e vetme që tërheq investitorët. Sektori i teknologjisë dhe shërbimet të cilave njerëzit iu drejtuar për të mos u mërzitur dhe kompanitë që u çonin në shtëpi gjërat e domosdoshme gjithashtu fituan shumë. Ndërsa shumë shitës me pakicë dhe ata që punojnë në sektorin e shërbimeve u shkatërruan, Amazon, Facebook dhe Netflix gëzuan rritje dyshifrore të fitimeve.

Lexo po ashtu:  Rusia përfundimisht largohet nga SWIFT, u ngrihen asetet oligarkëve rusë

Edhe ato shërbime që ishin më pak të njohura para pandemisë panë fitime të mëdha. Për shembull, çmimi i aksioneve të Zoom, shërbimi i bisedave video që lidhi miliona njerëz të detyruar të punonin dhe studionin nga shtëpia, u rrit me mbi 470 për qind këtë vit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *