5 tetori 2000, dita kur ra Millosheviqi, por jo Serbia klerofashiste

Të nesërmen e arrestimit të Slobodan Miloshevicit cingëroi telefoni im. E hapa. Matanë u dëgju një za i një femne. Ajo më tha se ishte sekretare e Jeremy Paxmanit, një gazetari dhe shkrimtari të njohun britanik (autor i librit mbresëlanës “The English”), që drejtonte lajmet qendrore në ‘Newnight’ të BBC-së dhe më pyeti nëse kisha dashë me marrë pjesë në emisionin e tij e me folë rreth arrestimit të Milosevicit. Unë i thashë që jam i interesuem.
Pas kësaj ajo më pyeti se çfarë mendoja unë rreth arrestimit të Miloševićit. I thashë që arrestimi i këtij krimineli për mue tash asht arrestim i një personi dhe përmbushje e një kërkese të drejtësisë.
– A do të ndikojë kjo në zgjidhjen e problemeve në Ballkan? – ishte pyetja e radhës.
– Jo, përveç kapjes së një krimineli, ky arrestim nuk ka me pasë asnjë ndikim në rrjedhat politike në Ballkan.
– Pse mendoni kështu?
– Arrestimi i Miloševićit asht arrestim i një personi pa pushtet, i një krimineli për krimet e dikurshme, por ideologjia dhe projekti fashist i Milosevicit janë ma të fuqishëm se kurrë ma parë. Dhe kanë me vazhdu me u forcu në të ardhshmen. Serbët, tue kry gjenocid, kanë marrë gjysën e territorit të Bosnjës dhe Hercegovinës, megjithëse si popullsi përbajnë vetëm 30 për qind të Bosnjës dhe Hercegovinës, kanë heqë autonominë e Vojvodinës, kanë kry gjenocid në Kosovë, kanë qenë shkaktarë të katër luftave dhe qinda mija viktimave joserbe në hapësinat e ish-Jugosllavisë. Sot Serbia asht ma fashiste se kurrë ma parë. Prandej, për mue dhe për të gjithë ata që kanë pësu prej fashizmit serb, shum ma me randësi kish me qenë shkatërrimi i projektit fashist serb, sesa arrestimi i një plaku kriminel. Dënimi i mirëfilltë i fashizmit serb kish me qenë shfashistizimi i Serbisë, demilitarizimi I plotë i armatës serbe që shërbeu si makinës vrasëse, ndalimi i veprimtarisë publike të të gjithë atyne që në një mënyrë apo tjetër kanë ndiku që të funkcionojë gjithë struktura e fashizmit serb, ndalim i ikonografisë, i emrave dhe i personave të kësaj ideologjie. E kjo, për fat të keq, s’ka ndodhë.
Ma merr mendja që ju keni pritë një tjetër deklarim timin, ma optimist, ma të mirë, për të ardhmen e rajonit. Por, për fat të keq, njerëzit që sot janë në pushtet vetëm jetojnë në rrethana të reja, përndryshe do të kishin shkaktu lufta edhe ma të tmerrshme sesa vetë Miloševići.
A mund ta imagjinoni arrestimin e Hitlerit, por lanien të lirë të ideologjisë naciste? Pranimin e anshlusit me Austrinë, miratimin e aneksimit të krahinës së Sudetit të Çekosllovakisë e të pjesëve të Polonisë e të Francës? Dhe lanien të paprekun të armatës naciste gjermane dhe të mediave naciste? Ja, kjo ka ndodhë me Serbinë…
– Ju falënderoj shum për bisedën, – tha zani femnor matanë e vazhdoi, – do t’ju kontaktojmë për hapat e ardhshëm.
Unë e dija se s’ka me pasë hapa të ardhshëm. Atmosfera në mediat perëndimore, pas arrestimit të Miloševićit, ishte ngazëllimtare. Ata donin që këtë ta paraqitnin si një fitore të padyshimtë. E unë e dija se ky ishte një mashtrim i radhës. A thu shtetet Perëndimore do ta arrestonin vetëm Hitlerin dhe do ta linin aparatin nazist të paprekun? Në mbramje e pashë që emision ishte ftu dhe foli një boshnjake, e cila foli për punën e mirë që ishte ba me arrestimin e Miloševićit.
Nga ajo kohë Serbia jo vetëm që nuk u demokratizu, ajo u kriminalizu edhe ma keq sesa që kisha mujtë me paramendu: qarqe kriminale shtetnore vranë kryeministrin e Serbisë, Zoran Djindjićin, dhe forca ekstremiste të djathta morën pushtetin. Kush do të mendonte se një hamall gajbesh të birrave të Šešeljit, një kriminel që publikisht bante thirrje për vrasjen e 100 boshnjakëve për vrasjen e një serbi, një adhurues i Ratko Mladićit, një krimineli të shpallun si kriminel lufte nga Tribunali I Hagës, Aleksandar Vucići do të bahej kryetar i Serbisë më shumicë votash. Shiku nga ky kand, nga establishment politik i sotëm, Serbia, realisht, asht ma fashiste se kurrë, që nga ramja e Miloševićit.
Lexo po ashtu:  "Me këndue pula thohet se ka me pas dëm shpija, asht mirë me e mbyt pulen për mik." Besëtytnitë shqiptare, për miqtë dhe miqësitë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *