Në orët e fundit në Shqipëri kanë ndodhur shumë gjëra që duket se po çojnë vendin drejt një krize apo kolapsi institucional me pasoja. Është thënë dhe shkruar shumë për atë që po bën opozita shqiptare, por nëse analizën e situatës do ta vendosnim në kontekstin e qëllimit për të mos lejuar zbatimin e reformës në drejtësi, atëherë mund të arrijmë në konkluzionin se shkaktari kryesor për prishjen e reformës në stadin e tanishëm është Kryeministri. Edhe pse pretendon se është kampioni i saj.
Z. Rama ka patur në dispozicion shumë mjete ligjore dhe kushtetuese për t’iu përgjigjur sfidës së Presidentit, por ai i injoroi ato duke zgjedhur rrugën e provokimit.
Dekretit të Presidentit për shfuqizimin e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale, shumica mund t’i përgjigjej me një kërkesë në Gjykatë, siç edhe u sugjerua nga një shhumicë juristësh në 24 orët e fundit. Cilido të ishte vendimi i gjykatës ai do të ishte legjitim dhe pa nagrkesa fajësie politike përderisa gjykata është pushet i pavarur.
Z. Rama bëri të kundërtën. Ai urdhëroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të marrë atribute që nuk i ka duke shpallur pavlefshmërinë e dekretit të Presidentit dhe duke minuar çdo mundësi për dialog apo qetësim të situatës.
Në këto orë Kryeministri ka shpallur se opozita po e bën të gjithë lojën e vet për shkak të frikës nga reforma në drejtësi, por nëse kjo është e vërtetë, atëherë interesi e kërkon që shumica të jetë e qetë dhe të synojë uljen e toneve sepse ka me vete kohën dhe erën e të drejtën.
Z. Rama ka shkuar edhe më tej kur ka kërkuar shkarkimin e Presidentit kur nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Mund të kishte kuptim një gjë e tillë nëse një gjykatë do të shpallte pavlefshmërinë e dekretit, por ky veprim që nuk merr përgjigje nga rregullat e sistemit mund të kuptohet vetëm në kuadër të një strategjie të tensionit.
Gazeta “Dita” raportonte sot se z. Rama dhe z. Meta janë takuar para disa ditësh dhe se ky teatër që shohim tani është asgjë më shumë sesa episodi i radhës për të minuar realisht reformën në drejtësi duke krijuar qëllimisht turbullirë juridike dhe kushtetuese që fajëson të dyja palët.
I vendosur në një pozitë prej nga ku është i detyruar të mbrojë reformën në drejtësi në këmbim të mbështetjes së partnerëve të huaj, kryeministri e ka kuptuar se normat dhe institucionet e reja të drejtësisë herët apo vonë do të prekin atë dhe të vetët për të gjitha këto zullume që kanë ngjarë.
Jo vetëm kaq, por teorikisht opsioni që këta të huaj që sot mbështesin pa rezerva kryeministrin, nesër të heshtin kur rregullat e reja të vihen në veprim, ekziston dhe mundet që këtu të qëndrojë edhe arsyeja e njëanshëmrisë së tyre. Dikush po përdoret për të mbyllur reformën që mandej të lihet në mëshirën e saj. Ka shembuj nga vendet fqinj që na e mësojnë këtë.
Ndaj ky galop drejt marrëzisë prej dikujt që ka patur të gjitha mjetet dhe sugjerimet për ta izoluar apo kufizuar presidentin në manovrën e vet krijon dyshime se nuk kemi të bëjmë me një nxehur por me dikë që është pjesë e asaj loje të pistë që vijon prej rreth 30 vjetësh.
Përndryshe nuk shpjegohet sesi dikush po kërkon të humbasë çdo gjë ndërkohë që mund të rezervojë shumëçka. /www.mekuliPress.com/ – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress