Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka treguar arsenalin e armatimit si dhe mjeteve shpërthyese të cilat janë gjetur e më pas konfiskuar të premten mbrëma brenda një veture të parkuar në një lagje të Komunës së Zveçanit.

Hoxha përmes një konference për media ka thënë se pas një punë intensive të njësiteve të specializuara të Policisë së Kosovës dhe Shërbimeve të Inteligjencës kanë siguruar informacione se grupe kriminale në veri të vendit kanë deponuar një sasi të madhe të armatimit në Zveçan.

Sipas tij, grupet kriminale në veri me këto armë dhe mjete shpërthyese kanë pasur për qëllim që t’i përdorin për sulme terroriste ndaj qytetarëve e institucioneve të Kosovës, FSK-së që veprojnë në veri të vendit duke përfshirë dhe KFOR-in.

“Më 23.06.2023 rreth orës 20:03 Policia e Kosovës ka kryer një kontroll të veturës Audi, ku është zbuluar një sasi e konsiderueshme e mjeteve shpërthyese, armëve të rënda luftarake dhe pajisjeve tjera ushtarake. Vetura ka qenë e parkuar ndërmjet banimit kolektiv në rrugën Obiliqi, lagja Kolonia, Zveçan. Policia e Kosovës ka ndërmarr të gjitha veprimet hetimore dhe operative për të sqaruar rrethanat e këtij rasti, dhe ka arrit tek informacioni se vetura ka qëndruar për një kohë në atë lokacion duke qenë rrezik permanent dhe me pasoja katastrofale të mundshme për banorët dhe qytetarët që kanë frekuentuar atë zonë. Në vend ngjarje kanë marrë pjesë edhe KFOR-i dhe EULEX-i, të cilët kanë bërë vendshikimin”, ka thënë Hoxha.

Lexo po ashtu:  Kurti pas lajmit për çnjohje: Serbia të heqë dorë nga politikat destruktive

Po ashtu Hoxha tha se brenda veturës janë gjetur armatime të ndryshme, mjete shpërthyese si dhe radiolidhje me numër brenda saj, veshje ushtarake dhe 19 emblema të Severna të Brigadës.

“Vetura Audi është sekuestruar si dhe gjësendet e gjetura në veturë janë si në vijim: 9 zolla, dy lansues, 2 osa, 1 predhë e minahedhësit, 21 granata dore, 20 predha të tromblonit, dy mbushës të barutit, 10 armë të gjata automatike, një revole, një shurdhues i armëve, 51 karikatorë të armëve të gjata, 5 karikatorë të armëve të shkurta, 5,756 fishekë të kalibrit të ndryshëm, 18 koktejë molotovi, 17 mjete piroteknike, 14 mjete tymuese, 5 thika ushtarake, 11 jelekë anti plumb dhe jelek taktik, 9 uniforma ushtarake, një palë dylbi, dy maska pambuku për kokë, në maskë kundër helmeve dhe gazrave, një dyshek ushtarak për nevojat e snajperëve 19 emblema të Severna të Brigadës, një telefon ajrorë me sim kartelë dhe me numër, tre radiolidhje me mbushje po ashtu, si dhe një sasi e narkotikëve”,ka treguar Hoxha.

Lexo po ashtu:  Nesër në orën 11, Albin Kurti në Zyrën e Kryeministrit

Sipas tij, pjesa dërrmuese e armatimit dhe mjeteve shpërthyese janë prodhim i Serbisë.

“Vlen të theksohet se nga totali i granatave të sekuestruara 15 prej tyre janë të prodhuara në vitin 2021. Dhe nga ekzaminimi preliminar të ekspertëve të eksplozivëve të Policisë së Kosovës ekziston dyshimi i bazuar se lloji i njëjtë i granatave është përdoru gjatë sulmit ndaj KFOR-it më datë 29 maj, në protestën e dhunshme në Zveçan”, tha ndër të tjera Hoxha.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *