Kryeministri Rama e sheh Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë si kushtin themelor për hyrjen e dy vendeve në BE. Në një postim në rrjetet sociale, Rama thotë se marrëveshja dhe aneksi i saj zbatues duhet të përfshihen në proceset e anëtarësimit.

Ndërsa i afrohemi takimit të Këshillit Evropian të 21 marsit, është thelbësore të kujtojmë se zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, së bashku me Aneksin e saj Zbatues, është i një rëndësie të madhe për ruajtjen e sigurisë, stabilitetit dhe paqes në Ballkanin Perëndimor. Nuk mjafton vetëm njohja e Marrëveshjes që është ligjërisht e detyrueshme. Për të siguruar progres, Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit duhet të përfshihen zyrtarisht si pjesë përbërëse të proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Çdo vonesë për ta bërë këtë vetëm e forcon status quo-në. Dhe status quo-ja e këtij çelësi strategjik për një fqinjësi paqësore, të begatë dhe evropiane në mes të Evropës nuk i shërben vetë sigurisë së Evropës.

Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, u arrit një vit më parë në Bruksel. Ajo synon t’u japë zgjidhje të gjitha çështjeve të hapura mes dy vendeve – nga njohja e simboleve shtetërore deri te të drejtat më të mëdha për komunitetin serb në Kosovë.

Lexo po ashtu:  Macron: "Unë e kuptoj dhe respektoj që mund të tronditemi nga këto karikatura. Unë kurrë nuk do të pranoj dhunën fizike për këto karikatura. Nuk kam asnjë problem me islamin...

Pavarësisht marrëveshjes, ajo që pasoi në terren gjatë vitit të kaluar ishte krejt e kundërta. Në veri të Kosovës, tensionet u shtuan pasi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe morën pushtetin; pati përleshje mes serbëve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, në shtator ndodhi sulmi i armatosur në Banjskë dhe heqja nga qarkullimi e dinarit serb.

Zyrtarë të lartë të Kosovës dhe Serbisë kanë lënë vazhdimisht të kuptohet se nuk janë të gatshëm t’i përmbahen marrëveshjes.

Në fillim të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se asociacioni i komunave me shumicë serbe, “nuk është prioritet” për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe se nuk duhet veçuar.