Ti s’më do? S’të dhimbsem sado pak?
Ti s’më do? S’të dhimbsem sado pak?
Nuk ta mbushkam syrin, apo si?
Prapseprapë, ndizesh e merr flakë,
Tek shtërngohesh supeve të mi.
Mike epsh e tëra , lajka s’dua,
As i vrazhdë nuk të sillem dot.
Veç me thuaj, sa kështu si mua,
Puthur e shtërnguar ke gjer sot!
Unë e di, të gjithë hije u bënë
Dhe s’ta shuan zjarrin pa mbarim.
Prehër pa u ulur ti s’ke lënë,
Siç po rri tani në prehërin tim.
Dhe në këto çaste, ndonjë tjetër,
Sjell ndërmend ti, syçkat tek pulit.
Mos pandeh se po mërzitem tepër.
Tjeterkënd e kam dhe unë në shpirt.
S’eshtë fat kjo lidhje mëndjelehtë,
Po një flakë çasti. Veç ta dish,
Siç të njoha rastësisht i qetë,
“- Mirëmbetsh!”, – do të të them sërish.
Edhe ti do marrësh udhën tënde,
Do bësh pluhur ditën plot mërzi,
Veçse, mos lakmo t’i prishësh mendjen,
Kujt s’ka njohur puthje e dashuri.
Krah për krah me ndonjë tjetër djalë,
Udhës kur të shkosh ti, ku ta dish,
Ndoshta, edhe unë do të kem dalë
Për shëtitje, e shihemi sërish!
Ti më fort pas tjetrit do të ngjeshesh
Dhe me kryet ulur, ftohtësisht,
“- Mirëmbrëma!” – do më pëshëndesësh,
Ndërsa unë: “- Mirëmbrëma Miss!”.
Dhe asgjë nuk do më turbullojë,
S’do më dridhet shpirti për asgjë!
Kush ka dashur, s’mund të dashurojë!
Kush është djegur, s ‘mund të digjet më!
Shqipëroi: Jorgo Bllaci
Kush është përkthyesi i përkryer?
Jorgo Bllaci u lind më 1938 në Gjirokastër. Ka studiuar për gjuhë-letërsi shqipe dhe ka punuar së pari mësues e pastaj përkthyes, kurse pas burgimit për bindje politike (1964-1967), punëtor ndërtimi. Më 1990 u kthye përsëri në shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Ka botuar vëllimet me poezi “Ligjërimet e Pyllit” (1964) dhe “Epika e trëndafilave” (1990). Gjithashtu ka shqipëruar vepra poetike autorësh të njohur, si Shevçenko, Pushkin, Esenin, Gëte, Du Fu, Frost, vepra në prozë, midis të cilave romanet “Rudini” dhe “Ujërat pranverore” të Turgenjevit, si dhe disa libra me poezi për fëmijë”. Iu dha titulli: “Mjeshtër i Madh” pas vdekjes. /MekuliPress/
