Isa Boletini ka udhëhequr forcat kryengritëse për çlirim nga pushtuesi Osman më 1912, ka qenë përkrah Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila është copëtuar në konferencën e Londrës më 1913-të.

Isa Boletini ishte lindur në fshatin Boletin të Mitrovicës, në një familje me tradita patriotike. Në moshën 17-vjeçare ka marrë pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në betejën e Slivovës (22 prill 1881) kundër forcave osmane. Ai ka përkrahur Haxhi Zekën dhe atdhetarët e tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë e qarqeve shoviniste fqinje.

Më 1901-1902 ishte vënë në krye të qëndresës popullore në Kosovë kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi, Rusisë e Austro-Hungarisë në Shqipëri. Boletini ka udhëhequr luftëtarët në betejat e zhvilluara me ushtrinë turke në zonat Shtimlje-Carralevë më 1910, ka mbështetur kryengritjen antiosmane të vitit 1911, ka udhëhequr forcat kryengritëse në zonën e Drenicës, Mitrovicës, Podujevës dhe Prishtinës në vitin 1912. Gjatë Luftës Ballkanike në tetor 1912, ishte vënë në krye të çetave të armatosura vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pushtuesve serbë.

Lexo po ashtu:  Më ardhi në shtëpi Muzafer Xhaxhi-u, tha se më kërkon në klubin e Lidhjes Prof. Hasan Mekuli, i ardhur prej Kosove.

Në ditët e Pavarësisë, në krye të përfaqësuesve të Kosovës, ishte ndodhur përkrah Ismail Qemalit në Vlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar, së bashku me Ismail Qemalin ka shkuar në Londër, ku ka protestuar me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë.

Më vonë, Isa Boletini ka kaluar përsëri në Kosovë, ku ka organizuar qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë. Duke e kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, ai ka fituar autoritet të madh si udhëheqës popullor.

Isa Boletini e ka lidhur jetën e tij e të familjes me fatin e atdheut, dashurinë e besnikërinë ndaj të cilit e ka shprehur me fjalët “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”.

Isa Boletini më 23 janar 1916 ishte vrarë pabesisht nga xhandarmëria serbo-malazeze në Podgoricë, së bashku me të bijtë, Halilin dhe Zahidin, nipërit Jonuzin dhe Halitin, si dhe tre bashkëluftëtarë të tjerë.

Lexo po ashtu:  Sot kujtojmë botimin e “Alfabetares së gjuhës shqipe”, botuar më 27 shkurt 1897.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *