Administrata Trump i tërheq Universitetit të Harvardit lejen për të pranuar studentë ndërkombëtarë.
Një goditje e rëndë ndaj Universitetit të Harvardit nga administrata Trump
Masa e marrë shihet si një përshkallëzim i rëndësishëm në përpjekjet e administratës për të ushtruar presion ndaj universitetit prestigjioz që të përmbushe kërkesat e presidentit Donald Trump.
Ishte gazeta The New York Times që raportoi e para për vendimin, i cili më pas u konfirmua edhe nga Departamenti Amerikan për Siguri të Brendshme.
Sipas burimeve të gazetës, tre persona me njohuri mbi çështjen kanë pohuar se universiteti është njoftuar për këtë vendim. Ai vjen pas një periudhe debatesh mbi ligjshmërinë e një kërkese për dokumente që lidhen me një hetim të sigurisë së brendshme.
Përveç faktit që universitetit nuk i lejohet më të pranojë studentë të huaj të rinj, studentët aktualë ndërkombëtarë do të detyrohen të transferohen, sipas njoftimit të departamentit.
“Antisemitizëm dhe diskriminim racor”
Në një letër dërguar universitetit nga Kristi Noem, ministrja e sigurisë së brendshme në SHBA, thuhet:
“Po ju njoftoj se me efekt të menjëhershëm, leja për programet e studentëve dhe shkëmbimeve në Universitetin e Harvardit është tërhequr.”
Vetëm pak ditë më parë, Departamenti Amerikan i Shëndetësisë njoftoi për një shkurtim prej 60 milionë dollarësh në fondet federale për Harvardin, duke përmendur si arsye:
“mospërballimin e duhur të antisemitizmit dhe diskriminimit racor.”
Shkurtime të mëdha financiare
Rreth një javë më parë, administrata Trump bëri të ditur se tetë agjenci federale do të ndërpresin së bashku mbështetjen financiare prej 450 milionë dollarësh për universitetin.
Këto shkurtime vijnë përveç vendimit të mëparshëm për të ndërprerë 2,2 miliardë dollarë të tjerë në fonde federale, një masë e marrë më herët gjatë muajit.
Në javët e fundit, administrata e Trumpit ka rritur presionin ndaj universiteteve amerikane, duke kërcënuar se do t’u heqë fondet federale dhe përjashtimet tatimore nëse ato nuk i përshtaten axhendës së tij politike.