UP-ja nderon të kaluarën, teksa formëson të ardhmen: 30 vjet nga ndarja prej jetës e akademik Dervish Rozhajës
Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.
☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.Sot janë bërë 30 vjet nga dita e 23 gushtit 1996 kur në Prishtinë ndërroi jetë rektori i parë i Universitetit të Prishtinës, akademik Dervish Rozhaja. Ai lindi në Pejë në vitin 1934, ku edhe vijoi shkollën fillore, të mesmen e përfundoi në Gjakovë, ndërsa studimet themelore universitare në fushën e biologjisë i kreu në Fakultetin e Shkencave Natyrore të Universitetit të Beogradit.
Profesori dhe akademiku Rozhaja, jo vetëm që ishte rektori i parë i UP-së në vitet 1970 – 1973, por edhe doktori më i ri shkencave në ish-Jugosllavi, duke u promovuar që në moshën 24 vjeçare.

Nga viti 1960, profesori i njohur ligjëroi Fiziologjinë krahasuese në Katedrën e Biologjisë të Fakultetit të Shkencave Natyrore të Universitetit të Prishtinës. Në vitet 1968 – 1969 ishte edhe dekan i Fakultetit Filozofik. Rozhaja drejtoi edhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës në vitet 1982 – 1984.
Kur u zgjodh rektor i Universitetit të Prishtinës, në kohën e themelimit të institucionit të arsimit të lartë më të rëndësishëm të Kosovës e përtej, akademik Dervish Rozhaja mbajti fjalim edhe në Kuvendin e Kosovës. Ai në atë fjalim, qysh atëherë, konstatoi se shkenca nuk duhet të jetë e ndarë nga jeta, por duhet të jetë në shërbim të zhvillimit shoqëror.
Edhe pse jetoi në kohë të vështirë për popullin e Kosovës, kur bota ishte ndarë në dy blloqe të mëdha, akademik Dervish Rozhaja me dijen dhe përgatitjen e tij akademike ia doli të specializojë në të dy anët e „perdes së hekurt”: në Institutin Fiziologjik të Akademisë së Shkencave të ish BRSS-së në vitet 1962 – 1963, si dhe në Institutin Neurologjik të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos gjatë viteve 1973 – 1974.
Personalitetet si akademik Dervish Rozhaja dhe shumë të tjera figura ndihmuan në krijimin e një UP-je mbi themele të forta, që përtej sfidave garantojnë jetëgjatësi, vazhdimësi e fuqizim të vazhdueshëm të këtij institucioni.
Vitin e kaluar u shënua edhe 30 vjetori i ndarjes nga jeta edhe të akademik Gazmend Zajmit, i cili gjithashtu ishte edhe rektor i Universitetit të Prishtinës dhe kontribuues i denjë i zhvillimit shoqëror e shtetëror në Kosovë e përtej.
Për Universitetin e Prishtinës figurat e tilla mbresëlënëse të dijes, shkencës e organizimit institucional do të jenë frymëzim i vazhdueshëm për ecje përpara drejt një UP-je moderne në shekullin XXI, të hapur ndaj botës dhe mundësive dhe të gatshme ndaj sfidave të kohës.
https://uni-pr.edu/page.aspx?id=1,38,3992




