Nusret Azemi ka kujtuar protestën e përgjakshme të 15 vjetëve më parë, kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe Pakos së Ahtisaarit, ku u vranë aktivistët e Vetëvendosjes, Arben Xheladini dhe Mon Balaj.

“10 shkurtin e 2007-ës e kujtoj si betejë, sepse kam qenë edhe luftëtar i UÇK-së dhe s’ka pasë fare dallim nga dhuna dhe shkrepjet e armëve. Ka pasë edhe bomba me tym të verdhë dhe na kanë lëshuar edhe qentë. Ka qenë një tmerr. Kjo dhunë është shkaktuar nga policët rumunë të UNMIK-ut, nga ata të Ukrainës dhe nga disa policë të Republikës së Kosovës”, tha Azemi, për Klan Kosova.

Ai ka thënë se Mon Balaj ka vdekur në duart e tij, pikërisht në sheshin “Nënë Tereza”.

“Kemi filluar marshimin nga lagjja ‘Pejton’ dhe kur kemi ardhur lart kanë qenë barrikadat. Unë kam filluar të heqë barrikadat, por dhuna shpërtheu nga policët rumunë, të cilët kanë filluar të godasin me armë. Tërheqjen e kemi bërë shumë vështirë, derisa kur jemi futur në objekt Mon Balaj ka qenë me mua në një tavolinë duke mbajtë qepë [kundër gazit lotsjellës] dhe në atë moment ka hyrë brenda atëherë Shërbimi Policor i Kosovës, të cilët na kanë rrahur me shufra. Moni ka dalë i pari dhe ka kërcyer dhe Mon Balajn e rrok plumbi. Unë e kapa në duar dhe ia kam futur gishtat në gojë se po ngulfatej nga gjaku, por nuk e kam vërejtur plagën e madhe që e ka pasur prapa kokës. Pas 15 minutash, e dha amanetin edhe vdiq – ka vdekur këtu dhe jo në Shkup, qysh po thonë”.

Lexo po ashtu:  100 ditët që bënë historinë / 29 maj 1453: Dita kur një derë e hapur shkatërroi një perandori botërore

Azemi pretendon se ish-kolegu i tij aktivist është vrarë me një plumb që brenda ka pasur hekur.

“Mon Balaj e ka pasë një plumb më të vogël sesa ata të zinjtë, por brenda ka pasur hekur. Qat plumb e kam shti në xhep edhe i kam mbledhur edhe plumbat e tjerë nëpër tokë. Pas 10 minutash, kanë ardhur protestuesit e tjerë dhe e kanë marrë Mon Balajn”.

Ish-pjesëmarrësi i protestës së 10 shkurtit të 2007-ës pohon se Mon Balaj ia la një amanet, të cilin e tregon mes lotëve. ““Mos u ndalni vllazni, sepse pa e dhezë edhe një herë nuk ka shtet”. Atëherë s’jemi kanë shtet dhe protesta e Lëvizjes Vetëvendosje e ka pasë ndikimin e vet”, tregon Azemi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *