Shkrimtari Bardhyl Londo vdiq sot në moshën 74-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë.

Lajmi u bë i ditur nga akademiku Vasil Tole, i cili shprehet se “me hidhërim mësuam se zemra e mikut dhe shkrimtarit të shquar Bardhyl Londo sapo ndali. Një kaba përmetare po vajton për të”.

Akademia e Shkencave të Shqipërisë thekson se “ndarja e poetit Bardhyl Londo nga jeta është një humbje e madhe për bashkësinë e shkrimtarëve dhe artistëve, botën akademike, për familjen dhe te afërmit”.

Kryesia e Akademisë së Shkencave shprehu ngushëllimet dhe mbajti një minutë zi në sallën “Aleks Buda” para nisjes së veprimtarive të saj.

Bardhyl Londo është një ndër personazhet më me ndikim në historinë e poezisë shqipe. I lindur në Përmet në vitin 1948, ai do të zbulonte herët pasionin për letrat. Pas studimeve për Gjuhë dhe Letërsi shqipe, Londo do të niste fillimisht të punonte si mësues në qytetin e lindjes, për t’u zhvendosur më pas në Tiranë, pranë redaksisë së gazetës “Drita”. Që me botimin e librit të parë me poezi “Krisma dhe trëndafila” më 1975-n, Londo do të spikaste për ndjeshmërinë e vargut.

Në vitin 1981 ai boton librin “Hapa në rrugë”, ndërsa tre vjet më vonë, “Emrin e ka dashuri”. Londo është autor i shumë vargjeve për dashurinë në letërsinë shqipe, e kjo, ndoshta e bëri shumë shpejt një emër të dashur për lexuesin. Një tjetër poezi e njohur e tij është “Ura dhe brigjet”.

Lexo po ashtu:  Ekspertët të bindur: Marsi ka ujë, është ‘varrosur’ poshtë sipërfaqes

Përvoja në gazetën “Drita” një nga gazetat më me ndikim në botën letrare gjatë komunizmit, duket se ka mundur të shmangë keqkuptimet në të cilat u përfshinë këto vite në debate publike shumë personazhe të kohës. Duke ruajtur një profil neutral, Londo arriti të krijonte profilin e një poeti dhe intelektuali të shkëputur nga koha.

Ai ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve pikërisht në vitet e ndryshimit të sistemeve në vend, duke bërë kalimin nga një kohë në tjetrën, të një institucioni, që për gati gjysmë shekulli kishte qenë zëri i propagandës së komunizmit. Për gati një dekadë pas rënies së komunizmit, ai do t’i mungonte lexuesit, duke u rikthyer në vitin 2010 me librin me poezi “Shën shiu”.

Duket se liria e kishte bërë më të plotë poezinë e Londos, i cili rikthehej në dimensionin e plotë të tij. Megjithëse Londo hyn tek ata poetë që e kanë pranuar se “e kanë pasur jo të lehtë të punojnë pa censurën”. “Censura është futur aq thellë te ne sa është e pamundur ta shohim jashtë vetes”, do të shprehej ai.

Në vitin 2013 ai befason lexuesin duke ardhur për herë të parë me një libër në gjininë e prozës. Që me titullin “Jeta që na dhanë”, romani duket se paralajmëron një lloj reflektimi të shkrimtarit mbi kohën ku jetoi. Një roman gati autobiografik, sjell të gjitha shqetësimet e një shkrimtari mbi jetën në një sistem jo të lehtë siç ishte komunizmi, përpjekjet për të mbetur njeri, dhe sfidat e një kohe tjetër siç ishte pluralizmi. Londo ka rrëfyer gjithçka i veshur me lëkurën e një personazhi tjetër, duke lënë dëshminë e tij për kohën.

Lexo po ashtu:  Nëna ime vdiq, me të vdiqa edhe unë

Londo u përket intelektualëve që ndanë gjatë jetës së tyre dhe angazhimin në politikë.

Për shumë vite ai ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Shpesh politika ndihet dhe në vargjet e tij të vona, të fokusuara më shumë te sfidat me të cilat është përballur vendi. Kritik ndaj qëndrimeve që mbahen sot ndaj letërsisë së sociorealizmit, ai ka bërë shpesh thirrje se duhet ndarë figura e artistit nga qëndrimi i tij politik dhe për ta gjykuar letërsinë pa qëndrimet politike. Krijmtaria e tij letrare përfshin 8 vëllime me poezi si edhe disa romane. Londo është fitues i çmimit “Migjeni”.

Meta: Bardhyl Londo do të kujtohet përherë për vargjet frymëzuese që la trashëgim

Presidenti Ilir Meta shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të poetit dhe shkrimtarit të njohur, Bardhyl Londo.

“Me shumë trishtim mësova lajmin për ndarjen nga jeta të poetit dhe shkrimtarit të njohur, Bardhyl Londo, intelektualit aktiv dhe ish-deputetit të Partisë Demokratike. Një humbje e pazëvendësueshme për familjen, miqtë, kolegët dhe letërsinë shqiptare, ku spikati me talentin e tij të veçantë”, theksoi Meta.

Meta tha se “Bardhyl Londo do kujtohet përherë me respekt, veçanërisht për vargjet frymëzuese që na la trashëgim të gjithëve”.

Lexo po ashtu:  Një histori e bukur nga kryeministri anglez Winston Churchill

Basha: Bardhyl Londo, frymëzues i shumë brezave

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Bardhyl Londo, duke theksuar se “Londo i përket atij brezi intelektualësh shqiptarë që talentin dhe identitetin e tyre kulturor e lidhën fort me fatet e vendit dhe shoqërisë shqiptare”.

“Poeti i njohur la pas vepra dhe vlera si rrallëkush këto 30 vite në demokraci. Ishte fat për mua ta kisha pranë dhe përgjatë muajve të fundit të shkëmbeja me të ide dhe mendime të një diapazoni të gjerë siç dinte veç ai. Ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm si deputet, anëtar Kryesie, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike”, tha Basha.

Kreu i PD-së theksoi se “Bardhyl Londo ishte frymëzuesi i madh i ndryshimit në vitin 1990 dhe poezitë e tij për demokracinë ishin refren i shumë shesheve ku u zhvilluan mitingjet e para të Partisë Demokratike. Ai vazhdoi të ishte krijues i talentuar, intelektual i angazhuar dhe një veprimtar i rëndësishëm i Partisë Demokratike deri në fund të jetës së tij. Largimi i tij është një humbje e madhe jo veç për familjen e tij por dhe për kulturën, artin dhe politikën shqiptare”.

“Me ikjen e tij, Shqipëria ka humbur prej qytetarisë dhe urtësisë se tij një zë që dëgjohej me respekt. Familja ka humbur bashkëshortin, babain dhe shtyllën e urtë të saj”, tha Basha./atsh/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *