Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç reagoi ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim të përshpejtuar në NATO duke thënë se kjo nuk është ide e shqiptarëve nga Kosova, por e lobistëve të tyre nga SHBA-ja dhe Bashkimi Europian.

“Kërkesa e Kosovës për përshpejtimin e integrimit të saj në NATO është një ide e lobistëve të BE-së dhe SHBA-së, që synon t’u bëjë presion anëtarëve të NATO-s që nuk e njohin Kosovën, për ta bërë këtë”, shprehet presidenti serb Vuçiç.

Vuçiç shton se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Spanja do të çonte në rritjen e presionit ekstrem ndaj Serbisë, që edhe ajo ta ndërmarrë këtë hap. Megjithatë, në deklaratën e tij, presidenti serb është zotuar sërish se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën, pavarësisht dialogut të vazhdueshëm që po zhvillon me të që nga viti 2011.

“Pavarësisht të gjitha presioneve dhe shantazheve, pavarësisht se çfarë mendon kushdo, Serbia do ta ruajë integritetin e saj territorial”, tha Vuçiç.

Të dielën, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, kërkoi anëtarësimin e përshpejtuar në NATO dhe një bazë të përhershme ushtarake amerikane në territorin e saj pas pushtimit rus të Ukrainës. Përveç kësaj, Mehaj bëri thirrje që vendet, të cilat ende nuk e kanë bërë, të njohin pavarësinë e Kosovës. Shtetet e Bashkuara kanë një bazë ushtarake në Kosovë në Kampin Bondsteel, i cili është nën komandën e Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR). Për më tepër, SHBA ka aktualisht 635 ushtarë të angazhuar në vend.

Lexo po ashtu:  FMN i jep 1 miliard dollarë qeverisë së Lukashenkos

Kujtojmë se më 25 shkurt, Kosova iu bashkua BE-së në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë. Po ashtu, zyrtarë të Kosovës kanë ngritur alarmin se kriza në Ukrainë mund të përhapet në Ballkanin Perëndimor përmes Serbisë, aleatit kryesor të Rusisë në rajon. Së bashku me Bjellorusinë, Serbia është i vetmi vend në Evropë që refuzon të dënojë pushtimin rus të Ukrainës ose të vendosë sanksione, pavarësisht pritshmërive që ka si një vend kandidat për në BE.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *