Ish-kryeministri Sali Berisha ka përcjellë sot përmes një postimi në rrjetet sociale shqetësimin e tij për largimin nga News24 të dy gazetarëve që drejtojnë emisione të ndryshme. Adi Krastës dhe Ylli Rakipit. Shumëkush mund të pyesë se pse duhet që një politikan të ndërhyjë në zhvillimet mediatike në vend, duke qenë se ai median e ka vetëm si ndërmjetës të marrëdhënieve të veta me opinionin publik. Por kur lexon interepretimin e z. Berisha kupton menjëherë se lëvizjet në fjalë ish-kryeministri i shikon si konspiracion të qeverisë, konkretisht kryeministrit Edi Rama ndaj dy gazetarëve që ai i quan sit ë pablerë, opozitarë etj..

Pak ditë më parë, z. Berisha përcillte përmes Facebook një denoncim të gazetarit dixhital nga Top-Channel të cilët i shpjegonin gjerë e gjatë ish-kryeministrit hallet e Top-Medias me shkarkime, lëvizje etj., shpjegime që përkonin me intepretimin e preferuar të z. Berisha që sallatën e Topit po e bën Ben Blushi. Halli kryesor i Doktor Berishës patjtër që është Digitalbi, i cili ka ardhur në vëmendjen e tij krejt papritur dhe për arsye që nuk kuptohen. Mos vallë z. Berisha e kalon kohën duke parë kanalet e platformës dhe ka vënë re ndonjë luhatje cilësie? Me gjasë jo. Zoti Berisha është njeri që nuk ka kohë për gjëra të tilla. Ai shfaqet në këtë rol të ri si një shartim mes auditit të jashtëm të tipit Deloite Touche dhe një zyrtari me përvojë në AMA, për të dhënë sqarime apo këshilla që nuk ja kërkon kush. Publikisht kuptohet.

Por le të kthehemi të shqetësimi i z. Berisha për dy gazetarët në fjalë. Sipas tij largimet në fjalë janë pjesë e paranojës dhe projekteve skizoide të z. Rama. Edhe nëse është kështu, z. Berisha nuk flet për anën tjetër të medaljes. Nëse media dhe këta gazetarë e paskan bërë kaq mirë punën e tyre saqë e kanë bërë me dhimbje koke qeverinë, pse nuk ka funksionuar ndryshimi politik?

Dhe tjetra: përpara sesa njerëz si z. Berisha dhe sidomos bufoni I opozitës, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, të kërkojë llogari për qëndrimet apo zhvillimet në media, e kanë bërë pyetjen ndaj vetes: po ata vetë e kanë bërë detyrën që përfaqësojnë?

Media ka zbuluar dhe publikuar skandale të shumta, ka arritur të krijojë klimë opozitarizmi. Por gjërat nuk kanë ndryshuar dhe për këtë përveç arsyeve të shumta ndikon edhe një arsye themelore: këto aspekte opozita e z. Basha dhe Berisha i ka përdorur vetëm për të rritur pazarin e vet me pushtetin. Për asgjë më shumë. Premtimet për revolucion dhe përmbysje i mori era bashkë me presidentin shëtitës që sot kërcënohet me mbyllje guroresh. Sinkronizmi mes mediave opozitare dhe opozitës zhbëhet sa hap e mbyll sytë kur z. Basha i shfaqet diellit të mëngjesit me sigurinë e pazareve që nuk i përgënjeshtron dot më asgjë.

Ndaj ky meraku i PD-së dhe njerëzve të saj për gazetarë që ikin, hyjnë e dalin nga njëri televizion në tjetrin nuk ka të bëjë me lirinë e medias. Por me aksionet e veta në ekrane të ndryshme përmes të cilave kërkon të riprodhojë mesazhe politike, t’i amplifikojë ato për shkak se pak kush e beson këtë opozitë.

Në fund duhet shtuar edhe aspekt imoral nga z. Berisha. Ishte ai që ia mbylli gazetën z. Rakipi me tatimorët e Ridvan Bodes, ndërkohë që është po ky zotëri që e cilësonte Opinionin e Tv Klan një dritare papgajsh të qeverisë kurse sot e konsideron minare të lirisë së mendimit. Sigurisht që njeriu është i lirë të shkruajë çfarë të dojë në murin e vet të Facebook, por njerëzia ka veshë dhe sy dhe memorie që të mbajë mend se as opozita dhe as qeveria nuk e duan media për atë që përfaqëson. Kjo është e qartë si drita e diellit. – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën e pavarur “MekuliPress”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *