Zoti Kryeministër, kontrolli i informacionit rrezikon proceset demokratike

Gëzim Mekuli

Nuk është asgjë e re të thuhet se ata që kanë qasje në opinionin politik janë grupe të fuqishme elite në shoqëri. E re është se mediat kanë krijuar një opinion politik me dimensione tërësisht të reja.

Pse e them këtë e përse mendoj kështu?
Sipas sociologut francez Pierre Bourdieu në çdo shoqëri gjendet e ashtuquajtura “Hapësirë doksike”.

Fjala « doxa» është huazuar nga greqishtja, e që do të thotë “jo politike”, “jo e diskutueshme” ose “mendim i përkryer dhe i përfunduar” . Paçka, “hapësirë doksike” do të thotë kur një shoqëri nuk shtron pyetje, nuk kërkon llogari mbi mendimet/idetë dhe proceset politike. Sipas kësaj shoqërie këto procese konsiderohen si të “përkryera”; Këto kuptohen, si “normale” dhe si diçka “të natyrshme”.

Brenda “hapësirës doksike” mund të ketë edhe debate, por ky debat, para së gjithash, është “ortodoks”. Pra debati do të vetëkufizohet brenda kornizave, të cilat, po ashtu, konsiderohen si “korniza të përkryera”. Sipas filozofit Bourdieu, në këto shoqëri mund të ketë debate heterodokse, pra do të studioheshin çështje e analiza fondamentale për shoqërinë. Por fuqi të mëdha, politike dhe ekonomike, menjëherë do të angazhohen që ta kundërshtojnë këtë debat heterodoks, dhe mundësisht ta mbajnë të gjallë “hapësirën doksike”.

Zakonisht klasa e shtypur ka interes që ta përkufizoi dhe ta ligështoje “hapësirën doksike” dhe është e interesuar që të zbulojë se çka është duke u zhvilluar në shoqëri. Ndërkaq, klasa dominuese ka interesa që ta mbrojë integritetin e hapësirës doksike, ose, po që se nuk është e mundur kjo, të paktën, të zëvendësojë dhe ta favorizoi debatin ortodoks, (debatin “më pak të rrezikshëm”), në vend të debatit heterodoks.

Lexo po ashtu:  Tetë gazetarë të BBC-së: Rrjeti ynë po mbron Izraelin në konfliktin aktual

Pareshtur, pushtetet në Tiranë e në Prishtinë, janë duke tentuar, që në hapësirën publike të kombit shqiptar, të krijojnë “hapësirën doksike”; pra “mendimin e padiskutueshëm” ose “mendim e përkryer e të përfunduar”. Dhe ky «mendim i përkryer» e «i përfunduar» çimentohet përmes kontrollit të informacionit.

”Detyrë e mediave” është që të përforcojnë konsensusin politik që tashmë është krijuar dhe formësuar.

Kontrolli i informacionit, brenda kontekstit te shtypit përcaktohet si kontroll i pushtet ndaj mediave. Tentativa për të bërë lojale shkrimet dhe publikimet ndaj politikave në fuqi, si dhe ndalimi, fshirja e përmbajtjes se ndonjë artikulli, komenti apo lajmi, është veçori karakteristike për kontrolluesit e informacionit: Ja për shembull sapo e kuptuam se Qeveria e Edi Ramës, pasi që i «kishte vënë nën vrojtim e nën ligj» të gjitha bizneset në Shqipëri, tanimë kishte drejtuar shigjetat edhe ke mediat elektronike shqipe. Pra, për mosaftësitë, korrupsionin dhe për dështimet në proceset politike, kulturore dhe ekonomike të pushteteve, tani tentohet të shpiket e të fabrikohet “fajtori i dështimeve”. E ky “fajtor”, sipas Edi Ramës sot, e sipas Sali Berishës dje, gjendet në mediat e paregjistruara shqipe…!

Çfarë rastësie. Mu këtë strategji mediale e censuruese e përdorte regjimi jugosllav dje, dhe regjimi i pushteteve të UNMIK-ut të pasluftës, e deri më sot në Prishtinë: Edhe këta sundues e këta feudalë, akuzonin shtypin, radion dhe televizionin në gjuhen shqipe, se «po indoktrinojnë dhe po e dezinformojnë rininë shqiptare me elemente nacionaliste, irredentiste e shoviniste.

Lexo po ashtu:  Mbi 272 paisje Antminer, janë konfiskuar në Mitrovicë të Veriut

“S’kanë çfarë t’i bëjnë gomarit, e i bien samarit…!”

Studimet rreth ndikimit të mediave në qëndrimet dhe opinionet e një populli kanë qenë një ndër debatet më të diskutueshme në historinë e sociologjisë mediale. Përgjithësisht hulumtimet shkencore mbi fuqinë mediale, e në veçanti ndikimit të tyre në qëndrime, kanë kaluar nëpër dy etapa:
Studimi i vjetër në shkencat e komunikimit, i kryer para Luftës së Dytë Botërore, vinte në përfundim se mediat ishin të plotfuqishme, Studimet e bëra pas Luftës së Dytë Botërore ku vërtetohet se fuqia mediale është e kufizuar.

Prandaj mendoj se tentimi për të kontrolluar informacionin, tentimi për të shpërndarë këtë të tillë, si dhe tentimi për të bërë përforcimin e opinioneve politike me karakter ideologjik, janë që më parë të dështuara.

Ja përse:
Së pari: Mediat veprojnë si “vërtetuese” dhe si “pohuese” të qëndrimeve e opinioneve të cilat tashmë ekzistojnë në një popull. Shumë rrallë mediat veprojnë si ndryshuese të qëndrimeve/opinioneve ekzistuese. (Klapper 1987, Kap. II)

Arsyeja se pse mediat veprojnë në këtë mënyre është se, mediat nuk veprojnë të izoluara në shoqëri. Është për tu cuditur se si Kryeministrat e institucionet feudaliste, të instaluara në Prishtinë e në Tiranë, nuk i marrin në konsideratë proceset shkencore e sociologjike të formimit të një shoqërie. Mediat nuk kanë mundësi të “çimentojnë” apo të ndalojnë proceset sociale e politike. Këto janë prodhim i statusit dhe gjendjes në të cilën kalon dhe gjendet shoqëria dhe kombi. Lajmi dhe informacioni i eksponohet mediave në mënyre selektive, kjo do të thotë se këto media kërkojnë lajmin që iu përshtatet redaksisë së tyre, e jo të pushteteve kolonialiste e neokolonialiste.

Lexo po ashtu:  Irani ekzekuton me varje gazetarin që frymëzoi protestat e 2017-s

Së dyti: Mediat, megjithatë, kontribuojnë si ndryshuese të qëndrimeve dhe opinioneve, të cilat, tashmë ekzistojnë. Por këtu bëhet fjalë për ndryshime të vogla. Pra, mediat mund të ndryshojnë qëndrimet. Mirëpo, nëse vjen deri tek ndryshimi i qëndrimeve/mendimeve, atëherë, këtu mund të flitet se, këto qëndrime/mendime nuk funksionojnë si duhet.

Së treti: Mediat konsiderohen të jenë shumë efektive në ndërtimin e qëndrimeve/opinioneve te reja. Dhe kjo për faktin pasi që shoqëria, paraprakisht, nuk ka ndonjë mendim apo qëndrim; është “mendimzbrazët”.

Aty ku më parë nuk ka ndonjë qëndrim/opinion për një zgjidhje politike, ekonomike etj., mediat janë shumë efektive në “vaksinimin” e mëvonshëm të qëndrimeve/mendimeve: Mungesa e qëndrimeve/ideve sjellë që mediat të jenë efektive në strukturimin e ndodhive.

Shkurt e shqip: Mediave shqiptare, si në të kaluarën, po u imponohet “detyrimi dhe obligimi” ndaj politikave ditore. Edhe sot, si më parë, idetë liberale të lirisë dhe pavarësisë së shtypit refuzohen, dhunohen e ndalohen. Edhe sot kërkohet të drejtohet dhe të kontrollohet forma dhe përmbajtja e informimit dhe lajmit shqip. Pa dyshim, mediat shqipe kanë edhe mëkatet e tyre: Këtë fenomen ka vite, që përmes analizave mbi mediat, edhe e kam kritikuar dhe gjykuar.
Por sot shtrohet një pyetje e madhe: A mos janë duke u gjykuar dhe dënuar në panik mediat shqiptare në përgjithësi?

/Kjo kritikë është botuar tek Shekulli, datë 17.10. 2018/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *