Esad Mekuli lindi ne Plavë më 17 dhjetor të vitit 1916. Ishte poet dhe përkthyes shqiptar. Më 1949 themeloi revistën letrare “Jeta e re”, kryeredaktor i së cilës ishte deri më 1971. Ai kreu doktoraturën në Beograd më 1959.
Esad Mekuli shkruante me tre emra: Esad Mekuli, Esad Hoxha dhe Sat Nokshiqi. Kjo kishte një kuptim: origjinën, kulturën dhe literaturën. Por kurrë pa e lëkundur Esad Mekulin krijues, Esad Mekulin poet, Esad Mekulin mësues dhe prijës të letërsisë shqipe të pasluftës, shkruan MekuliPress.com
Esad Mekuli është poeti i parë shqiptarë dhe më i njohur i Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore. Ai lindi në Plavë, më 17 dhjetor 1916 dhe vdiq në Prishtinë më 1993. Familja e tij në Plavë kishte ardhë nga Nokshiqi. Babi i Esad Mekulit, edhepse ishte hoxhë, fëmijët e tij i orientoi në shkollim jofetar. Esad Mekuli, shkollën fillore e kreu në Plavë, në gjuhën serbe. Shkollimin e mesëm-gjimnazin e filloi në Pejë, për ta vazhduar pastaj në Prizren e Sarajevë, ndërsa e përfundoi në Pejë në vitin 1936. Menjëherë pas kryerjes së shkollimit të mesëm u regjistrua në fakultetin e veterinarisë në Universitetin e Beogradit, të cilin e vazhdoi në pastaj në Zagreb e në Italia. Në këtë fushë, ai edhe doktoroi në Beograd në vitin 1959. Si nxënës i shkollës së mesme, por edhe si student dëshmoi se është përparimtar dhe çdo herë gjendej në rrethin e atyre që e kritikonin regjimin e kohës. Pikërisht për këtë ai ndërroi shumë shkolla të mesme dhe fakultete. Madje edhe mjaft shpesh u burgos. Tri herë është burgosur, dhe ka rënë në duar të famëkeqit Kosmajc-shef i policisë. Më së vështiri e ka pasë kur ka kundërshtuar traktin për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi. Esad Mekuli ishte aktivist i dalluar dhe bartës i jetës kulturore të studentëve.
Në Beograd ishte edhe redaktor i fletorës Beogradski student. Në këtë sferë siç ka thënë vetë, si gjimnazist ka shkruar romanin Vendeta – hakmarrja, për të damkosë këtë të keqe në mesin e shqiptarëve. Pastaj ka shkruar punime sociale në revistat e ndryshme, si: Venac – Beograd, Mlladost – Zagreb, Podmladak jadranske Staze – Split, Granit – Podgoricë, Novi Behar – Sarajevë, Student – Beograd e të tjera. Në këto revista ka shkruar në gjuhën serbe, dhe çdo herë ka shkruar për popullin e vet – shqiptarët, të cilët i ka mbrojtur kur të tjerët i kanë akuzuar. Si student përparimtar ai u burgos në vitin 1940 dhe qëndroi në burgun famëkeq “Gllavinjaqa”, prej nga u amnistua me 2 prill të vitit 1941. Pas daljes nga burgu u paraqit vullnetar dhe punoi si veterinar ushtarak në Pejë. Këtu në vitin 1942 e burgosën për shkak të punës ilegale dhe bashkëpunimit me lëvizjet çlirimtare. Ka qëndruar i burgosur në Kullën e Sheremetit. Pas lirimit, ai u gjend herë në Zagreb, herë në Tiranë, madje edhe në Itali. Në fund të vitit 1943 ai i bashkua aradhave partizane dhe ishte redaktor i gazetës ilegale partizane Lirija.
Edhepse shkencëtar, Esad Mekuli, punës krijuese nuk iu nda kurrë. Ai pas Luftës së Dytë Botërore, punoi punë të profesionit të vet, por ishte edhe redaktor në gazetën e vetme shqipe Rilindja e pastaj themeloi revistën letrare Jeta e Re ku arsimoi gjenerata të tëra të letrarëve, të cilët edhe e pagëzuan bard të letërsisë shqipe në Kosovë e më gjërë. Megjithatë, edhe vetë shkroi dhe bashkëpunoi me shumë gazeta e revista shqipe, si: Rilindja, Zëri i rinisë, Fjala, Pionieri, Përparimi, Shëndeti në Prishtinë, Flaka e vëllazërimit të Shkupit dhe me ato në gjuhën serbe: Jedinstvo e Stremljenje të Prishtinës, Borba, Politika, Književne novine, Mostovi të Beogradit, Pobjeda dhe Stvarenje të Pdgoricës, Bagdalla të Krushevcit, Republika dhe Forum të Zagrebit.
Esad Mekuli ishte kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, nismëtar, themelues dhe kryetar i parë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Pos shkrimeve kryesisht në poezi, Esad Mekuli ka përkthyer nga gjuha shqipe në ate serbe dhe anasjelltas. Esad Mekuli ka meritë të veçantë për botimin e tregimeve dhe romanit, “Gjarpijt e gjakut” të Adem Demaçit, në revisten letrate “Jeta e Re”, të cilën e kishte redaktuar për shumë kohë.
Ka përkthyer në shqip rreth 18 vepra të të gjitha gjinive lerare. Poezitë e Esad Mekulit janë përkthyer në gjuhën serbe, maqedone, hungareze, kroate, italiane e të tjera. Punimet e tij janë prezantuar në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe, por edhe në shumë antologji botërore. Esad Mekuli ka shkruar edhe me pseudonimet Sat Nokshiqi dhe Sat Hoxha.
Vdiq në Prishtinë me 6 gusht 1993.
Për ty – Prishtinë, 1955
Dita e re – Prishtinë, 1966
Avsha Ada – 1971
Vjersha – 1973
Brigjet – 1981
Rini e kuqe – Prishtinë, 1984
Në mes të dashurisë dhe urrejtjes – Tiranë, 1986
Dita që nuk shuhet – Prishtinë, 1989. Prishtinë.
Popullit Tim
Deshta, shum’ kam dasht-dishrue
që me këng të trimnoj, me fjalen tënde të ndrydhun
të ngrej fuqitë prej gjumit…
Këndova (dhe kur m’ishte ndalue)
se liria do të vinte edhe për ty, të përbuzun.
Këndova mbi ditët fatlume që do të lindshin, pa dhun,
n’agimin e lirisë për ty me popujt këtu e ngjeti,
mbi forc të bashkimit mbarë:
mbi vrullin tand të mëshehun
-unë, biri yt dhe-poeti.
Po! N’errsinën e shtypjes së randë sa shkambi,
ndëgjova thirrjet që të bana me dal n’dritë-
pse për liri-me tjerë
ke dhanë dhe ti
djers e gjak si etnit.
Kam dhanë, i dashtun…Dhe sot, në liri-
kur thembra e gjaksorit s’na shkel dhe dora pa
pranga mbeti,
me ty këndoj mbi fuqinë e ngjadhun nën yllin që na pri’
-unë, biri yt besnik dhe-poeti.
SHQIPTARI KENDON
Shekujt mbi ne
e në ne
e mbushen jeten plot vnere*-
qe pezm,
e zjarri kryengrites
nder zmerat tona m’u ngri,
qe njeriu mos te jete-njeri:
emri te na zhduket perhere.
Qeme-o njerez po robe;
pa buke, liri n’usdaje,
ne vatren tone
pa shtepi
ne plangun tone
argatare!
Qeme-
turq, dreqen me bishta,
qeme-raje
qe t’hiqet ne vargoj
te mjerimit
te perbuzur-shiftare**!
qeme…
por koha-lufte
sheron varret cdo dite:
mbas nates se erret
te shekujve-
hap krahet koha e re…
Po, jemi gjalle!
Dielli dhe per ne shnderit…
MBRAMJA
Si tufa mëndafshi t’artë në të kaltërten shami,
n’mes dy duersh t’bardha, dy kodra në borë-
flakron përëndimi…Retë mbi krye prorë
ngasin nëpër qiell dhe zhduken n’hapsi.
…Dhe drita e mbrame shuhet mbi çdo sukë:
cipa e natës shtrihet mbi fushat e përhime,
malet heshtin n’errësi si me qenë të ngrime,
si të humbet jeta-xho gja u nxi, u zhduk.
N’ajri ndihen klithmat e natës që ra-
drujt pran rrugës era i përkund…
Ndërsa drita e bardh, e tretun dikund,
shigjeta të flakta mpreh errësinës me i ra.
Terri sundon botën. Katundet e shtrime
në mes të natës prehen n’lugin me andrrime.