MEDIAT DHE POLITIKA
Gèzim Mekuli*, Oslo
Shumë fenomene politike, shoqërore e kulturore-historike, shqiptari, më mirë është të mos i shofë, të mos i kuptojë e as t’i dëgjojë. Politikat tona nuk janë transparente, varfëria mbulohet; kultura dhe historia shqiptare, poashtu, mbulohet me pëlhurë. (Rasti i muraleve me motive shqiptare në Parlamentin e Kosovës) Historia çimentizohet, fabrikohet e konzervohet, si nga UNMIK-u e po shtu dhe nga shërbëtorët e tyre.

Shtrohet pyetja e madhe? Ka guxim gazetaria jonë të kritikoj këto veprime jo demokratike e shkombtarizuese të politikave të UNMIK-ut?

Gazetarisë shqiptare në Kosovë i është imponuar e shtuar një kufi ideologjik; respektivisht, ndalimpublikimi dhe ndalimtransportimi i lajmit dhe proceseve politike e diplomatike që në thelb e si porosi kanë kritikën ndaj politikës ngatërruese të UNMIK-ut; si dhe institucioneve e politikave që këta i favorizojnë e ndihmojnë.
Politikat e UNMIK-ut, që “mbollën” kufirin ideologjik të gazetarisë, duan që ta kenë këtë situatë politike nën kontroll sa me gjatë. Dhe mundësisht t’a bëjë të pacenueshëm, të pakritikueshëm, të pakalueshëm e mbi te gjitha të frikshëm.
Gazetari dhe gazetarja shqiptare, mund të shkruaj, të artikulojë e të filmoj “diçka” por, jo me zë aq “të lartë”.
Mirëpo a është kjo demokratike?
Demokraci është që të keshë mundësi ekonomike, liri politike e siguri sociale, që të krijosh e transmetosh mendimin dhe porosinë politike, ekonomike e kulturore pa frikë dhe pa censurë. Opinionet, mendimet dhe porositë do të duhej t’i përpunojmë, avancojmë, e konkretizojmë pa presionin juridik, politik dhe ekonomik. Opinioni publik shqiptar kërkon lajme jo të përpunuara, jo partiakisht të përzgjedhura dhe ideologjikisht nga UNMIK-u të ngjyrosura.
Detyrimisht shoqëria jonë ka nevojë për informacion e komunikim; pra, për të ashtuquajturit gazetarë e gazetare.
Konsumuesit e prodhimeve mediale lexojnë komente (të shkruar nga gazetarët) dhe kështu “infektohen” me qëndrimet dhe pozitat politike, sociale e kulturore të vet gazetarit. Kështu, pavetëdijshmëm, lexuesi i lajmit lexon vetëm qëndrimet e gazetarit, dhe kjo shpie kah ajo që opinioni publik, detyrimisht, ta pranojë nivelin dhe pozitën formuluese të gazetarit; si mendim, lajm, ide ose informacion të „përkryer objektiv”. Nga kjo rrjedhë përgjegjësia titanike që bie në supet dhe moralin e gazetarëve.
Ka dy mundësi:

1.Gazetarja/Gazetari është i vetëdijshëm për përgjegjësinë e madhe që ka ndaj shoqërisë; pra, respekton këtë përgjegjësi.

2. Gazetarja/Gazetari, vetëdijshëm, shfrytëzon këtë përgjegjësi të shumë-madhe që idetë, mendimet, opinionet e tij (jo rrallë edhe partiake) t’ia imponojë opinionit publik. Këta janë „mendjebërës” apo më mirë të them “mendjezhbërës”.
Dhe kësi lloj „mendje(zh)bërësa” ka shumë, të mos themi, tepër shumë në shtëpitë “tona” mediale. E tërë kjo sot po mbulohet nën të ashtuquajturën ligjin mbi „lirinë e shtypit”. Liria e shypit, kjo e drejtë universale, jo rrallë, keqpërdoret për qëllime propagandistike, “mendimpërpunimi” si dhe për përbaltimin e personave dhe grupeve të ndryshme të shoqërisë sonë. Për një ballkanas “gjysmë të edukuar”, e posaçërisht për një shqiptar, me telashe e halle shumë, lind pyetja: Përse kështu?
Lakmia për pushtet e për “lek”.
Dihet, paraja qeverisë botën, e kështu edhe mediat. Ka media që jetojnë e veprojnë, vetëm, për qëllime kulturore; kultivimin e kulturës, gjuhës dhe traditave kombëtare.
Por mund të themi se gjendja e tyre, (ekonomike), është e mjerë dhe për të ardhur keq. Ka shtëpi mediale që u ndihmuan dhe ndihmohen, financiarisht e profesionalisht, nga donatorët ndërkombëtarë. Dhe kjo është për t’u përshëndetur. Por këtu del pyetja: Sa mund të kritikojë një shtëpi mediale (apo një gazetar )ata padronë e organizata që e ndihmuan atë të themelohet e të ekzistojë si medium e si gazetarë? Dhe nëse ky medium ka guximin t’a kritikojnë këta, atëherë shtrohet pyetja: deri në ç’ shkallë mund të shkojë kritika e kësaj gazetarie..?
R E T R O S P E K T I V Ë

Situata mediale në RF Gjermane pas Luftës II Botërore.

Tentim nivelizimi i politikës së shqiptarëve të Kosovës me politikën naciste.
Plani i shtabit qëndror ushtarak anglo-amerikan në lidhje me rregullimin e mediave masive gjermane orientohej në tri faza. Pas kapitullimit të fashizmit gjerman dhe futjes së armatës së aleancës në tokën gjermane, aleanca urdhëroi që të gjitha mediat gjermane të ndërpresin punën e tyre informative (Çfarë ishte edhe veprim i drejtë moral e politik).
Ky vendim u morr më 24 nëntor të vitit 1944. Gjatë fazës kalimtare ishin aleatët ata që ishin të “detyruar” që nëpërmes fletushkave informative të sigurojnë informacione për opininion e helmuar gjerman. Vite më vonë do të lejohen që prodhues dhe selektorë të lajmeve për opinionin publik të vendit të jenë vetë gjermanët, (gjithsesi duke qenë nën monitorizim të rreptë të fuqive evro-amerikane). Ishte një unitet dhe pajtim i plotë në mesin e aleances që të ndalohet puna jo vetëm e organeve të shtypit nacionalsocialist, (shtyp që ushqej makinerinë ushtarake e shpirtin gjerman për të bërë gjenocid të paparë mbi njeriun), por edhe i tërë shtypi që ekzistonte që para vitit 1945. Pra, edhe të shtypit të para vitit 1933… Politikat, strategjitë dhe vendimet e aleancës ishin vendosur në konferencën e Potsdamit.
Në dokumentin përfundimtar të 2 gushtit 1945, fuqitë ngadhënjimtare formuluan dokumentin rreth qëllimeve dhe planeve të tyre demokratike:
a) Të politikës së sigurisë: denacificikimi dhe marrja e masave serioze në rast të ndonjë revanshimi të mundshëm të politikës gjermane;
b) Të politikës ekonomike: çështja e riparimit dhe riaftësimit të ekonomisë gjermane;
c) Të jetës politiko-shoqërore: instalimi i një shoqërie demokratike, toleruese e jo ekspansioniste.
Është mëse e qartë se mediat si transportuese dhe ndërmjetësuese informative ishin në fokus të interesave të aleancës, dhe jo rastësisht në dokumentin e Postdamit, ato kishin një rol të rëndësishëm. Një ndër kushtet për “rindërtimin” e gazetave të reja, sipas modelit anglo-amerikan, ishte “rimësimi”, respektivisht, “riedukimi i shpirtit” të gazetarëve gjermanë. Britanikët p.sh. kërkonin nga sistemi i gazetarisë së re gjermane që shërbimi profesional dhe oferta objektive të ketë vendin e vet dhe të jetë mbizotëruese absolute e një lajmi. Jo opinion subjektiv i një gazetari.

Në “Standig Directive NO.1” të 20 korrik 1945 thuhet: “Gazeta duhet të jetë një “forum i përgjithshëm”. Lajmi dhe komenti duhet të dallohen, të ndahen nga njëri-tjetri. Të mënjanohet dhe të dënohet ndërtimi i reportazheve tendencioze, luftënxitëse e naciste.” Aleanca perëndimore dëshironte para së gjithash të bënte një “reklamë për demokracinë”, e që në mendjen e tyre kjo do të thoshte që Gjermania duhej të rikyçej në një shoqëri evropiane të shëndoshë e demokratike. Qëllimi fundamental i shtypit dhe politikës informative evroperëndimore ishte që “shpirtin” gjerman, me kuptimin e plotë të fjalës ta “rikrijojë dhe pastrojë” dhe jo ta argëtojë (“edutainment”). Riedukimi i gjermanëve të pas Luftës II Botërore, sipas aleancës perëndimore mund të përfshihet në katër D-tëDemilitarizim, Decentralizim, Denacifizim dhe Demokratizim.

S O T
Situata mediale e pasluftës në Kosovë
Mediat, veçanërisht në Kosovë, kanë nevojë për ndihmë profesionale, morale dhe ekonomike. Por, vetëvetiu lind një pyetje: Pse gjithë ky presion politik/ideologjik e ekonomik mbi mediat shqiptare në Kosovë!? Pse turret UNMIK-u me aq fuqi mbi këto? Përse tentohet që të bëhet një „riedukim” dhe një “rikrijim” i popullit shqiptar!?
Përse dënohet media që tenton të zbulojë e të ndihmojë në zbardhjen e atyre policëve, ushtarakëve e civilëve serbë, që vranë e bënë gjenocid në Kosovë. Përse lejohet, përkrahet, dhe djallëzisht, ndihmohet tensionimi, artificial, i ambientit politik në Kosovë? Përse nuk thuhet e vërteta rreth zgjidhjes politike të Kosovës, dhe roli i UNMIK-ut në këto raste…?
Cili është roli i politikave mediale ndërkombëtare, në Kosovë?

Prat ë gjtiha këto janë pyetje që kërkojnë pergjigje të shpejtë dhe pa emocione. Ishte propaganda Goebelsiane e qeverisë serbe, ajo që nxiti qënien dhe energjinë ushtarake serbe për të marshuar në Kosovë. Ishte dhe akoma (sot fakteqësisht) është media, intelegjenca dhe politika serbe, ajo që në shekullin XX përsëriti kampin fashist, në territorin e ish-Jugosllavisë.

Ishin mediat, politikanët, pozitë dhe „opozitë, ata që bënë ndjekjen mitike të shqiptareve në shekullin XX. Edhe këtu del pyetja: Çfarë është presioni i EU-se mbi mediat nacionaliste serbe? Cilat media serbe veprojnë në Mitrovicë? Kush i financon ato?
Mungesa e profesionalitetit, guximit intelektual, sinqeritetit dhe neutralitetit në profesion, është pjesë e një gabimi të vulosur nga shumë individë, qofshin ata kombëtarë a ndërkombëtarë.
Të katër qëllimet apo katër “D-të”Demilitarizimi, Decentralizimi, Dekombëtarizimi dhe Demokratizimi, para se të përfundojnë në hapësirat shqiptare, së pakut, do të duhej të fillonte edhe në Serbinë e Ivo Andriçit.
*Autori është anëtar i lidhjes së gazetarëve profesionist të Norvegjisë.
/Ky shkrim është shkruar në vitin 2000. Shkrimet e autorit Gëzim Mekuli, nuk kishin guxim të publikoheshin nga gazetat e kapura të kohës. Por duhet theksuar se UNMIK, në faqen e sajë zyrtare, i përkthente në gjuhën angleze që të gjitha shkrimet kritike të z. Mekuli./

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *