37 milonë euro apo parimet? Organizata humanitare, “Norsk Folkehjelp”, i thotë “JO” SHBA-së; humb 1700 punonjës pasi refuzon kushtet amerikane të ndihmës
Organizata humanitare, e njohur ndërkombëtarisht, “Norsk Folkehjelp”, ka refuzuar kushtet e reja të vendosura nga Shtetet e Bashkuara për ndihmën financiare. Si pasojë, organizata do të humbasë rreth 400 milionë korona norvegjeze (37 milionë euro) të ardhura dhe rreth 1700 punonjës do të humbasin vendet e punës.
Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.
☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.– SHBA-ja po përpiqet të diktojë që ne të ndalojmë së punuari për barazinë gjinore dhe diversitetin. Jo vetëm në programet që financohen prej tyre, por në gjithçka që bëjmë, edhe në projektet që mbështeten nga donatorë të tjerë. Ne i themi jo kësaj. Ne respektojmë ligjin dhe politikën norvegjeze dhe nuk i ndërrojmë vlerat tona me para, thotë sekretari i përgjithshëm i Norsk Folkehjelp, Raymond Johansen, shkruan NTB, përcjell MekuliPress.com
Sipas organizatës norvegjeze, Departamenti Amerikan i Shtetit kërkon që partnerët e tij të mos punojnë për abortin, barazinë gjinore apo diversitetin në asnjë pjesë të veprimtarisë së tyre. Kushtet vlejnë edhe për projektet që financohen nga donatorë të tjerë.

Për shkak të këtij konflikti, Norsk Folkehjelp do të ndërpresë gradualisht bashkëpunimin me partnerin e saj më të madh në fushën e çminimit dhe pastrimit të eksplozivëve. SHBA-ja ka siguruar rreth 40 për qind të të ardhurave për këtë veprimtari.
– Natyrisht, është jashtëzakonisht dramatike të thuash jo për kaq shumë para, me të gjitha pasojat që sjell kjo. Por këto kushte ishin të papranueshme për ne, thotë Johansen.
Megjithë shkurtimet e mëdha, rreth 60 për qind e punës për çminimin do të vazhdojë.
– Ky është një vendim jashtëzakonisht i vështirë dhe jemi shumë të shqetësuar për pasojat që do të ketë për punonjësit tanë dhe, mbi të gjitha, për të gjithë civilët që jetojnë me mina dhe eksplozivë të mbetur nga konfliktet. Megjithatë, tani duhet të vendosim një kufi, thotë Johansen.
Koment nga MekuliPress
Kjo nuk është vetëm një histori për 37 milonë euro; Është një përplasje mes parasë dhe parimeve. Kur një shtet i fuqishëm i thotë një organizate humanitare: merr paratë, por ndrysho vlerat dhe mënyrën se si punon, atëherë çështja nuk është më vetëm financiare. Është çështje e pavarësisë, dinjitetit dhe parimeve.
“Norsk Folkehjelp” e cila ishte prezente me ndihma humanitare edhe në Kosovën e pasluftës, po paguan një çmim shumë të lartë për refuzimin e kushteve amerikane: 1700 vende pune dhe qindra miliona korona më pak. Por organizata thotë se nuk pranon t’i shkëmbejë parimet e saj me financim.
Pyetja që mbetet për redaksinë tonë, ‘MekuliPress’, është: A duhet të ketë një çmim për vlerat njerëzore? Dhe nëse parimet mund të blihen me para, çfarë mbetet atëherë nga vetë parimet? Dhe le të fillojmë me gazetarinë shqipe e cila ka shitur etikën dhe profesionalitetin gazetaresk për disa qindra dinarë serb, dollarë apo euro.
