Shqiptari mbi natyrën: Zot apo shkatërrues? A i ka shqpallur shqiptari luftë natyrës?

Gëzim Mekuli

Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.

☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.

Filozofi norvegjez Arne Næss (1912–2009) ishte një nga mendimtarët më të rëndësishëm të filozofisë moderne të mjedisit. Ai krijoi fjalën “ekosofi”, që mund të përkthehet si “urtësi e natyrës”. Për Næss-in, filozofia nuk duhej të mbetej vetëm në libra, por duhej të na ndihmonte të kuptonim marrëdhënien tonë me natyrën dhe përgjegjësinë që kemi ndaj saj.

Næss, i cili ishte njëkohësisht filozof dhe alpinist i apasionuar, u bë profesor i filozofisë në moshën 27-vjeçare. Në vitin 1970 u largua nga Universiteti i Oslos për t’iu kushtuar më shumë ekosofisë dhe mbrojtjes së natyrës.

Njeriu nuk qëndron mbi natyrën
Në qendër të ekosofisë së Næss-it qëndron një ide e fuqishme: njeriu nuk është jashtë natyrës dhe as mbi të. Njeriu është pjesë e saj.
Sipas kësaj mënyre të të menduarit, çdo gjë që jeton ka të drejtë të zhvillohet dhe të ekzistojë. Jeta nuk ka vlerë vetëm atëherë kur i shërben njeriut. Bota natyrore ka një vlerë në vetvete.

Lexo po ashtu:  Shqiptaro-amerikanët angazhohen për ruajtjen e trashëgimisë në Nokshiq

Kjo pikëpamje shkon edhe më tej. Për Næss-in, nuk janë vetëm kafshët dhe bimët që meritojnë respekt. Edhe malet, ujëvarat, pyjet dhe ekosistemet janë pjesë e asaj tërësie në të cilën bën pjesë edhe njeriu. Kjo do të thotë se njeriu nuk ka ndonjë arsye të natyrshme për ta konsideruar veten më të vlefshëm se pjesët e tjera të botës.
Problemi, sipas tij, qëndron pikërisht në mënyrën se si njerëzimi është mësuar ta shohë natyrën: si diçka që mund të pushtohet, kontrollohet dhe shfrytëzohet sipas dëshirës së tij. Për shekuj me radhë, njeriu është sjellë sikur toka, kafshët, pyjet, lumenjtë dhe pasuritë natyrore ekzistojnë vetëm për nevojat e tij.

Pasojat e kësaj mendësie sot janë të dukshme: zhdukja e shumë specieve, shkatërrimi i habitateve natyrore, ndotja dhe kriza klimatike. Sot, kur gjithnjë e më shumë kuptojmë se mbijetesa jonë varet drejtpërdrejt nga ekuilibri i natyrës, ideja e Næss-it bëhet edhe më aktuale.


Ekosofia kërkon nga njeriu diçka më shumë sesa thjesht mbrojtjen e natyrës për arsye praktike; Ajo kërkon respekt të thellë për jetën dhe natyrën në vetvete.
Humanizmi dhe shumë tradita fetare na mësojnë të kuptojmë dhimbjen e njerëzve të tjerë. Næss e zgjeron këtë parim: nëse jemi të aftë të ndiejmë dhimbjen e një qenieje tjetër njerëzore, atëherë duhet të përpiqemi të kuptojmë edhe botën e kafshëve, bimëve dhe natyrës në tërësi.

Lexo po ashtu:  Sot bëhen 54 vjet nga vdekja e Fan Stilian Nolit

Këtu qëndron edhe një prej pyetjeve më të rëndësishme të ekosofisë: A kemi të drejtë ta shkatërrojmë një pjesë të natyrës vetëm sepse na pëlqen apo nuk na duket e dobishme?
Për Næss-in, përgjigjja është jo.

Një pyll nuk është i vlefshëm vetëm sepse mund të japë dru. Një lumë nuk ka vlerë vetëm sepse mund të prodhojë energji. Një kafshë nuk është e rëndësishme vetëm sepse mund t’i shërbejë ekonomisë njerëzore. Jeta ka vlerë edhe përtej dobisë që ajo ka për njeriun.

Të nderuar lexues,
Næss nuk e krijoi ekosofinë në izolim. Burimet e mendimit të Næss-it shkojnë edhe më larg. Ekosofia e tij lidhet me ide të filozofëve evropianë të së kaluarës, si dhe me tradita filozofike dhe shpirtërore të Azisë, përfshirë taoizmin, budizmin dhe hinduizmin.

Një ide e filozofit hindu Shankara, i cili jetoi në shekullin VIII, shpreh bukur këtë parim: ai që kupton se të gjitha krijesat përjetojnë gëzim dhe dhimbje, ashtu si vetë ai, nuk i shkakton dëm asnjërës prej tyre.

Lexo po ashtu:  23 janari shënon themelimin e Lidhjes së Pejës, një nga momentet kyçe të lëvizjes kombëtare shqiptare

Nëse njeriu vazhdon ta shohë veten si zot të natyrës, atëherë shkatërrimi i saj do të vazhdojë. Nëse, përkundrazi, e kupton veten si pjesë të një tërësie shumë më të madhe, atëherë mbrojtja e natyrës nuk është më vetëm një detyrë politike apo ekonomike. Ajo bëhet detyrë morale.

Dhe ndoshta kjo është pyetja më e madhe që filozofia e Arne Næss-it i drejton njeriut të sotëm: A do të vazhdojmë ta trajtojmë natyrën si pronë të njeriut, apo më në fund do ta kuptojmë se duke e mbrojtur natyrën, po mbrojmë edhe vetveten?

Po shqiptarët, ku janë në këtë mes?

Dhe këtu nis pyetja që ndoshta është më e rëndësishme për ne;
Në një kohë kur Shqipëria, Kosova dhe hapsirat shqiptare në Ballkan, përballen me betonizimin, shkatërrimin e pyjeve, ndotjen e lumenjve, prerjen e maleve dhe një politikë që e sheh natyrën më shumë si pasuri për t’u shfrytëzuar sesa si pasuri për t’u mbrojtur, çfarë do të thoshte ekosofia e Arne Næss-it për politikën shqiptare, për mediat tona, për akademinë dhe, mbi të gjitha, për shqiptarin si qenie njerëzore: a e shohim ende veten si pjesë të natyrës, apo vazhdojmë të sillemi sikur natyra na është dhënë vetëm për ta prerë, shitur, betonizuar dhe shfrytëzuar?/MekuliPress/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com