Nga Jason Hennessey

Në rrugëtimin tim si sipërmarrës, një nga burimet më të mira që kam pasur për zhvillimin e lidershipit është prindërimi. Në rast se ka një gjë të përbashkët midis të qenit prind dhe të qenit drejtues i një biznesi, është se ka shumë për të mësuar. Shpeshherë këto mësime nuk janë gjëra të cilat thjesht mund t’i lexoni diku.

Ato mund të mësohen duke provuar por edhe gabuar. Sigurisht, ju nuk doni që t’i qaseni pjesëtarëve të ekipit tuaj në të njëjtën mënyrë siç prindëroni me fëmijët tuaj. E kundërta është e vërtetë:duke i prindëruar dhe udhëhequr fëmijët tuaj, mund të rriteni si udhëheqës biznesi përmes aftësive që fitoni dhe i praktikoni në shtëpi. Po cilat janë disa nga mësimet që mund të na mësojë prindërimi për udhëheqjen e një biznesi?

1. Hiqni dorë nga kontrolli total

Ne sipërmarrësit jemi të fiksuar pas kontrollimit të vazhdueshëm dhe deri në detaje të bizneseve tona. Tek e fundit, ato janë “foshnjat” tona, dhe në to ne derdhim gjakun, djersën dhe japim shpirtin tonë. Ndaj delegimi i disa aspekteve të drejtimit të biznesit tek dikush tjetër mund të shkaktojë shqetësim.

Por si prind, kam mësuar se nuk duhet të kesh kaq kontroll mbi fëmijët. Këta të fundit duhet të marrin vetë vendimet e tyre. Mund të kenë sukses, por mund të gabojnë, dhe duhet të mësojnë prej tyre. Ju mund të përpiqeni që t’i kontrolloni fëmijët tuaj, por në një moment do t’ju duhet t’i lini të vendosin vetë kur arrijnë në moshën madhore.

Lexo po ashtu:  Këshilla në përkujdesjen e kafshëve

Ata nuk do të jenë në gjendje të kenë sukses dhe të rriten si personalitete, në rast se e jetojnë tërë jetën e tyre nën tutelën tuaj. Ngjashëm, kur një biznes është në fazën e rritjes, sipërmarrësi duhet të heqë dorë nga kontrolli i më shumë aspekteve të tij. Është e pamundur të kontrollosh gjithçka. Ndaj duke i dhënë ekipit tuaj aftësinë për të bërë atë që është më e mira – dhe përgjegjësinë për të bërë, por edhe ndrequr gabimet – ju lejoni që biznesi të rritet përtej asaj që mund të menaxhoni vetëm vetë.

2. Bëhuni më fleksibël

Fëmijët shkaktojë jo rrallë ngjarje të papritura. Asnjëherë nuk e dini se kur dikush prej tyre mund të lëndohet ose sëmuret duke ua prishur planet tuaja. Prindërimi është një ushtrim i vazhdueshëm në fleksibilitet dhe një përshtatje ndaj pengesave. Edhe bota e biznesit mund të jetë gati njëlloj.

Ajo është gjithnjë në ndryshim ndaj ne duhet të qëndrojmë të adaptueshëm. Sapo përshtateni me një sfidë, mund të jetë e lehtë të ndiheni komodë, dhe të harroni se ju presin shumë sfida të tjera. Është e rëndësishme të mbani një qëndrim pozitiv gjatë këtyre pengesave, dhe të mos harroni se ato janë vetëm një pjesë e drejtimit të një biznesi. Nëse i lini t’ju dekurajojnë, edhe ekipi juaj do të ndihet i dekurajuar.

Lexo po ashtu:  Qeveria merr vendim për strehimin e afganëve në Kosovë

3. Pranoni gabimet tuaja

Diçka tjetër me shumë rëndësi që mund të na mësojnë fëmijët është fuqia e fjalës “Gabova. Më fal!. Ne të gjithë bëjmë gabime dhe mund të jetë joshëse t’i fshehim ato gabime, sidomos nga eprorët në punë. Por meqenëse ne i mësojmë fëmijët tanë të pranojnë kur e kanë bërë një gabim dhe të kërkojnë ndjesë nëse lëndojnë dikë, është e rëndësishme që ne të bëjmë të njëjtën gjë kur bëjmë një gabim që i lëndon ata.

Kjo është shumë e rëndësishme kur je një drejtues biznesi. Duke e pranuar një gabim, ju i inkurajoni pjesëtarët e stafit tuaj të bëjnë të njëjtën gjë kur bëjnë gabime. Pranimi i gabimeve tuaja krijon një mjedis ndershmërie në biznesin tuaj.

4. Bëhuni më të kuptueshëm dhe empatikë

Inteligjenca emocionale, është një nga aftësitë më të rëndësishme për një udhëheqje efektive. Dhe nuk ka mënyrë më të mirë sesa të qenit prind, që t’ju ndihmojë të kuptoni më mirë emocionet dhe motivimet e njerëzve. Prindërimi kërkon shumë punë të vështirë emocionale dhe mund t’ju ndihmojë të zhvilloni ndjeshmërinë tuaj, e cila është një aftësi e vlefshme për një drejtues biznesi.

Unë nuk isha prind kur fillova rrugëtimin tim si sipërmarrës, por që kur jam bërë me fëmijë, e kam pasur më të lehtë të lidhem emocionalisht me anëtarët e ekipit tim. Ndërkohë shumë prej tyre janë gjithashtu prindër, dhe kjo gjë na rikujton rëndësinë e krijimit të një ekuilibri të madh midis punës dhe jetës familjare, jo vetëm për mua, por edhe për ekipin tim.

Lexo po ashtu:  Mbi 20 mijë shqiptarë kërkuan azil në BE gjatë 2019-s

5. Jini vetë një model për sjelljen që dëshironi të shihni në biznesin tuaj

Ndoshta mësimi më i vlefshëm që mund t’u mësojë prindërimi udhëheqësve të biznesit, është rëndësia e dhënies së një shembulli. Fëmijët e imitojnë sjelljen tonë, dhe t’u thuash atyre të bëjnë diçka, nuk do të vlejë nëse ju vetë nuk jeni një shembull për atë sjellje. Për shembull, nëse u thoni fëmijëve të thonë “Faleminderit”, por nuk e thoni kurrë vetë, ata nuk do të mësojnë se kur është e përshtatshme ta përdorin atë frazë në bisedat e tyre.

Edhe nëse pjesëtarët e stafit në biznesin tuaj, nuk po mësojnë nga ju aq drejtpërdrejt sa fëmijët tuaj, sjellja që ju modeloni dërgon sërish një mesazh dhe vendos një standard. Nëse silleni në mënyra që nuk do t’i dëshironit për punonjësit e biznesit tuaj, atëherë jeni duke u thënë atyre se kjo sjellje është normale. Por qëndrimet dhe sjelljet pozitive mund të frymëzojnë ekipin tuaj të veprojë në mënyra nga të cilat do të përfitojë si ata vetë por edhe biznesi juaj.

Shënim:Jason Hennessey, themelues dhe drejtues i “Hennessey Digital”. / “Newsweek” – Bota.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *