Në Forumin Rajonal të Selanikut që po mbahet këtë fundjavë, po zhvillohen diskutime progresiste për çështje politike e ekonomike të Ballkanit.

Në këtë forum ka marrë pjesë edhe kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Përmes një fjalimi të gjatë, Kurti ka folur për gjendjen ekonomike të Kosovës në raport me vendet e rajonit.

Kurti ka folur edhe për privatizimin në Kosovë, duke thënë se privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore u shtri te ndërmarrjet publike, investimet kapitale të qeverisë i dominuan kontratat e shtrenjta me korporatat e huaja që ndërtojnë autostrada.

“Ajo që na duhet janë investimet në prodhimtarinë vendore, në bujqësi dhe në prodhim industrial – jo që shteti ta kontrollojë ekonominë ashtu siç e kontrollon regjisori një shfaqje, por as mos të mbetet mënjanë si spektator në dramën e njerëzve që po largohen nga teatri njëherësh”, ka thënë Kurti.

Fjalimi i plotë

Të flasësh për ekonominë e rajonit – siç do të thoshte Charles Dickens – “është koha më e përshtatshme, është koha më e papërshtatshme.”

Është koha më e përshtatshme sepse të realiteti i kohës sonë dhe trendët e parashikueshme kërkojnë nga ne përgjigje në disa pyetje kyçe.

Është koha më e papërshtatshme sepse shumë nga e Majta më as nuk e marrin guximin t’i bëjnë këto pyetje – e lëre më të përpiqen të gjejnë përgjigje për to.

Para se ta shpalos një vizion, më duhet ta shpjegoj arsyetimin induktiv që ndodhet pas tij.

Gati 20 vjet pas çlirimit nga Serbia dhe 11 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova edhe më tej është vendi me nivelin më të theksuar të varfërisë dhe me shkallën më të lartë të papunësisë në Evropë.

Në vend se fajin për këtë ta kërkojnë në arsye historike, kulturore ose gjeologjike, degradimi ekonomik dhe mjerimi shoqëror kanë rrjedhur si rezultat i të ndjekurit symbyllurazi të një modeli çorientues, të veshur me petkun ekonomik por që gjithnjë ishte politik. Ne nuk jemi të pazhvilluar ose të varfër sepse kemi tepër shumë histori ose shumë pak kulturë, as për shkak se na mungojnë vullneti dhe mundësitë, apo pse kemi tepër remitanca dhe sedër. Ne jemi të pazhvilluar dhe të varfër sepse e kemi një model të gabuar ekonomik.

Derisa qëllimi i pretenduar i ndryshimit strukturor dhe tranzicioni i nevojshëm pritej se do ta transformonte sistemin nga socializmi në kapitalizëm, rezultati përfundimtar i neoliberalizmit nuk ishte kapitalizmi por më parë feudalizmi. Kapitali u shndërrua në pronë, që u përvetësua kryesisht në formë të tokës, të territorit, të hapësirës.

Privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore u shtri te ndërmarrjet publike, investimet kapitale të qeverisë i dominuan kontratat e shtrenjta me korporatat e huaja që ndërtojnë autostrada.

Në vend të një shoqërie në tranzicion, tash ngjajmë më shumë në një vend tranziti, ku të gjithë janë në kalim e sipër.

Ajo që na duhet janë investimet në prodhimtarinë vendore, në bujqësi dhe në prodhim industrial – jo që shteti ta kontrollojë ekonominë ashtu siç e kontrollon regjisori një shfaqje, por as mos të mbetet mënjanë si spektator në dramën e njerëzve që po largohen nga teatri njëherësh.

Njerëzit po ikin sepse tashmë kanë ikur paratë. Dalja JASHTË (kësaj krize) tash është kthimi BRENDA.

Meqenëse vendet e tjera fqinje kanë rrëfime të ngjashme, është e nevojshme që shumica e vendeve në rajon patjetër ta marrin përsëri në shqyrtim, të mendojnë dhe ta dizajnojnë sërish kuptimin e shtetit zhvillimor.

Rritja më vete nuk nënkupton zhvillim. Zhvillimi vetëm si i tillë nuk nënkupton përparim.

Propozimi im për rajonin e Ballkanit Perëndimor është një Marrëveshje e Re për shekullin 21 – e mbështetur në të njëjtat parime të përgjithshme, por me politika autentike që i përshtaten veçantisë kontekstuale të secilit shtet.

Ma merr mendja se ekziston vullnet politik në çdonjërin prej shteteve që t’u përmbahen parimeve të përgjithshme, por edhe t’i dizajnojnë dhe t’i zbatojnë veçoritë e tyre.

Cilat çështje do t’i trajtonte dhe cilat parime të përgjithshme do t’i përfshinte kjo Marrëveshje e Re për Ballkanin Perëndimor?

Së pari, një strategji të konvergjencës gjithpërfshirëse, e cila ka për qëllim t’i zvogëlojë pabarazitë në mes të shteteve më të zhvilluara dhe të atyre më pak të zhvilluara përmes nismave për bashkëpunim dypalësh dhe shumëpalësh. Ngjashëm, luftimi i pabarazive në mes të shteteve duhet të përcillet me luftim të pabarazive brenda shteteve. Drejtësisë gjyqësore duhet t’ia shtojmë drejtësinë shoqërore. E dini si është kjo punë – kur të shkoni në gjyq, shpeshherë tashmë është bërë shumë vonë.

Ne nuk jemi një vend tjetër. Ne jemi në Evropë. Por, ne jemi në një kohë tjetër, jemi nja dy dekada mbrapa. Le t’ju arrijmë edhe ne. Dhe, na ndihmoni t’ju arrijmë, pa i shkelmuar shkallët që na mbajnë, siç thotë Profesori i Cambridge-it Ha-Joon Chang në një libër me të njëjtin titull: shtetet e zhvilluara duhet ta kujtojnë kohën kur ishin si ne e mos të na trajtojnë sipas standarteve të tjera.

Deficitet e mëdha tregtare si rezultat i politikave industriale joadekuate ose të paqena, prodhimi i pamjaftueshëm i brendshëm, shpërndarja e pabarabartë e kapitalit, pabarazitë e mëdha të kapaciteteve teknologjike, konkurrenca e padrejtë dhe praktikat e dumping-ut, rezultojnë në nivele të larta papunësisë dhe migrim të pavullnetshëm.

Shumë shpesh – dhe me të drejtë – ne jemi të shqetësuar me papunësinë, ndërsa një elefant i ri po rritet në dhomë, që është punësimi joadekuat. Kjo veçori kryesore e prekariatit paraqet një sfidë që kërkon politika inovative të punës që shkojnë nga një rrjet i përgjithshëm sigurie drejt një lëvizjeje më të lirë të punës përtej kufijve.

Derisa rritja e pasigurive të prodhuara nga sistemi po i bëjnë gjithnjë e më të nevojshme programet kundër varfërisë, mungesa e rregullimit në shumë sektorë po i zgjeron pabarazitë midis oligarkëve – të cilët janë shoqëruesit ultra të pasur të politikanëve në pushtet – dhe pjesës tjetër të shoqërisë. Të gjithë jemi të barabartë, por disa nuk janë vetëm më të barabartë – ata janë edhe hajdutë.

Pasuria e krijuar në mënyrë shoqërore po përvetësohet individualisht. Siç e dimë, kur ka një pabarazi të madhe, ligji bëhet i kotë. Ligji nuk mund të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë pa një klasë të mesme shumë të gjerë.

Ngjashëm me dispozitat e vitit 1933 të Aktit Glass-Steagall në ShBA, të cilat i ndanë bankat komerciale nga ato investuese, ne duhet t’i veçojmë politikanët e shërbimeve publike nga bizneset e nxitura nga fitimi. Unë nuk po kërkoj një mur të trashë kështjellash që i ndan ato, por aktualisht nuk ka as një perde të hollë apo një perde të tejdukshme në mes.

Një shtet i ngjashëm me korporatat çon në fashizëm. Ne e kemi parë këtë në Gjermani dhe Itali midis dy Luftërave Botërore. Në mesazhin e tij drejtuar Kongresit amerikan më 29 prill 1938, Presidenti Franklin Delano Roosevelt shkroi: “Liria e demokracisë nuk është e sigurt nëse njerëzit e tolerojnë rritjen e fuqisë private deri në një pikë ku bëhet më e fuqishme se vetë shteti demokratik. Kjo, në thelb, është fashizmi – pronësia e qeverisë nga një individ, nga një grup ose nga ndonjë fuqi tjetër kontrolluese private.” Pa kufizuar monopolet private, asgjë nuk mbetet nga demokracia.

Politikat fiskale të rishpërndarjes duhet të shoqërohen nga një sërë politikash monetare që dedikuar sektorit financiar – të cilat kanë nevojë për më pak matematikë dhe spekulim, më shumë demokraci dhe rregullim. Për sa kohë që prodhuesit tanë lokalë varen nga bankat komerciale, ku normat e kamateve janë shumë herë më të larta se interesat e depozitave, ne do të mbetemi pa zhvillim dhe prandaj me gjithnjë e më pak njerëz. Eksodi i kapitalit i paraprinë eksodit të njerëzve. Marrëveshja e Re ka të bëjë me bankat zhvillimore në të gjithë rajonin.

Marrëveshja e Re për Ballkanin Perëndimor duhet të marrë në konsideratë gjithashtu urgjencën e kohës sonë – mjedisin. Derisa kjo shpesh mund të duket si një barrë e padrejtë për vendet në zhvillim, politikat mjedisore dhe zhvillimi ekonomik duhet të shihen si dy anët e të njëjtës monedhë.

Të dashur miq,

Marrëveshja e Re për BP6 duhet të shihet më shumë si një nismë progresiste sesa si një përgjigje përfundimtare.

Është një thirrje për të vënë në pikëpyetje paradigmën e tashme ekonomike të paraqitur si zgjidhje, për të cilën nuk ka alternativa.

Qëndrimi ynë përballë krizës së sotme duhet të jetë Gramshian: pesimizëm i intelektit, optimizëm i vullnetit.

Përderisa kemi shumë nga e para, e dyta bëhet e para.

Ju falemnderit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *