Këtë shkrim dua ta nis me një pyetje shumë të thjeshtë : “Për këtë realitet kanë vuajtur të parët tanë?”. Mund t’ju duket shumë filozofike, por nuk dua aspak të futeni në mendime të thella. Mirëpo nuk mund të rri dot pa shprehur revoltën që ndiej brenda vetes për këtë realitet, ku çdo gjë po ecën mbrapsht.

Unë ia bëj shpesh herë atë pyetje vetes dhe nuk gjej përgjigje. Në fund të fundit, jeta është pikërisht ajo, një përpjekje që realiteti për brezin e ri të jetë më i bukur. Prindërit punojnë që t’u sigurojnë fëmijëve një të ardhme më të mirë. Shkencëtarët punojnë për të na lehtësuar jetën dhe artistët mundohen të na shërbejnë artin e tyre për ta jetuar jetën më bukur, më me ngjyra.
Nëse për prindërit nuk kam asnjë diskutim për atë që sapo shkruajta, nuk mund të them të njëjtën gjë për shkencën dhe artin. Shkenca po na robëron dhe arti po na bën të vlerësojmë diçka që as art nuk mund të quhet.
Fatmirësisht çdo javë na serviren gjithmonë të reja, në çdo fushë. Vendos të ndezësh televizorin me shpresën se do të shohësh diçka me vlerë, por jo. Në njërin kanal shfaqet një këngëtare “e veshur” që shet këngën e saj për art të vërtetë, kur të vetmen gjë që arrin të dëgjosh janë të njëjtat fjalë, të cilat shpesh herë as që i kuptojmë në çfarë gjuhe janë. Kujton kohën e Vaçe Zelës dhe muzikës së saj që të rrëqethte në çdo skutë të trupit. Kur do e kuptojnë këto këngëtare se shitet edhe me zë? Adele nuk ka dalë e zhveshur në ndonjë videoklip dhe përherë ka pasur albumet më të shitur vetëm për shkak të zërit të saj unik.

Lexo po ashtu:  Mbushja e kupës! Apologjia serbe ndaj Rusisë dhe Tirana që s’gjen dot një gjysëm fjale për akuzat e Vuçiç ndaj NATO-s në Kosovë

Nejse, vendos të ndërrosh kanal. Të shfaqet një reklamë për një medikament si shurup ku përfiton kolagjen që të mban përherë të ri. Mashtrim i madh. Mjerë ata që nuk e dinë se kolagjeni sintetizohet në qelizat e indit lidhor të organizmit tonë dhe se çdo marrje nga jashtë me ushqime, është e pavlerë.
Për të mos përmendur pastaj kanale televizive që shfaqin materiale erotike në orare shumë të hershme. Më ka rastisur vetë të jem pjesë e një darke familjare ku kishim edhe fëmijë prezentë dhe televizorin e kishim harruar të ndezur në një kanal televiziv tepër të njohur në vend. Ishte ora 21:30 dhe në studion e atij emisioni ishte ftuar një striptiste, ndërkohë që një kushëri i imi, vetëm 9 vjeç, më pyet “Çfarë do të thotë striptiste?”. Çfarë përgjigje mund t’i jepja unë, përveçse të ndërroja kanal dhe muhabet?

Edhe në internet ndiqet po e njëjta logjikë. Një material shumë të thjeshtë e paraqesin si më të veçantin dhe besoj se e keni kuptuar se si. Nuk ka rëndësi se si shkruhet ai material. Ai/ajo që e shkruan,i vendos një titull intrigues (shpesh herë me përmbajtje erotike) që edhe lajmi më i kotë të nxitë lexuesin për ta hapur dhe lexuar atë material. Por kjo nuk është gjithmonë kaq e thjeshtë. Më ka rastisur të lexoj raste vdekjesh të prezantuara nëpër portale dhe jam habitur. Një personazh publik mund të kishte vdekur në një aksident automobilistik me një të afërmen e vet në makinë dhe lajmi ishte prezantuar sikur ajo të ishte dashnorja e tij. Po, kjo gjë ka ndodhur dhe po ndodh. Të tallesh me vdekjen e dikujt. Ju duket normale?
Pra, për ta mbyllur këtë material, unë dua edhe një herë të shpreh se realiteti në të cilin po jetojmë, po bëhet përherë e më i shthurrur. Është një pjesë e jona që i kërkon këto lajme dhe tv, revistat apo gazetat i ofrojnë, sepse në fund të fundit bëhet fjalë për biznese që si qëllim të tyre kanë fitimin. Mirëpo, nuk mund ta lejojmë që të abuzohet kaq shumë nga kërkesat e disave, kur po shkatërrohet jeta e shumë të tjerëve.
Shumë fëmijë po dalin nga binarët, shumë familje po shkatërrohen dhe shumë koncepte normale po shtrembërohen. Dhe prapë, mendojmë se po ecim në rrugën e duhur…

Lexo po ashtu:  Atdheu nuk gjobitet

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *