Jo pazare me Detin Jon
Në mbrojtje të territorit detar shqiptar
Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri organizoi sot një konferencë të jashtëzakonshme për media për të denoncuar pazaret dhe marrëveshjen e fshehtë për Detin Jon. Në këtë konferencë folën pëfaqësuesit e Lëvizjes Elvis Hoxha dhe Boiken Abazi.
Në vjim MekuliPress ju sjellë fjalën e tyre të plotë në këtë konferencë:

Fjala e plotë e Elvis Hoxhës:

Gjithnjë ne marrim vesh rreziqet ndaj sovranitetit të Republikës së Shqipërisë nga mediat e huaja. Rasti më i fundit është një rrezik që e kërcënon prej kohësh Shqipërinë. Është çështja e sovranitetit në territorin detar të Republikës. E pra, kësaj here mësuam diçka mbi fatin e detit tonë nga fjala e KM të Greqisë, z. Micotaqis, më 25 tetor në parlamentin grek. Atje KM nuk tallet si këtu me parlamentin. Në parlamentin grek u fol për dhuratat që i bën qeveria e Shqipërisë shtetit grek. Në po të njëjtën ditë, ministri i jashtëm konfirmoi nga një foltore tjetër ato që tha kryeministri i tij. Ndërsa dje, erdhi një informacion i ri nga gazeta greke Protothema. Kjo gazetë na mësoi se negociatat, përkundër asaj që deklaron kryeministri shqiptar, z. Rama, kanë gjashtë muaj që vijojnë. Madje gazeta na thotë se janë në dijeni të ecurisë dhe rezultateve të tyre edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Meta, si dhe kryetari i PD-së, z. Basha. Kështu që kuptojmë se deklarimi më i hershëm i Micotaqisit, në parlamentin grek, për shtrirje të Greqisë deri në 12 md, paska qenë i mbështetur në negociata 6 mujore me palën shqiptare.

Për sa na takon, ne njohim sjelljet politike të insitucioneve tanë. Parlamenti ynë nuk e ka marrë kurrë për mision ngritjen e çështjeve të sovranitetit. Jemi të ndërgjegjshëm po ashtu se nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, por po aq të vetëdijshëm se vendimi i saj i drejtë i vitit 2010 mbetet gjithnjë i vlefshëm. Njohim propagandën e kryeministrit Rama dhe korit të tij mercenar për të na bindur opinionin publik se të drejtat sovrane të shqiptarëve janë thjesht pretendime raciste të shqiptarëve “antigrekë”, ndërsa pretendimet ekspansioniste të Greqisë janë të drejta të saj. Është e qartë se qytetarët nuk dinë asgjë mbi përmbajtjen dhe ecurinë e negociatave mbi detin, ngaqë KM e shprehu në një studio TV se nuk ka pse të japë informacion, duke na garantuar se e ka ai merak mbrojtjen e interesave të Shqipërisë. Ndërsa Greqisë i nevojitet vetëm aprovimi me marrëveshje të fshehtë apo të hapur për të futur në lojë një pretendim të papranueshëm e për ta kthyer në çështje gjykatash ndërkombëtare. Atë pjesë që Greqia nuk mund ta realizojë dot, ia dhuron qeveria shqiptare.

Lexo po ashtu:  Vuçiq zbythet: Nuk mendova në intervenim ushtarak kur thash do t’i mbrojmë serbët në Kosovë

Ne i kujtojmë KM të Republikës së Shqipërisë se deti nuk është as lëndë folklori dhe as mitologjie, por ekosistemi i pasurive dhe sigurisë kombëtare. Në bazë të çka thamë më sipër, kemi të drejtën ta quajmë marrëveshjen që rrjedh prej këtyre negociatave, një MARRËVESHJE TË FSHEHTË. Shqiptarët e dinë më mirë se cilido komb tjetër se ç’halle iu kanë hapur marrëveshjet e fshehta. Më parë kemi akuzuar fuqitë e mëdha, ndërsa tani janë pushtetet që zgjedhim vetë, ata që punojnë kundër nesh nëpër marrëveshje të fshehta. Qeveritë e Shqipërisë dhe shqiptarëve kanë dhuruar gjithnjë territor, sakaq fqinjët kanë pretenduar gjithnjë e më shumë.

Fjala e plotë e Boiken Abazit:
Këto që po ndodhin me Detin Jon nuk janë negociata por pazare për pushtet, në kurriz të territorit të shtetit shqiptar. Rrezikojmë të na përsëritet historia si në vitin 2009, ku 2 muaj para zgjedhjeve u nënshkrua një marrëveshje nga e cila humbëm 350 km katrorë. Ajo marrëveshje antikombëtare u ndal nga vendimi i drejtë i Gjykatës Kushtetuese, por sot jemi në mes të pandemisë dhe pa Gjykatë Kushtetuese.
Le ta theksojmë se Greqia nuk e ka të drejtën për t’u zgjeruar automatikisht nga 6 në 12 md, sepse pret ujërat territorialë dhe Zonën Ekskluzive Ekonomike që i takon Shqipërisë. Problemi madhor qëndron te fakti se kemi një qeveri që me deklarata ia ka mbështetur publikisht Greqisë pretendimin për këtë ekspansion, duke hequr dorë nga e drejta e kontestimit. Tani kemi kuptuar që mbrapa deklaratave antikombëtare të Qeverisë Rama paska patur një marrëveshje të fshehtë. Më lejoni t’ju lexoj paragrafin 4.10 të ankesës së dorëzuar nga PS-ja në Gjykatën Kushtetuese kundër marrëveshjes së vitit 2009: “Negocimi dhe hartimi i marrëveshjes është kryer në fshehtësi dhe në mungesë të transparencës. Qeveria ka detyrimin të bëjë publike të gjitha çështjet, të cilat kanë interes, sidomos ato lidhur me kufijtë e vendit dhe territorit të shtetit. Ky është një detyrim që rrjedh edhe nga neni 23 i Kushtetutës që garanton të drejtën e informimit. Nga ana e qeverisë nuk ka patur vullnet për të dhënë sqarime edhe kur u shfaq interesi i publikut për t’u informuar më shumë mbi këtë marrëveshje.” Sot që është në pushtet, Qeveria Rama dhe partia e tij socialiste i kanë harruar ato fjalë.
Megjithatë, në aspektin e të drejtës ndërkombëtare zgjidhjet nuk mungojnë:
1. Shqipëria duhet të tërhiqet menjëherë nga çdo marrëveshje e fshehtë, e miratuar në parim ose jo, me Greqinë. Marrëveshjet e fshehta jane të paligjshme sipas Nenit 102 të Kartës së OKB-së. Qeveria Rama duhet të bëjë transparencë të plotë, ose të përgënjeshtrojë menjëherë KM Micotaqis, Ministrin e Jashtëm Dendias dhe gazetën “Protothema”. Njëkohësisht, në lidhje me këtë marrëveshje të fshehtë, kërkojmë që Presidenti i Republikës dhe kryetari i PD-së të distancohen menjëherë dhe publikisht prej saj.
2. Shqipëria duhet t’i dorëzojë Greqisë një notë protestë ndaj ekspansionit grabitqar nga 6 në 12 md në Detin Jon, duke e paralajmëruar Greqinë se do ta kontestojë këtë akt sipas të drejtës ndëkombëtare.
3. Nëse Greqia vepron njëanshëm dhe e depoziton në OKB ekspansionin nga 6 në 12 md, atëherë Shqipëria duhet menjëherë të depozitojë në të njëjtin vend kontenstimin zyrtar.
4. Shqipëria duhet të refuzojë Gjykatën Nërkombëtare të Drejtësisë (GjND) pas ekspansionit grek. Në GjND Shqipëria nuk e ka të drejtën të kontestojë zgjerimin e ujërave territorial grek, sepse në GjND nuk lejohet të trajtohen çështje për të cilat nuk bien dakord paraprakisht të dyja palët. Greqia e ka bërë të qartë se në GjND do të trajtojë me Shqipërinë vetëm zonat ekonomike dhe shelfin kontinental pas ekspansionit nga 6 në 12 md. Shqipëria ka vetëm një mundësi për ta mbrojtur territorin me ligj ndërkombëtar: aktivizimin e Aneksin 5 të Konventës mbi të Drejtën e Detit. Përmes Aneksit 5, Shqipëria gëzon të drejtën ta konstestojë në një tjetër Gjykatë ekspansionin e Greqisë, edhe nëse Greqia nuk është dakord. Negociatat për shelfin kontinental dhe zonën ekskluzive ekonomike nuk mund të nisin, dhe nuk duhet të çohen në asnjë gjykatë, pa kontestuar një herë ekspansionin grek në Detin Jon.
Një nga gjërat më të rrezikshme që mund të ndodhë, është që para zgjedhjeve të 25 prillit, Shqipëria të nënshkruajë një tjetër traktat të miqësisë me Greqinë, ku e detyron veten që çështjet e Detit Jon t’i trajtojë me Greqinë vetëm në GjND. Nëse kjo ndodhë, atëherë jo vetëm kjo qeveri, por edhe ato që do të vijnë do humbisnin të drejtën e kontestimit të ekspansionit grek duke humbur njëherë e mirë territorin tonë detar. Këtë duhet ta ndalim me çdo kusht.
Elvis Hoxha e mbylli këtë konferencë me fjalinë “Nuk shitet atdheu për të blerë Evropën.”
Tiranë, 30 tetor 2020
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *