Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka bërë të ditur se e ka përcjellë me shqetësim deklaratën e ministrit të ri serb të Mbrojtjes, i cili deklaroi se “tridhjetë tanke T-72 do të arrijnë në Serbi, si pjesë e marrëveshjes Vuçiq-Putin, të arritur në Soçi”.

MPJD ka theksuar se armatosja e vazhdueshme e Serbisë nga ana e Rusisë është kërcënim i qartë për të gjithë rajonin, duke e ditur të kaluarën e rëndë kriminale të Serbisë dhe përpjekjet për të vazhduar politikën e saj të shekullit të kaluar prej agresori në Ballkanin Perëndimor.

“Ky armatim i radhës i Serbisë, vjen menjëherë pasi që Rusia njoftoi hapjen e një zyre të saj në Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë, në përpjekje për t’i thelluar lidhjet ushtarake dhe koordinim të plotë ushtarako-teknik në mes të dy vendeve.

Edhe pse deklarativisht Serbia mëton se dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, ajo në vazhdimësi është duke luajtur një rol krejtësisht të kundërt, duke zhvilluar stërvitje të përbashkëta ushtarake me Rusinë dhe Bjellorusinë, madje është raportuar për pjesëmarrjen e forcave të rregullta ushtarake serbe (përfshirë snajperistë) në Bjellorusi. Ushtarët e Serbisë janë parë të përfshirë aktivisht edhe në konfliktin në Ukrainë dhe ka njoftime për përfshirje të mundshme të tyre edhe në konfliktin Azerbajxhan-Armeni”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme.

Lexo po ashtu:  Von Cramon insiston se duhet vazhduar dialogu mes Kosovës dhe Serbisë

MPJD shton se prania e NATO-s në Kosovë dhe anëtarësimi i shteteve të rajonit në këtë organizatë, i kanë kontribuuar sigurisë, paqes dhe stabilitetit rajonal.
“Kjo i pengon Serbisë dhe Rusisë, të cilave nuk u konvenon stabiliteti, siguria dhe paqja në rajon. Prandaj, e gjithë kjo sjellje destruktive dhe e rrezikshme e Serbisë, duhet të dënohet dhe parandalohet, para se të jetë shumë vonë.

Përderisa Serbia duket se është përcaktuar që të bëhet një hambar ushtarak rus, Kosova dhe vendet tjera të rajonit tonë janë përcaktuar për vlerat e vendeve të civilizuara dhe demokratike. Anëtarësimet euro-atlantike të të gjitha shteteve tona, janë përgjigjja më e mirë ndaj tendencave të këtyre vendeve që po përpiqen ta destabilizojnë rajonin tonë dhe ta kërcënojnë në vazhdimësi paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan”, thuhet në reagim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *