“Në vizitë zyrtare me ftesë të Presidentit Erdogan, për të hapur një kapitull të ri bashkëpunimi mes dy qeverive dhe nënshkruar një sërë marrëveshjesh me rëndësi në kuadrin e partneritetit tonë strategjik”.
Kështu shkruan kryeministri Edi Rama në një njoftim për një vizitë të tijën në Turqi, për të cilën përcjell edhe pamjet nga mbërritja në aeroport.
Mbetet për t’u parë se ku konsiston ky kapitull i ri, por për partneritetin strategjik me Turqinë ne kemi gati 8 vjet që dëgjojmë të flitet. E megjithatë ky partneritet pati mundësi të konfirmohej në dy momente: ndërtimi i xhamisë së Namazgjasë sipas një projekti të imponuar nga Turqia dhe aeroporti i Vlorës që është premtuar pa ndalim vit pas viti. Në rastin e parë, Turqia akordoi fondin menjëherë dhe puna po përfundon. Në rastin e dytë, qeverinë shqiptare thjesht e tallën.
Nuk është e qartë se çfarë konsideron strategjike në Shqipëri Turqia, në planin ekonomik, as edhe nëse biznese të caktuara rregullojnë interesa të saj këtu. Por ne mund të dallojmë qartë një gjë: në gjithë këtë zhurmë që bëhet shpesh për këto marrëdhënie, e konfirmuar është vetëm marrëdhënia personale mes Ramës dhe Erdoganit. Strategjike ose jo, kjo është diçka që Shqipërisë në plan afatmesësm nuk i hyn në xhep.