Para disa ditësh Edi Ramën e krahasuan me Enver Hoxhën. Kuptohet se krahasimi në kësi rastesh ka nga pas një marifet kalemxhiu sepse në një vend si ky yni krahasimi politik me Hoxhën dihet se ngre pikë. Marifeti qëndron te fakti se krahasimi formalisht prezantohet si kritikë nga ata që i thonë vetes se duhet të shfaqen me imazh demokrati.

Po këto ditë, Edi Ramën e krahasuan me Ali Pashën. Edhe ky krahasim ka marifetin e kalemxhiut, njëjtë me atë më lart. Sepse për popuj si ne, Aliu mbetet garipi i lavdëruar e me famë, jo figura e errët e një tirani tipik shqiptar. Sepse një popull që nanuris veten me mite do ja zbresë përherë kriminelit krimet, për t’ia shndërruar në bëma. Ndaj në vend se të kemi një figurë historike reale, mbetemi përballë lapidarëve të heronjve imagjinarë.

Sot Gazmend Çaçi është kujtuar të thotë se Edi Rama ka qenë ndër basketbollistët më të mirë të Shqipërisë. Këtu nuk ka çfarë të thuash se fundja te topi edhe mbase ja ka thënë Edua, plus që kjo është një fushë që nuk interferon me interesin publik. Me interesimin ndoshta po.

Lexo po ashtu:  Kthehu në shtëpinë tënde, kthehu në fshat!

Por Çaçi e ka shtuar edhe një dafinë në kresën e kryeministrit që po bën çmos të adhurohet pasi ta kenë kuptuar vërtet përmasën e tij. Sepse sipas një pikëpamjeje që duket se ka mbushur boshllëqet e kokës së z. Rama, mungesa e vlerësimit të tij, veprës madhështore që po bën, vjen thjesht për shkak të keqkuptimit të reformave që ai po bën.

Ta lëmë mënjanë turpin e palaçove si Elisa Spiropali dhe Damian Gjiknuri që e krahasojnë Edi Ramën me Skënderbun apo me askënd tjetër në tokë. Sepse këto i justifikon jo mendja, por astari.

Të merremi me këto krahasimet e afërta sepse duket se na ilustrojnë një kulturë oborrtari në një vend që e ka emergjente ta heqë tutje këtë pocaqi që quhet Rilindje. Z. Rama nuk ka patur sfidat as të Ali Pashës dhe as të Enver Hoxhës. Shqipëria që mori ai është shumë e ngjashme me Shqipërinë që jetojmë; po ai korrupsion, po ajo paaftësi, po ajo panoramë. Punët e këtij njeriu janë kinkaleri ku ai vetëkënaqet dhe ku janë klientë ahengxhinjtë e këtij vendi. Por ato nuk e kanë shndërruar këtë vend që po braktiset nga ato punët e tjera që janë zullumet me firmë e me vulë.

Lexo po ashtu:  Kapja e shtetit, me pasoja destruktive në Ballkanin Perëndimor

Z. Rama nuk ka patur asnjë vendim realisht të vështirë për të marrë. Edhe një që mund të ishte, e degdisi larg bythës së vet, në Hagë. Ai nuk po ja del as ta çojë Shqipërinë në Europë, as të mbajë në Ballkan me zero probleme, as ta lidhë me Lindjen për ndonjë investim. Ai po zvarritet siç është zvarritur ky vend qëkurse dalldisi me veten e vari veten duke u mburrur se ishte i mosvarur.

Në krye janë injorantët, vendimet i merr Parlamenti që nuk po dekriminalizohet dot e për të cilin ka shpresa vetëm nga SHBA, administrata është po aq e paaftë sa më parë, pasuria kombëtare po ndahet me letra false me tragjikomedinë e vet tipike në Vlorë ku kadastra nuk vendos për asgjë.

E mund të vazhdojmë pa mbarim në listimin e të pabërave të kësaj kaste gaxhgaunësh të pangopur që kanë gjetur te zotëria garancinë e vetme se mund të ruajnë priviligjet dhe më ironikja: të ruhen edhe nga Vegjëlia, harbutëria që ka rendur gjoja te krahu tjetër.

Lexo po ashtu:  Krahasimet qe bëhen mes koronavirusit dhe fatkeqësive tjera janë...

Ky përvijim që e hasim shpesh në zhgarravina gazetash nuk vjen nga naiviteti. Por nga interesi dhe arroganca e atyre që mendojnë se Shqipëria më shumë se kaq nuk arrin dot. Është një lloj lufte civile në llojin e vet. Që në fillim nis me fjalë, por përfundon keq, sepse fjala është pararendëse e veprimit. Dhe kjo elitë që sot mbrohet te manteli i të ashtuquajturëve liderë si ky që sot është kryeministër, nuk ka se çfarë të ofrojë më. As ide, as energji për zhvillim. Vetëm zhvatje dhe parazitim. Ajo është në fundin e rrugës së vet. Është çështje kohe përmbysja e saj edhe pse sot duket se rrugët janë të gjitha të mbyllura.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *