Njëzet vjetori i masakrës në rrugën e Kovaçëve në Mitrovicë, është shënuar sot me tensione e përplasje verbale në mes të familjarëve të viktimave dhe përfaqësuesve komunalë.

Familjarët përveç përfaqësuesve të të pagjeturve, nuk lejuan përfaqësuesit e komunës të vënë lule dhe të bëjnë homazhe te pllaka përkujtimore me emrat e viktimave të cilët u vranë 20 vite më parë nga ana e forcave serbe.

Ata kundërshtuan mbjelljen me bari të rrethuar me pllaka betoni pranë emrave të viktimave që është bërë nga ana e komunës, duke kërkuar një obelisk ose përmendore më të dinjitetshme për viktimat.

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, duke e quajtur ditën e sotme si datë trishtimi, tha se kjo ishte masakra më e madhe brenda qytetit të Mitrovicës ndaj popullatës së pafajshme shqiptare.

Ai shprehu keqardhje që së bashku me bashkëpunëtorët e tij nuk arriti t’i nderojë viktimat në këtë përvjetor, duke thënë se e kupton reagimin e familjarëve.

Sipas tij, komuna ka pasur në plan që së bashku me banorët e lagjes ta gjejnë një zgjidhje ideore të cilën pastaj do ta implementonin, por banorët nuk janë lajmëruar për një gjë të tillë.

Ai ka përsëritur si të kuptueshme frustrimin e familjarëve, në të cilën siç u shpreh, ka ndikuar edhe drejtësia, e cila edhe pas 20 viteve fajtorët e kësaj masakre nuk i ka gjetur dhe dënuar.

Lexo po ashtu:  Publikohen rregullat, si do të regjistrohet diaspora! Zbardhet drafti për votën e emigrantëve

Mujka: Kjo është datë trishtimi në komunën e Mitrovicës

“Sot është 20 vjetori i masakrës ndoshta edhe më të madhe në qytetin e Mitrovicës ku janë ekzekutuar 31 bashkëqytetarë tonë nga lagja e ‘kovaçëve’ që ka qenë një parahyrje e ekzodit që ka ndodhur ditën e nesërme me ç’rast është zbrazur pothuajse e tërë Mitrovica. Gjithmonë kjo datë është datë trishtimi në komunën e Mitrovicës sepse të gjithë kemi humbur familjarë, miq, dashamirë tonë dhe siç e shihni ekziston një frustrim për shenjëj apo obeliskun i cili ekziston aktualisht këtu… Po them edhe njëherë e kuptoj frustrimin e tyre sepse edhe pas 20 viteve nuk janë mbyllur plagët e me siguri një ndër arsyet kryesore është edhe drejtësia e vonuar dhe se fajtorët për këtë masakër akoma nuk janë arrestuar dhe nuk janë dënuar…Komuna në plan e ka pasur që së bashku me banorët e lagjes ta gjejnë një zgjidhje ideore të cilën pastaj do ta implementonim, duke mos dashur të vijmë në një moment tà « tillë çfarë është sot”, ka thënë Mujka.

Lexo po ashtu:  Solzhenicin: “Kështu u rezistohet gënjeshtrave të pushtetit”

Fisnik Sejdiu, njëri prej familjarëve të viktimave, duke kundërshtuar mbjelljen e barit para pllakës me emrat e viktimave, tha se ky është një turp nga ana e komunës.

Ai ka potencuar se familjarët duhet të nderohen çdo ditë nga pushteti e jo vetëm më 14 prill, ngase falë këtyre martirëve, por edhe të tjerëve, Kosova sot gëzon lirinë.

Sejdiu: Shteti nuk ka bërë asgjë

“Këtu më 14 prill 1999 ma kanë mbytur babën, axhën, dhe djalin e axhës, ku gjithsej kanë rënë 31 dëshmorë. Komuna dhe shteti ynë qe çka na ka bërë. Nëse ka dikush ndonjë koment për këtë, ndërsa këtë tjetrën e kemi bërë ne familjarët dhe që 20 vjet janë duke thënë kemi me bërë diçka, kemi me bërë, ndërsa ne jemi duke pritur. Sot thanë se edhe dy muaj kanë me bërë diçka, po presim. Kjo është një turp i tyre që na kanë bërë, neve duhet me na nderu për çdo ditë, jo veç më 14 prill. Sa herë dalim dhe kalojmë këndej shohim vetëm këtë pllakë të cilën e kemi bërë ne, ndërsa shteti nuk ka bërë asgjë…Qe veç shiko, kështu diçka vetëm nëpër varreza shohim”, theksoi Sejdiu.

Lexo po ashtu:  Mediat greke nxjerrin tjera fakte/ A mund ta merrni me mend se kush e zotëron AIRBUS-in e qeverisë shqiptare?

Edhe Shadije Pllana-Hoti, e cila ka humbur në këtë masakër bashkëshortin dhe dy vëllezërit, u shpreh e pakënaqur me përkujdesjen institucionale ndaj viktimave, por edhe familjarëve të tyre.

Hoti ka porositur përfaqësuesit komunalë të mos vinë më kurrë në këtë vend, sepse siç tha ajo, ata nuk ndiejnë, por vinë vetëm sa për sy e faqe.

Pllana-Hoti: Kurrë në jetë më këtu nuk duam t’i shohim

“Jemi të pakënaqur sepse për 20 vite absolutisht asgjë nuk kanë bërë. Më 14 prill sa herë që vinë, jo që e ndjenjë, por ata vinë veç për sy e faqe. Kurrë për 20 vite nuk janë interesuar se çka ka ndodhur me familjet e të vrarëve dhe as në çfarë gjendje po jetojmë…Ju po e shihni, kjo po duket si me qenë  varrezë. Pllakën ne vetë e kemi bërë…Sot po lë amanet për së gjalli që kurrë në jetë më këtu nuk duam t’i shohim. Ata nuk e ndjejnë, ata vinë veç për sy e faqe, kurrë në jetë më mos të vinë”, ka porositur Pllana-Hoti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *