Një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Papa Bergoglios ka dhënë dorëheqjen. Kardinali i Monakos, Reinhard Marx, i është drejtuar Atit të Shenjtë me një kërkesë më datën 21 maj, por detajet e saj janë bërë publike sot.
Marx është një nga eksponentët më të njohur të Dhomave të Shenjta Gjermane, të cilat i ka drejtuar në cilësinë e presidentit të Konferencës së Ipeshkvijve deri në vitin 2020.
Në letrën drejtuar Atit të Shenjtë, Marx kërkon të lirohet nga posti i Kryepeshkopit të Mynihut dhe Freising, detyrë që e mban që nga viti 2007, i emëruar nga Papa Benedikti XVI.
Kardinali 68-vjeçar shprehet në letër se pas pranimit të dorëheqjes, Papa duhet të vendosë për të ardhmen e tij. Në eltrën e cituar nga La Stampa, ai argumenton se Kisha Katolike ka arritur “në një rrugë pa krye” dhe se dorëheqja e tij nga posti mund të shërbejë si një sinjal për një impuls të ri.
Me tërheqjen nga detyra, Marx dëshiron “të tregojë se në plan të parë nuk është detyra, por misioni ungjillor”. Dhe në këtë pikë, ai është i gatshëm të marrë përgjegjësi personale jo vetëm për gabimet personale, por për ato të institucionit të kishës.
Marx merr përgjegjësinë që i takon për abuzimet seksuale të kryer nga udhëheqësit e Kishës në dekadat e kaluara. Hetimet në të shkuarën, sipas tij, kanë nxjerrë në pah shumë dështime personale dhe gabime administrative, por edhe dështime institucionale ose të sistemit.
Vetë kardinali, muajt e fundit, i ishte drejtuar zyrës Westpfahl Spilker Wastl – e cila është ngarkuar me hetimin për herë të parë të rasteve të pedofilisë në Kryepeshkopatën e Këlnit – për të hartuar një raport mbi abuzimet në Kisha e Mynihut dhe Freisingut, duke theksuar se nuk do të bënte asnjë përpjekje për të ndikuar në rezultatet përfundimtare.
Vitin e kaluar, Marx krijoi në dioqezën e tij fondacionin e shërbimeve publike “Spes et Salus”, i cili ka për qëllim “shërimin dhe pajtimin” të gjithë atyre që janë bërë viktima të abuzimit seksual nga njerëzit e kishës. Në javët e ardhshme, pritet raporti mbi abuzimet në kryepeshkopatën e Mynihut.