Boris Malagurski, bashkëpunëtor serb i mediave shtetërore ruse (Russia Today dhe Sputnik) dhe Elnar Bainazarov, korrespodent special i medias ruse pro-Putin “Izvestia”, ndaras por me një qëllim kanë provuar sot të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, përmes pikës kufitare në Jarinë.

Asnjërit nga ta nuk iu është lejuar hyrja dhe janë kthyer pas, bëjnë të ditura burimet e KosovaPress-it

Që kur ka filluar barrikadimi i serbëve në veri si kundërvënie masës së reciprocitetit nga Republika e Kosovës për targat e Serbisë, rusët vazhdimisht janë përfshirë në këtë pikë kufitare.

Gjersa, serbi Boris Malagurski, është i njohur se merr pjesë në çdo krizë rajonale, ku raporton njëanshëm për televizionin shtetërro rus RT (Russia Today), Elnar Bainazarov korrepodent i “Izvestia”-s në vende ku ka kriza ose luftëra dhe i akredituar nga Ministria e Jashtme e Kremlinit.

Edhe gazetarët që provuan të hynin në Kosovë, në ditët e para të bllokadës në veri ishin nga “Izvestia”. Së paku, kështu deklaruan mediat ruse me rastin e ndalimit të tyre.

Lexo po ashtu:  Kërcënimet ndaj mediave/ Veliaj, një manjak që lë gjurmë

KP është njoftuar se asnjëri nga këta nuk është lejuar të hyjë brenda territorit të Kosovës.

Në një status në faqen e tij në facebook, Malagurski, ka postuar një foto ku shihet ai duke raportuar para kamerës, kurse në prapavijë e ka pikën kufitare.

“Drejtpërdrejt nga Jarinja! Për televizionin shtetëror rus RT po flas për tensionet në mes të Beogradit dhe Prishtinës – Po e shtrijmë të vërtetën në publikun botëror”, ka thënë Malagurski.

Në anën tjetër, Elnar Bainazarov aktualisht është duke punuar si korrespondent special për gazetën ruse “Izvestia” dhe anëtar i grupit të shtypit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë. Në gusht të vitit 2020, ai u arrestua në Bjellorusi derisa po raportonte për protestat nga kryeqyteti Minsk, ndërsa pas arrestimit, ai u dëbua nga Bjellorusia.

Bainazarov punon si reporter lufte, kryesisht në zonat e trazirave civile dhe operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme dhe ish-vendet e Bashkimit Sovjetik. Elnar është i diplomuar në Universitetin Shtetëror të Moskës, dhe mban një titull të MA në Studimet e Lindjes së Mesme dhe flet gjuhët arabe, turke dhe gjermane.

Lexo po ashtu:  Media austriake: SHBA lë në baltë popullin më pro-amerikan të botës

Bainazarov, gjatë dy ditëve të fundit ka postuar në rrjetet e tij sociale informata se është nisur për në pikën kufitare në Jarinjë. Në njërin nga to, ai ka thënë se “Elnar do ta shohë edhe një pikë tjetër të tensionuar në hartën e botës. Ne po shkojmë në kufirin e Serbisë dhe Kosovës, ne do të ndjekim dhe do t’ju tregojmë të gjitha gjërat më interesante. Lexoni raportet në Izvestia”.

Lidhur me “interesimin e shtuar” të gazetarëve rusë, KosovaPress ka marrë mendimin e ekspertit të sigurisë Agim Musliut, i cili ka thënë se, kjo është lojë tipike e luftës hibride ruse, e cila tashmë është e njohur për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Përveç armëve ruse të Vuçiqit; ambasadorit rus në Beograd, i cili vizitoi pikën kufitare; serbëve prorusë që disa prej tyre po protestojnë, të cilët e luajnë edhe rolin e proksive, interesimi i gazetarëve të mediave ruse e plotëson mozaikun e luftës hibride që ata e zhvillojnë tash e sa vite në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë”, ka thënë Musliu për KosovaPress.

Lexo po ashtu:  Qeveria ia zvogëlon për 2.8 milionë buxhetin RTK-së, reagon Sindikata

Sipas tij, ka disa raste kur rusët që punojnë për shërbimet e ndryshme sekrete të tyre, maskohen si gazetarë.

“Agjencitë e inteligjencës së vendeve perëndimore kishin paralajmëruar se organizatat mediale nuk duhet të përjashtohen nga ligjet e ndërhyrjes së jashtme, për shkak se shërbimet ruse do të rekrutojnë edhe gazetarë për të shfrytëzuar boshllëqet e tyre”, ka shtuar eksperti i sigurisë Agim Musliu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *