Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje janë tërhequr nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit për seanca dhe komisione parlamentare.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari – Lila thotë se këtë vendim e kanë marrë pas publikimit të të dhënave për shpenzimet e disa deputetëve për karburante.

Gjithashtu, Kusari – Lila thotë se do të kërkojnë nga Kryesia e Kuvendit që të rishikojnë vendimet për kompensimin e deputetëve.

“Me anë të këtij njoftimi duam të informojmë opinion publik, se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, si shumicë parlamentare, vullnetarisht do të tërhiqen nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit dhe njëkohësisht thërrasin edhe deputetët tjerë të aplikojnë të njëjtin standard. Gjithashtu, do të kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit, rishikimin e vendimit për kompensimin e deputetëve”, deklaron ajo.

Më poshtë njoftimi i plotë i Mimoza Kusari – Lila:

Sqarim dhe njoftim

Dje gjatë ditës janë publikuar shpenzimet e udhëtimit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilat kanë ngjallur reagime të shumta të qytetarëve.

Duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e shpenzimit të parasë publike dhe rëndësinë e llogaridhënies për përgjegjësitë e deputetëve, me anë të këtij njoftimi duam të japim të plotë informacionin lidhur me këto kompensime.

Lexo po ashtu:  Presidenti ukrainas: Kemi vrarë 6.000 ushtarë rusë në luftë

Vendimi mbi kompensimin e deputetëve bazuar në përgjegjësitë dhe obligimet e tyre të punës, daton nga 10 Tetori, 2011 dhe është i nënshkruar nga Kryetari i atëhershëm i Kuvendit z. Jakup Krasniqi. Me anë të këtij vendimi, në mesin e tjerave, parashihet kompensimi për shpenzime të udhëtimit për pjesëmarrje në punimet e seancës plenare dhe në komisionet e caktuara me vlerat si vijon:
deri në 30 km – 10 euro
deri në 60 km – 20 euro dhe
mbi 60 km – 30 euro.

Zbatimi i këtij vendimi nuk bëhet me fatura të derivateve, por si pjesë e pagës mujore e cila llogaritet automatikisht me pagën mujore. Deputetët me rastin e regjistrimit të tyre për mandate në fillim të secilës legjislaturë, plotësojnë formularët për vendbanimin e tyre.

Me rastin e regjistrimit të tyre dhe fillimin e punimeve të Kuvendit, automatikisht fillon llogaritja e pjesëmarrjes së tyre në seanca dhe komisione funksionale, e me to edhe kompensimi për udhëtime.

Aktualisht në legjislaturën e VIII të Kuvendit, janë 67 deputetë të cilët kanë të regjistruar vendbanimin jashtë Prishtinës dhe prej tyre 36 janë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Lexo po ashtu:  Kurti: Jam politikani i parë që bëhem kryeministër pa premtuar vizat

Me anë të këtij njoftimi duam të informojmë opinion publik, se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, si shumicë parlamentare, vullnetarisht do të tërhiqen nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit dhe njëkohësisht thërrasin edhe deputetët tjerë të aplikojnë të njejtin standard. Gjithashtu, do të kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit, rishikimin e vendimit për kompensimin e deputetëve.

Ne mbetemi të përkushtuar në ngritjen e performances së punës së deputetëve, llogaridhënies dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve të Republikës”, pohon Kusari-Lila.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *