Prishtinë, 24 shkurt 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, pritën sot në takim komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Ferenc Kajári.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen në emër të qytetarëve të Kosovës për rolin e vazhdueshëm të KFOR-it në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Republikën e Kosovës. Ai rikonfirmoi përkushtimin për bashkëpunim të afërt ndërmjet kryeministrit dhe komandantit të KFOR-it, përbrenda mandateve që kanë.

Kryeministri e njoftoi komandantin për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të mbajtur mbrëmë, si dhe konkluzionet nga kjo mbledhje lidhur me bashkëpunimin dhe bashkërendimin sa më të ngushtë me NATO-n, Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Në këtë takim u ritheksua gatishmëria e Qeverisë, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) për komunikim, bashkëpunim e bashkërendim të veprimeve për ruajtjen e ambientit të qetë dhe të sigurt, në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Lexo po ashtu:  Thirrja rrëqethëse e mjekut: Të veprojmë si në luftë, kurohet kush mendojmë se shpëton
Burimi:https://kryeministri.rks-gov.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *