Prishtinë, 24 shkurt 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka paraqitur dhe arsyetuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Qeverisjen tonë e kemi filluar me miratimin e Koncept Dokumentit për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ndërsa në vitin 2021 e kemi përfunduar me Projektligjin për Byronë Shtetërore, i cili është sjellë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për ta marrë miratimin tuaj sot, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në fillim të fjalës së tij.

Kryeministri bëri të ditur se hartimi i këtij Projektligji është bërë në bashkëpunim me ekspertë dhe njohës ndërkombëtarë të fushës, krahas përfaqësuesve të duhur institucional, ekspertëve të pavarur dhe shoqërisë civile. Në hartim janë përfshirë madje edhe gjykatës e prokurorë, të cilët drejtpërsëdrejti interpretojnë dhe zbatojnë ligjet.

Projektligji është shumë i qartë dhe nuk cenon pavarësinë e pushteteve, deklaroi kryeministri. Byroja si një agjenci shtetërore e themeluar me Ligj nga Kuvendi, është e pavarur në verifikimin e pasurisë së zyrtarëve publikë dhe të ekspozuarve politikë, ndërkaq pala të cilit i verifikohet pasuria në çdo kohë mund të argumentojë para gjykatës se pasurinë e ka fituar në mënyrë të ligjshme, shtoi ai.

Qytetarët tanë të ndershëm e të përgjegjshëm, meritojnë një shtet të drejtë dhe të barabartë, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se miratimi i këtij projektligji hap udhë për të vepruar në pajtim me zotimet e dhëna para qytetarëve e në përputhje me praktikat më të mira, për të ndërtuar një shtet të së drejtës me mundësi dhe shanse të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës:

I nderuari Kryetar i Kuvendit, z. Glauk Konjufca,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
I nderuar kabinet qeveritar,
Qytetarë të dashur,

Më lejoni që para se të flas për temën, të theksoj që sot është një ditë tronditëse dhe tragjike për Evropën, dhe jo vetëm. Meqenëse sot i gjithë kontinenti ynë, por edhe më gjerë, janë zgjuar me lajmin e trishtë të invazionit rus në Ukrainë, që paraqet agresionin më të madh ushtarak që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e bashkërenduar dhe duke bashkëpunuar me Bashkimin Evropian, NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Mbretërinë e Bashkuar, në mënyrë që të jemi bashkë për paqe, siguri, për mbrojtje të demokracisë dhe të lirisë.

Duke qenë të brengosur me ndikimin që mund të ketë kjo luftë e re, shumë e madhe, me pasoja tashmë tragjike, edhe në rajonin tonë e posaçërisht në Republikën e Kosovës, mbrëmë kemi mbajtur edhe një mbledhje të Këshillit të Sigurisë, ku me disa prej ministrave dhe me drejtues të institucioneve tona të sigurisë, kemi vlerësuar, analizuar dhe diskutuar për situatën aktuale dhe për masat që duhet t’i ndërmarrim, në mënyrë që orientimi ynë evropian dhe euroatlantik të jetë në nivelin, në cilësinë, në intensitetin më të lartë të mundshëm.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

Qeverisjen tonë e kemi filluar me miratimin e Koncept Dokumentit për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ndërsa në vitin 2021 e kemi përfunduar me Projektligjin për Byronë Shtetërore, i cili është sjellë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për ta marrë miratimin tuaj sot.

Ka vite që kemi theksuar e jemi pajtuar të gjithë se korrupsioni në vendin tonë ka qenë i lartë dhe i koncentruar te zyrtarë të lartë të qeverisë dhe jo vetëm, se një pjesë e ngushtë e shoqërisë është pasuruar në kurriz të shumicës përmes keqpërdorimit të taksave, shpërdorimit dhe ikjes nga drejtësia.

Në Kosovë, për më shumë se dy dekada, në masë të madhe ka sunduar paligjshmëria. Herë zbrazëtirat ligjore e herë jo efikasiteti i organeve të drejtësisë, kanë lënë mundësi për rritje të kriminalitetit dhe kanë krijuar kulturë të pandëshkueshmërisë. Rrjedhimisht, ata të cilët kanë pasur qasje në buxhetin e shtetit, janë pasuruar duke keqpërdorur taksat e qytetarëve.

Projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, do t’i heqë pengesat për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme.

Kjo Byro do të jetë në funksion të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nëpërmjet konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.

Nëpërmjet këtij projektligji, në vendin tonë nuk do të dominojë më parulla ironike: “Rroga e vogël, fitimi i madh!”.

Hartimi i këtij Projektligji është bërë në bashkëpunim me ekspertë dhe njohës ndërkombëtarë të fushës, krahas përfaqësuesve të duhur institucional, ekspertëve të pavarur dhe shoqërisë civile. Në hartim janë përfshirë madje edhe gjykatës e prokurorë, të cilët drejtpërsëdrejti interpretojnë dhe zbatojnë ligjet.

Projektligji është shumë i qartë dhe nuk cenon pavarësinë e pushteteve. Byroja si një agjenci shtetërore e themeluar me Ligj nga Kuvendi, është e pavarur në verifikimin e pasurisë së zyrtarëve publikë dhe të ekspozuarve politikë. Pala të cilit i verifikohet pasuria në çdo kohë mund të argumentojë para gjykatës se pasurinë e ka fituar në mënyrë të ligjshme.

Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të bëhet vetëm nga gjykata. Gjykata garanton procedura profesionale dhe respektim të drejtave të palëve në procedurë, e të cilat i njeh Kushtetuta dhe ligjet tjera në fuqi.

Ky ligj pra përcakton kthimin e pasurisë tek pronari legjitim dhe juridik, që është Republika e Kosovës.

Të nderuar deputetë,

Qytetarët tanë të ndershëm e të përgjegjshëm, meritojnë një shtet të drejtë dhe të barabartë.

Miratimi i këtij projektligji na hap udhë për të vepruar në pajtim me zotimet e dhëna para qytetarëve e në përputhje me praktikat më të mira, për të ndërtuar një shtet të së drejtës me mundësi dhe shanse të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës.

Andaj, ju ftoj që ta mbështesni me votën tuaj.

Ju faleminderit.

Burimi:https://kryeministri.rks-gov.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *