Mbi 2.8 milionë ukrainas kanë lënë vendin gjatë 19 ditëve të luftës. Ata janë larguar drejt vendeve fqinjë, kryesisht drejt Polonisë.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, një agjenci e OKB-së, çdo minuta ka njerëz që po i ikin luftës.
Sipas UNICEF-it, lufta në Ukrainë ka një “ndikim shkatërrues” në më shumë se 7.5 milionë fëmijë.
Në ditën e 19-të të luftës në Ukrainë, Kievi është zgjuar me bombardime me raketa dhe eksplozivë, duke shkatërruar një bllok banesash.
Një raketë ruse godit një godinë banimi dhe la të paktën dy persona të vdekur. Lajmi u konfirmua edhe nga Këshilltari i ministrisë së brendshme të Ukrainës, Anton Gerashchenko.
Diku tjetër gjatë natës, katër persona u plagosën gjatë një sulmi me raketa që synonte ndërtesat administrative në fshatin Stavische, në rajonin Zhytomyr. Edhe një kullë televizive pranë Rivne në Ukrainën perëndimore ra pre e goditjes nga një raketë ruse, por nuk dihet nëse ka viktima.
Ndërsa ende nuk ka dritë për paqe, raundi tjetër i bisedimeve pritet të mbahet sot. Lajmi u konfirmua nga Dmitry Peskov i Rusisë dhe Mykhailo Podolyak i Ukrainës. Sipas Reuters, bisedimet do të zhvillohen online në orën 10:30 me kohën lokale.