Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu drejtuar ambasadorit të BE-së, Tomas Szunyog, me një letër ku i shpreh shqetësimin në lidhje me qasjen e Serbisë ndaj Kosovës.

Serbia ka zgjedhje në datën 3 Prill dhe pretendon që këto zgjedhje të organizohen edhe në Kosovë a thua sikur Kosova të ishte provincë serbe dhe jo shtet sovrar dhe i pavarur.

Kryeministri Kurti shprehet se mund të gjendej një zgjidhje për këtë çështje sikur qeveria serbe t’i drejtohej qeverisë së kosovës në rrugë zyrtare dhe jo siç po vepron aktualisht, duke e marrë të mirëqenë se e gëzon të drejtën sovrane mbi Kosovën.

Më tej, kryeministri i Kosovës i kërkon ambasadorit të BE-së që kjo qasje serbe të mos miratohet dhe të mos legjitimohet nga ana e Bashkimit Evropian. Kjo do të përbënte kundërthënie me vlerat e BE-së. Aq më tepër në një kohë kur Serbia ka refuzuar që t’i bashkohet sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë, si përgjigje për pushtimin e pajustifikueshëm rus në Ukrainë.

Më poshtë mund të lexoni letrën e plotë të z. Kurti, drejtuar z. Szunyog:

Lexo po ashtu:  Turqia ngre avionët F-16 dhe nxjerr anijet luftarake, mesazh Greqisë dhe Francës

“I nderuar Ambasador Szunyog,

Ju faleminderit që ma përcollët propozimin e Beogradit mbrëmjen e së premtes.

Zgjedhjet e 3 prillit e Serbisë mund të mbahen në Republikën e Kosovës vetëm në përputhje me një marrëveshje ndërmjet dy Qeverive tona përkatëse. Për këtë qëllim, ishim duke pritur një kërkesë nga Qeveria e Serbisë drejtpërdrejt Qeverisë së Kosovës. Zyrat ndërlidhëse (për dallim nga ‘zyrtarët’) janë vetëm mjete për bartjen e komunikimeve ndërqeveritare, jo zëvendësime politike apo institucionale të komunikimeve të tilla. Për më tepër, Beogradi as që e përmend Qeverinë tonë, porse na quan “autoritetet relevante qevërisëse të Kosovës”.

Është për keqardhje që, derisa Kosova është duke punuar në mirëbesim me BE-në dhe Quint-in për të gjetur një zgjidhje reciprokisht të pranueshme ndërmjet qeverive tona, strukturat ilegale të Serbisë po mundohen të përgatisin dhe të organizojnë zgjedhjet në territorin tonë sikur të mos ekzistonte Qeveria jonë. Dhe janë duke e bërë këtë me financim nga Beogradi, natyrisht. Kjo mbase është arsyeja pse propozimi (në paragrafin e tij të parë) përcakton se zgjedhjet “do të mbahen”, në vend që të kërkojë që të mbahen, duke e marrë kështu si të mirëqenë kompetencën e Beogradit për të vendosur në lidhje me territorin e Kosovës.

Lexo po ashtu:  Një rekord botëror tragjik i ka tronditur të gjithë: Snajperisti më vdekjeprurës në botë është nga Ukraina

Në veçanti, Beogradi e përdor termin “votuesit me të drejtë vote” për t’iu referuar serbëve të Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë. Mirëpo, kjo është sipas regjistrit civil të përcaktuar dhe të poseduar nga strukturat komunale ilegale të Serbisë në Kosovë, duke shkelur kështu Kushtetutën dhe ligjet tona. Është me rëndësi që kjo orvajtje të mos legjitimohet nga autoritetet e BE-së apo të OSBE-së. Po ashtu, referimi i tyre te ‘votuesit me të drejtë vote’ dhe jo ‘votuesit jashtë vendit’, është në shpërputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Për më tepër, kjo përpjekje për ta nënçmuar Kosovën dhe institucionet e saj shtetërore, është duke ndodhur në një kohë kur Beogradi po tregohet destruktiv në shumë drejtime: duke refuzuar të zgjidhë problemin e mospagimit të energjisë elektrike në veri të Kosovës; mungesa e marrëveshjes për targat e Kosovës dhe Serbisë; duke emëruar struktura ilegale si komisionerë zgjedhorë; duke përdorur mjete administrative për të kryer spastrim etnik kundër shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc përmes deregjistrimit të tyre si banorë; dhe duke refuzuar t’u bashkohet sanksioneve të BE-së dhe ShBA-ve kundër Federatës Ruse për agresionin e saj ushtarak dhe pushtimin e Ukrainës.

Lexo po ashtu:  Pas 30-vitesh në Lezhë nisi të mbillet sërish orizi/ Shembulli i Altinit na tregon se me punë arrihet gjithçka

Me gjithë këto vështirësi, më lejoni që ta përsëris falënderimin dhe vlerësimin tim për përpjekjet e vazhdueshme të BE-së dhe Quint-it për të na ndihmuar që ta zgjidhim këtë çështje sfiduese.

Nderimet më të larta,

Albin Kurti”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *