Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ku u zhvillua debat për politikën e jashtme

Të nderuar deputetë, anëtarë të kabinetit qeveritar,
Të dashur qytetarë,

Më 22 mars 2021, kur e filluam këtë mandat qeverisës, politikën e jashtme të Republikës së Kosovës e gjetëm në një gjendje shumë të vështirë. Nuk kishte qasje të barabartë në raportet e Republikës së Kosovës në bashkëpunimet rajonale e marrëdhëniet bilaterale; nuk kishte asnjë përgatitje për aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare; nuk kishte asnjë analizë e strategji për vendosjen e marrëdhënieve me shtetet që ende nuk na kanë njohur; e institucionet e politikës së jashtme, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Shërbimi i Jashtëm ishin në një gjendje të rënduar, me mungesë ambasadorësh në vende partnere e me mbi 50% të shefave të misioneve nga çelësi politik, gjë që përbënte shkelje të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm.

Pas një viti, kemi një situatë rrënjësisht tjetër. Republika e Kosovës ka një përfaqësim dinjitoz dhe e ka shkëputur Shërbimin e Jashtëm nga inferioriteti i qeverisjeve të kaluara në skenën ndërkombëtare. Kemi intensifikuar dhe thelluar raportet me partnerët tanë. Kosova ishte pjesëmarrëse dhe nikoqire e ushtrimeve ushtarake të NATO-s, Defender Europe 21. I dolëm në ndihmë partnerit tanë kryesor, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke strehuar 1449 refugjatë afganë dhe kemi hapur dyert për 5000 refugjatë dhe 20 gazetarë ukrainas, duke u rreshtuar njëkohësisht me të gjitha masat e ndërmarra nga vendet demokratike në raport me Federatën Ruse dhe me Bjellorusinë.

Diplomacia merr forma të ndryshme, varësisht nga nevojat e kohës. Në gjysmën e dytë të vitit 2020 dhe gjysmën e parë të vitit 2021, impenjimi kryesor i diplomacisë botërore ishte angazhimi për sigurimin e vaksinave Anti-Covid. Por, Kosova e humbi gjysmën e dytë të vitit 2020 dhe dy muajt e parë të vitit 2021, sepse qeveria e kaluar nuk ishte angazhuar në arenën ndërkombëtare për të siguruar vaksina për qytetarët e saj.

Qeveria jonë, që nga dita e parë u angazhua në këtë drejtim edhe nëpërmjet diplomacisë, dhe ky angazhim doli të jetë i suksesshëm. Partnerët tanë, me theks të veçantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, na dolën në ndihmë dhe në kombinim me suksesin e Ministrisë së Shëndetësisë për sigurimin e kontratës për furnizim me vaksina dhe administrimin e suksesshëm të tyre, sot kemi përqindjen më të ulët të vdekjeve në rajon dhe përqindjen më të lartë të vaksinimit.

Lexo po ashtu:  Hungaria, vendi i parë i BE-së që përdor vaksinën kineze kundër CoVid-19

Për herë të parë Republika e Kosovës u ul si palë e barabartë në tavolinën e dialogut me Beogradin në Bruksel. Në përputhje me interesat e vendit, e në linjë me qëndrimin e Presidentit Biden, e kthyem dialogun nga takimet e fshehta për ndarjen territoriale të Kosovës dhe përfshirjen e Serbisë si hisedare në burimet tona natyrore, në një proces transparent që e ka njohjen reciproke në qendër të saj.

Qëndrimi ynë parimor në këtë proces ka bërë që edhe vet zyrtarët e BE-së ta thonë publikisht dhe për herë të parë se dialogu nuk ka të bëjë me statusin e Kosovës, por me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë mënyrë, Serbia është çarmatosur nga argumenti i saj kryesor në luftën e saj diplomatike kundër Republikës së Kosovës.

Kemi realizuar një numër të konsiderueshëm të vizitave bilaterale e kemi marrë pjesë në shumë organizime multilaterale, në të cilat e kemi përfaqësuar dhe promovuar Republikën e Kosovës dhe bëmë të njohura përparimet që ajo po i përjeton nga qeverisja jonë progresive. Kishim numër rekord të vizitave zyrtare bilaterale të përfaqësuesve të lartë të shteteve partnere.

Mbajtëm takime të ndara me qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Për më tepër, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka rikthyer në vëmendje edhe praktikën e konsultimeve politike mes Ministrive të Jashtme. Një numër i tyre u realizuan vitin që shkoi, e sivjet që nga shkurti kanë filluar të realizohen të rejat (me Turqinë për herë të parë në nivel të zv.ministrave.) E tërë kjo ka rezultuar me zgjerim dhe thellim të marrëdhënieve diplomatike me një numër të madh të vendeve, duke nënshkruar 85 marrëveshje ndërkombëtare të karaktereve të ndryshme (pra, marrëveshje ndërkombëtare dhe marrëveshje teknike).

MPJD ka përpiluar strategji për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me shtetet me të cilat ende nuk kemi. Zbatimi i kësaj strategjie ka pamundësuar suksesin e të ashtuquajturës fushatë të çnjohjeve të Serbisë, e cila nga 4 shtator 2020 deri më 4 shtator 2021 ka bërë fushatë në mbi 30 shtete dhe nga 5 shtatori i vitit 2021 e deri më sot ka bërë fushatë në rreth 20 shtete, por pa sukses. Përkundrazi, Republika e Kosovës ka filluar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me vende të reja, Timori lindor dhe ka përafruar raportet me një numër të konsiderueshëm të vendeve të cilat ende nuk na kanë njohur.

Lexo po ashtu:  2020/ “Viti më i keq që kemi përjetuar ndonjëherë”

Kemi filluar përgatitjet për aplikimin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Tashmë e kemi bërë të ditur publikisht se sivjet do të aplikojmë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Secili qytetar i Republikës së Kosovës duhet ta ketë të drejtën të ankohet në instanca gjyqësore më të larta/ndërkombëtare, kur është i/e pakënaqur me verdiktin e drejtësisë në vendin tonë. Prandaj, bëhet e natyrshme dhe e domosdoshme që të aplikojmë edhe në Këshillin e Evropës. Të qenit anëtar në këtë organizatë të rëndësishme, mbi të gjitha është nevojë dhe e drejtë për qytetarët tanë. Për këtë proces, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është në fazë të përparuar të përgatitjes dhe do të koordinohet ngushtë me Kuvendin e shoqërinë civile.

Siguria është tema kyçe jo vetëm e shtetit tonë dhe rajonit tonë. Për këtë arsye, përafrimi sa më i shpejtë me NATO-n me synimin përfundimtar të anëtarësimit të plotë, është një detyrë e rëndësishme e jona. Në këtë kontekst, ne kemi krijuar një grup ndërinstitucional në nivelin politik, i cili po ndërton strategjinë për anëtarësim në mekanizma rajonal e ndërkombëtar të sigurisë. Gjithashtu, MPJD po koordinon të gjitha ministritë për procese të anëtarësimit në organizata rajonale e ndërkombëtare që janë me interes për sektorët që ato përfaqësojnë.

Përgjatë gjithë kësaj kohe, është realizuar edhe reformimi e ristrukturimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Me propozimin e ministres Gërvalla, unë kam nënshkruar një Rregullore të re, e cila e ristrukturon ministrinë duke e përfunduar fuzionimin me ish ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe duke e bërë strukturën më efikase.

Nuk do të ketë më departamente të cilat me 5 zyrtarë detyrohen të mbulojnë mbi 150 shtete (Departamenti për Marrëdhënie Dypalëshe ka mbuluar 156 shtete me 5 zyrtarë). Struktura e MPJD-së do të ketë një mbulim të karakterit gjeografik, në mënyrë që të kemi politika më të sakta për secilin vend, e në të njëjtën kohë të përgatisim kuadro të specializuar për gjeografi të caktuara. E kur jemi tek kuadrat e specializuara, më duhet ta përmend edhe marrëveshjen me ShBA-të ku për herë të parë Republika e Kosovës mund të dërgojë diplomatët e saj që të angazhohen në Departamentin e Shtetit dhe të përgatiten nga përvoja dhe njohuritë e diplomacisë amerikane (një diplomate është tashmë në DASH për 18 muaj dhe një tjetër do të shkojë brenda 2 muajve të ardhshëm.)

Lexo po ashtu:  Osmani: Jemi lodhur nga politikanë që tregojnë tolerancë ndaj politikave mohuese të Serbisë. - Secili njeri racional në Kosovë, kurrë nuk duhet të lodhet së treguari të vërtetën për njerëzit që humbëm si rezultat i politikave gjenocidale të Serbisë.

Kemi emëruar ambasadorët thuajse në të gjitha vendet në të cilat kishte mungesa më parë, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar dhe Japoninë. Ky institucion ende rregullohet me ligjet e vendosura në kohën kur është themeluar. Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ajo kohë dhe realiteti gjeopolitik nuk është më i njëjtë. Qeverisjet e kaluara kanë punuar për 10 vite për Ligjin e ri për Shërbimin e Jashtëm, por pa sukses. Ne jemi duke përfunduar draftin e Ligjit të ri dhe së shpejti MPJD dhe Shërbimi i Jashtëm do të funksionojnë me ligje e rregullore të cilat i përputhen përgatitjes së saj dhe i përgjigjen nevojave të kohës. Gjithashtu, këto ditë do të fillojë puna edhe për përpilimin e Strategjisë për Politikën e Jashtme.

Në të njëjtën kohë, jam i lumtur që po vendoset ligjshmëria në MPJD dhe në Shërbimin e Jashtëm. Ne kemi ndërhyrë për ta korrigjuar gjendjen e jashtëligjshme ku kishim mbi 50% të shefave të misioneve politike, dhe sot kemi vetëm 24% të emëruar politikë, edhe pse ligji na e mundëson t’i kemi deri në 50%. Konsujt e përgjithshëm politik dhe të emëruarit e të punësuarit e tjerë të jashtëligjshëm, po lirohen nga detyra dhe në vend të tyre po angazhohen diplomatët e karrierës.

Pa shtet të drejtë e ligjor, nuk mund të kemi zhvillim e progres. E shtetin e së drejtës nuk mund ta përfaqësojnë ata që statusin e kanë të jashtëligjshëm. Ministrja Gërvalla, kabineti i saj dhe të gjithë shërbyesit civilë po angazhohen për vendosjen e ligjshmërisë dhe kthimin e profesionalizmit e dinjitetit të MPJD-së dhe Shërbimit të Jashtëm, po bëjnë një punë tejet të rëndësishme për vendin dhe për këtë e kanë mbështetjen time të parezervë.
Ju falemnderit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *