Në Ditën e Dëshmorëve të Prishtinës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, asamblistë të Komunës së Prishtinës dhe përfaqësues tjerë të këtij subjekti bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta te varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë dhe te shtatorja e heroit Zahir Pajazi.
Pas homazheve te varrezat e dëshmorëve në Prishtinë ai tha se kujtimi dhe përkujtimi ynë për ta është dëshmi që ne besojmë se për të tashmen tonë, për të ardhmen tonë e kaluara e lavdishme është vendimtare për drejtimin dhe shpejtësinë në ecjen përpara të Kosovës si shtet edhe të shqiptarëve si komb. “Si Qeveri e Republikës së Kosovës asnjëherë nuk do të harrojmë se prej nga vijmë dhe ku duhet të shkojmë pikërisht duke iu falënderuar gjakut të derdhur për liri i cili nuk shlyhet kurrë ashtu sikurse edhe që emri i këtyre dëshmorëve nuk do të harrohet kurrë”, u shpreh kryeministri Kurti.
Ndërkaq, pasi vendosi lule të freskëta te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti në sheshin që mban emrin e tij, ai u shpreh se si komandat i zonës operative të Llapit, me aksionet e tij çlirimtare, Zahir Pajaziti e dha kushtrimin e lirisë shumë herët, para se të fillonte lufta çlirimtare dhe në këtë mënyrë mobilizoi mbarë popullin dhe zgjeroi radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës drejt qershorit të vitit 1999 kur edhe u realizua çlirimi i vendit.
“Këtyre që kontribuuan e u sakrifikuan ju kemi borxh që të ardhmen ta bëjmë shumë më të mirë e më të ndritshme se sa që e kemi të tashmen e se sa që e kishim të shkuarën” tha në fund, kryeministri Kurti.
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit! Lavdi heroit të popullit Zahir Pajaziti!
Deklarimi i plotë për media i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti pas homazheve te varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë:
Te flamuri kombëtar shqiptar i cili qëndron para varrezave të dëshmorëve të kombit këtu në Prishtinë, sot vendosëm lule të freskëta, meqenëse veçanërisht në Ditën e Dëshmorëve ne i kujtomë e i përkujtojmë këta njerëz të vendit tonë, të kryeqytetit, të cilët dhanë jetën e tyre për lirinë e popullit dhe për çlirimin e vendit. Kujtimi dhe përkujtimi ynë për ta është dëshmi që ne besojmë se për të tashmen tonë, për të ardhmen tonë, e kaluara e lavdishme është vendimtare për drejtimin dhe shpejtësinë në ecjen përpara të Kosovës si shtet edhe të shqiptarëve si komb. Si Qeveri e Republikës së Kosovës asnjëherë nuk do të harrojmë se prej nga vijmë dhe ku duhet të shkojmë pikërisht duke iu falënderuar gjakut të derdhur për liri, i cili nuk shlyhet kurrë, ashtu sikurse edhe që emri i këtyre dëshmorëve nuk do të harrohet kurrë.
Lavdi të gjithë atyre!
Deklarimi i plotë për media i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti pas homazheve te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti:
Së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe me deputetë të Kuvendit të Republikës, me asamblistë të Komunës së Prishtinës, me koordinatorin e Grupit tonë Punues në Qendrën e Prishtinës së Lëvizjes sonë, Arben Vitia dhe me kolegë e bashkëpunëtorë vendosëm lule të freskëta këtu te përmendorja e komandantit Zahir Pajaziti, hero i popullit sot por për jetë e mot udhërrëfyes për çdo qeveri dhe për të gjitha institucionet e shtetit tonë dhe për çdo qytetar të republikës e për mbarë kombin shqiptar.
Prishtina si kryeqytet është gjatë luftës çlirimtare vendi në kuadër të zonës operative të Llapit e ku kishim për komandant Zahir Pajazitin, i cili me aksionet e tij çlirimtare e dha kushtrimin e lirisë shumë herët, para se të fillonte lufta çlirimtare dhe në këtë mënyrë mobilizoi mbarë popullin dhe zgjeroi radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës drejt qershorit të viti 1999 kur edhe u realizua çlirimi i vendit. Bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, këta ishin luftëtarë të paepur të cilët nuk kursyen asgjë por goditnin forcat armike pushtuese serbe gjithandej Kosovës, e në veçanti kontribuuan shumë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të marr hovin dhe të shndërrohet në ushtri të vërtetë e cila u bë bartëse e çlirimit të vendit tonë, bashkë edhe me ndërhyrjen e NATO-s kundër forcave policore, ushtarake dhe paramilitare të Jugosllavisë e të Serbisë së Millosheviqit.
Ne që e mbajmë mend dhe e kemi jetuar atë kohë, por edhe ata që rriten sot, që të gjithë duhet ta dinë mirë se prej nga vijnë në mënyrë që të jemi të sigurt për rrugën tonë përpara si në aspektin e shtetndërtimit demokratik, të mobilizimit e aktivizimit qytetarë gjithashtu edhe të zhvillimit socio-ekonomik. Këtyre që kontribuuan e u sakrifikuan ju kemi borxh që të ardhmen ta bëjmë shumë më të mirë e më të ndritshme se sa që e kemi të tashmen e se sa që e kishim të shkuarën.
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit! Lavdi heroit të popullit Zahir Pajaziti!