Ministria e Punëve të Jashtme të Francës u është përgjigjur pyetjeve lidhur me heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, duke konfirmuar se një çështje e tillë do të trajtohet në Samitin e Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor.

MPJ franceze në një përgjigje të cilën e ka publikuar në faqen zyrtare të saj, ka thënë se takimi i 23 qershorit do të jetë mundësi për të diskutuar tema të rëndësishme.

“Takimi i 23 qershorit i liderëve Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor do të jetë një mundësi për të diskutuar mundësinë që vendet në rajon të përmbushin perspektivën e tyre evropiane, ndër temat e tjera”, thuhet në këtë përgjigje.

Mes tjerash, Franca ka thënë se sa i përket heqjes së vizave për Kosovën, kushtet në lidhje me këtë duhet të përmbushen efektivisht në afat të gjatë.

“Për sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, kjo çështje është pjesë e udhërrëfyesit që është miratuar nga Bashkimi Evropian, i cili përfshin një sërë kushtesh që duhet të përmbushen efektivisht në afat të gjatë”, shkruan mes tjerash.

Lexo po ashtu:  Zgjidhni një flakë dhe gjeni dritën që shkëlqen brenda jush

Ndryshe, Kosovës i është premtuar liberalizimi i vizave që nga viti 2011.

Katër vjet më parë, Komisioni Evropian rekomandoi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Liberalizimi u votua edhe në Parlamentin Evropian, porse vendimi final ka mbetur te Këshilli i Ministrave të BE-së.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën e Shengenit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *