Lëvizja Vetëvendosje ka marrë vendim që të pezullojë nga anëtarësia asamblistin e saj në Kuvendin Komunal të Suharekës, Liridon Fandaj, i arrestuar dje për keqpërdorime me subvencione.

Lajmin e kanë konfirmuar nga zyra për media e LVV-së.

“Komisioni Disiplinor i Vetëvendosjes ka marrë vendim për pezullim të anëtarësisë deri në verditikin e gjykatës për rastin”, thanë nga zyra për media e LVV-së për Kallxo.

Gjatë ditës së sotme, Gjykata e Prishtinës ka vendosur masën e arrestit shtëpiak ndaj Fandajt.

Arrest shtëpiak është caktuar edhe për tetë të dyshuarit e tjerë, ndërsa për Arton Elezin, zyrtar në Drejtorinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Vitisë dhe Bekim Bruçin, zyrtar në Institutin Bujqësor në Pejë, është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Policia e Kosovës kishte njoftuar gjatë ditës së djeshme se kishte arrestuar 11 persona për keqpërdorim me subvencione në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, ndërsa arrestimi i personit të 12 ka ndodhur sot.

Në njoftimin e Policisë është thënë se 8 nga të arrestuarit janë përfitues subvencionesh, ndërsa 3 të tjerët janë zyrtarë.

Lexo po ashtu:  Kosova vendos regjim vizash për shtetasit rusë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *