Enver Robelli
Krerët e mëhershëm të Kosovës kanë pranuar që qytetarët e Kosovës të heqin dorë nga çdo simbol shtetëror në raport me Serbinë. Në pikat kufitare me Serbinë qytetari i Kosovës nuk guxon të tregojë pasaportën. Letërnjoftimi i Kosovës i shërben autoriteteve serbe veç si dëshmi për t’i pajisur qytetarët e Kosovës me një dokument me të cilin mund të qëndrojnë apo të kalojnë nëpër Serbi. Deri së voni shoferët kosovarë duhej të çmontonin edhe targat para policit kufitar serb.
Kur është arritur marrëveshja e dëmshme, Serbia është ndarë e kënaqur, ndërsa bashkësia ndërkombëtare nuk ka protestuar. Dhe pse të protestojë? Kur Kosova nuk i mbron interesat e veta, pse t’i mbrojë ato dikush tjetër.
Tash që Kosova po vepron sipas parimit “siç ma bën ti mua, ta bëj unë ty”, Serbia kërcënon me luftë, nxit tensione në veri dhe ultranacionalistët serbë bllokojnë rrugët sipas shembullit të serbëve në Kroaci më 1991. Mobilizohet krejt makineria propagandistike serbe, ruse dhe e lobistëve.
Nga marrëveshjet e këqija duhet të nxirren mësime.
Por marrëveshjet e këqija nuk mund të prapësohen pa partneritet të ngushtë me aleatët perëndimorë.
Autoritetet në Kosovë kanë vepruar me maturi duke pranuar këshillën e ambasadorit të SHBA-ve që në 30 ditët e ardhshme t’i jepet edhe një shans gjetjes së një zgjidhjeje. Tani topi është në terrenin e Serbisë. Qëndrimi i ambasadorit amerikan është ky: “Vendimi për reciprocitetin për letërnjoftime dhe targa është plotësisht i përshtatshëm dhe në përputhje me marrëveshjen e Brukselit”. Më tutje: “SHBA-ja nuk ka pasur shqetësim për vendimin. Dua të jem i qartë. Nuk duam që këto vendime të rishikohen. Duam edhe të jemi të qartë se jemi të shqetësuar se disa individë po i shprehin pakënaqësitë mes vendosjes së barrikada dhe mohimit të lirisë së lëvizjes. Nuk i përkrahim këto veprime. Mënyra e shprehjes së pakënaqësive është përmes dialogut”.
Pra, SHBA-të po e mbështesin këtë vendim. Po të mos ishte marrë ky vendim, nuk do të kishte as mbështetje. Kaq e thjeshtë është kjo punë.
Por nuk duhet pasur shumë iluzione. Në 10 vitet e fundit Serbisë, përmes procesit të rrejshëm negociator, i janë shtuar apetitet. Dhe nga lëshimet e deritanishme Kosova herët apo vonë do të paguajë një çmim. Sa më unike të jenë forcat politike, aq më të mëdha gjasat që çmimi të jetë i atillë që të mos e bëjë Kosovën shtet jofunksional, siç synon Serbia.
Lexo po ashtu:  Armiqësitë e simuluara...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *