Drejtori i Institutit Ndërkombëtar të Sigurisë në Serbi, Orhan Dragash, thotë se presionet ruse ndaj Serbisë janë të hapura dhe kanë për qëllim të hapin një krizë të re… “Për Rusinë do të ishte ideale nëse kjo krizë e re ballkanike të ishte e armatosur dhe e përgjakshme, kurse Kosova është vendi ideal për një gjë të tillë”, tha ai.

Dragash thotë se “ata [Kremlini] e dinin shumë mirë se Sergej Lavrov [ministri i Jashtëm i Rusisë] nuk mund të vinte për vizitë në Beograd, por çështjen e mbajtën hapur deri në momentin e fundit”.

“Bëhet fjalë për presionin rus ndaj Serbisë që ekziston prej vitesh dhe për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës, ai [presioni] po bëhet shumë më i fuqishëm, më i hapur dhe më e pamëshirshëm”, tha Dragash.

“Historia për bazat ushtarake, vizita e dështuar e Lavrovit në Beograd dhe veçanërisht aktivitetet ruse gjatë krizës së javës së kaluar në veri të Kosovës janë vetëm dëshmi e dukshme se Kremlini po kryen një operacion të fortë hibrid kundër Serbisë, qëllimi i të cilit është të përdorë Serbinë për interesat e saj luftarake në Ukrainë dhe për konfliktin e saj me Perëndimin”, vlerëson analisti serb.

Lexo po ashtu:  Rusia arreston për tradhti zyrtarin e agjencisë së saj hapësinore

Më tej, Dragash për gazetën serbe “Danas”, thotë se “Rusia, edhe pse ka vite që thotë se nuk ka asgjë kundër, në fakt nuk e do Serbinë në Bashkimin Evropian, e sidomos nuk e dëshiron atë në NATO, dhe po punon për këtë në mënyrë sistematike dhe të organizuar, duke përdorur të gjitha resurset që ka”.

“Që kur e sulmoi Ukrainën, presionet ruse ndaj Serbisë janë të hapura dhe kanë për qëllim të hapin një krizë të re, së cilës Perëndimi do t’i kushtohej shumë më tepër dhe do të zvogëlonte përfshirjen e tij në mbështetjen e Ukrainës. Për Rusinë do të ishte ideale nëse kjo krizë e re ballkanike të ishte e armatosur dhe e përgjakshme, kurse Kosova është vendi ideal për një gjë të tillë”, thotë analisti serb.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *