Featured Image

Për të tretin vit radhazi, arbëreshët kthehen në vendin e të parëve të tyre, Krujën.

Me “vallen” arbërore që nis në Durrës – Lezhë – Krujë – Berat, rreth 60 përfaqësues të komuniteteve arbëreshe kujtojnë triumfet e Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe betejën e fundit më 24 prill 1467 në Krujë.

Kruja, si kryeqendra e kryetrimit, siç e quajnë arbëreshët Skënderbeun, është edhe momenti më kulmor i aktivitetit, ku para bustit të tij, ata sollën traditën arbërore dhe kulturën e trashëguar prej 550 vitesh.

Pasardhësi i familjes së Kastriotëve, Loris Castriota Scanderbegh shprehet tejet i emocionuar teksa thekson se, “Kruja është shtëpia e madhe e shqiptarëve, qendra shpirtërore e arbërve, vend ku emocionet të përulin para Monumentit të Skënderbeut”.

Në kalldrëmet që shtruan paraardhësit e tyre, ecin të heshtur me kokën në lart, duke parë muret e gurta, ku etërit e tyre e mbrojtën për 25 vite dhe duke i dhënë Shqipërisë një nga historitë më heroike në Europë.

Në hyrje të Muzeut Kombëtar i pret drejtori Mehfi Hafizi, i cili falenderon për vizitën në Krujë, si shembullin më kuptimplotë të ruajtjes së traditës arbërore. Ndërkohë përfaqësues të bashkisë Krujë i japin simbolin e qytetit dy përfaqësuesve të komunave arbëreshe, Rosa Carbone, Presidente e Pro Logo di Lungro dhe Giuseppe Lacovelli, këshilltar i komunës Casalvecchio.

Lexo po ashtu:  Bolton për VOA-n, Presidenti Trump "i paparashikueshëm dhe i rrezikshëm"

Gjatë ceremonisë, përfaqësues të bashkisë theksuan se “kurdo e sa herë, jeni të mirëpritur në qytetin tuaj, Krujën dhe shumë krenar për faktin e dëshmisë më të pastër evropiane për Shqipërinë, janë arbëreshët”.

Pas Krujës, arbëreshët vizituan Beratin, duke e mbyllur aktivitetin më datë 29 prill./k.s/www.mekulipress.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *