Leximi është t’i japësh hapësirë ​​imagjinatës dhe të jetosh një mijë jetë, nëse citojmë Italo Kalvinon, i cili shkroi disa nga fjalët më të vërteta për këtë temë: “Ata që nuk lexojnë, kur të kenë mbushur të 70-at do të kenë jetuar vetëm një jetë: të tyren. Ai që lexon, do të ketë jetuar 5,000 vjet: që kur Kaini vrau Abelin, kur Renzo u martua me Luçian, kur Leopardi admironte pafundësinë… sepse leximi është një përjetësi në drejtim të kundërt”. Ndoshta nuk ka citim më të mirë për t’ia bashkëngjitur një prej “superfuqive” të librave. Megjithatë, ekzistojnë shumë shprehje për librat: fjali të jetësuara nga pena e shkrimtarëve të mëdhenj. Kolosët e penës u kanë dhënë jetë shumë shprehive në libra, prej nga dalin indirekt mendimet e tyre, të cilat janë kontribute tejet të çmuara, pasi përmbajnë vetë domethënien e bukurisë së leximit, të shprehur nga këndvështrimi i mendjeve të ndryshme që i kanë dhënë aq shumë botës së librit. Frazat në librat e shkrimtarëve të mëdhenj janë perla të vogla urtësie, të dobishme për të na kujtuar dobinë e leximit dhe se sa e rëndësishme është t’u kushtojmë kohë librave.

Pa marrë parasysh zhanrin: çdo vëllim ka diçka për të na përcjellë, nëse është një ese, një romancë dashurie, një trillim apo një roman policor. Po citojmë disa shprehje nga librat e shkrimtarëve të mëdhenj: citate dhe aforizma, që na bëjnë të reflektojmë mbi dhuratën e thellë, që çdo histori mund të na ofrojë:

Lexo po ashtu:  Ndërron jetë ish-presidenti i Francës, Valéry Giscard d'Estaing

– Një librari nuk është thjesht një dyqan, është një ftesë për fjalëpakët dhe ëndërrimtarët, një vend i fshehtë dhe i magjepsur, ku mund të humbasim dhe të kthehemi në një shekull tjetër dhe të arrijmë një dimension tjetër. (Fabrizio Caramagna).

– Aspekti vërtet i rëndësishëm i leximit është, se ai nxit një familjaritet rastësor me procesin e të shkruarit; shkel në vendin e shkrimtarit me të gjitha dokumentet pak a shumë në rregull. (Stephen King)

– Kur ndiheni keq, kur ndiheni të mbaruar, kur jeni të sigurt se nuk do t’ia dilni, hapni një libër dhe lexojeni deri në fund. Nëse ende nuk ndiheni më mirë, atëherë merrni një tjetër dhe filloni nga e para. (Stephen King)

– Pak libra e ndryshojnë jetën. Kur e shndërrojnë, është përgjithmonë, hapen dyer që nuk imagjinoheshin më parë, hyn dhe nuk kthehesh më pas. (Christian Bobin)

– Librat janë kudo; dhe na ngopin përherë me të njëjtën ndjesi aventure. Librat e dorës së dytë janë libra të egër, libra të pastrehë; ata janë mbledhur në grumbuj të mëdhenj pendësh të larmishme dhe kanë një hijeshi që u mungon vëllimeve të zbutura të bibliotekës. (Virginia Woolf)

– Librat kanë qenë zogjtë dhe foletë e mia, kafshët e mia, streha ime dhe fshati im; biblioteka ishte bota e mbyllur në një pasqyrë; e një pasqyre me thellësi të pafundme, me shumëllojshmëri dhe paparashikueshmëri. (Jean-Paul Sartre)

– Nuk kam pasur kurrë një dhimbje, që një orë leximi të mos ma ketë fashitur. (Charles Montesquieu)

Lexo po ashtu:  Sot kthehen në Kosovë trupat e shqiptarëve të vrarë në masakrën e Rezallës të zhvarrosur në Serbi nga varreza masive

– Kur një lexues lexon, ai lexon vetë. Vepra e shkrimtarit është një lloj instrumenti optik, që ai i ofron lexuesit për ta lejuar atë të dallojë atë që, pa një libër, mund të mos kishte parë kurrë në vetvete. (Marsel Proust)

– Ata që më lënë pa frymë janë librat, të cilët kur i mbaron së lexuari dhe gjithçka që vijon, do të doje që autori të ishte miku yt më i mirë dhe që mund ta telefonoje sa herë që të dëshiroje. (JD Salinger)

– Librat, ata nuk të braktisin kurrë. Ti me siguri i braktis herë pas here, librat, ndoshta edhe i tradhton, por ata nuk ta kthejnë kurrë shpinën: në heshtje të plotë dhe me përulësi fisnike, të presin në raft. (Amos Oz)

– Leximi është një marrëdhënie me veten dhe jo vetëm me librin, me botën tonë të brendshme përmes botës që na hap libri. (Italo Calvino)

– Tek unë, dëshira për libra është e padiskutueshme. Jo për t’i zotëruar apo lexuar, por për t’i parë, për të më bindur për ekzistencën e tyre në vitrinën e një librashitësi. Është sikur ky dëshirim të vinte nga stomaku. (Franz Kafka)

– Ndoshta nuk ka ditë të adoleshencës sonë të jetuar me aq plotësi, sa ato që menduam se do t’i kalonim pa i jetuar, ato të kaluara në shoqërinë e librit tonë të preferuar. (Marsel Proust)

Lexo po ashtu:  Shqipëria gati për t’i lansuar në hapësirë satelitët ‘Albania 1’ dhe ‘Albania 2’

– Ishte si njëlloj ndjesie, sepse teksa njerëzit shkojnë e vijnë, lindin dhe vdesin, përkundrazi librat shijojnë përjetësinë. Kur isha i vogël, kur u rrita doja të bëhesha libër. Jo një shkrimtar, një libër: sepse njerëzit mund të vriten si milingonat. Edhe një shkrimtar, nuk është e vështirë ta vrasësh. Ndërsa një libër, edhe nëse shkatërrohet në mënyrë metodike, një kopje ka të ngjarë të mbetet dhe të ruajë jetëgjatësinë e saj, një jetë e përjetshme dhe e heshtur në një raft të harruar në një bibliotekë të largët në Reikjavik, Valladolid, Vankuver. (Amos Oz)

– Nuk ka anije aq të shpejtë sa një libër, që të na çojë në vende të largëta, as kuaj si një faqe poezie që ngrihet lart – edhe të varfrit mund ta bëjnë këtë kalim pa tarifë – kaq i përkorë është transporti i shpirtit. (Emily Dickinson)

– Ka nga ata që e kalojnë jetën duke lexuar, pa mundur të shkojnë përtej leximit, mbeten të mbërthyer në faqe, nuk e kuptojnë se fjalët janë vetëm gurë të vendosur përtej rrymës së një lumi, ata janë aty vetëm për të na bërë të arrijmë në bregun tjetër, i rëndësishëm është bregu tjetër. (Jose Saramago)

– A e kuptoni tani pse i urreni dhe u frikësoheni librave? Sepse zbulojnë poret në fytyrën e jetës. Njerëzit e shkujdesur duan vetëm fytyra hënëplote, fytyra dylli, fytyra pa pore, pa qime dhe pa shprehje. (Ray Bradbury)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *