Çun Lajçi
“Liria ka emën” vetëm kur Ju i leni interesat e lakmia e vetme bahet atdheu!
Na asht ba boll me karabuçat e hormoçave, siç i quenim ne, barijtë e vegjël me plisa, apo boçat siç i queni ju me flokët e mbjelluna, n’Kuvendin e Kosovës! Me fjalët dushk e mendët mushk na asht ba boll e besoj se edhe unë jam ba i tepërt për veshët tuaj “t’hollë” tue ba gau-gauuu si lahuta, por ja që dreqi s’rrika “n’guzën” e plakut e shpesh ua prishka cingërimat e trokaçave që rrinë varun n’qafat tueja!
Gabimet nuk i ngarkuet asnjeni mbi kurriz, por si hamshorët që s’i durojnë samarët, ashtu i këputët çingët e fajet ua hudhet të tjerëve, si shpatëzat e samarëve!
Jo! Kumonët nuk i hudhët! Ato i shtrënguet n’qafa, se deshtët të jeni prijetarë me cingërima! Vetëm gabimet s’i deshtët, ato për do vrasje, për do gjykata, për do firma kancelarive, për do miq që ngrisin barikada, kriminel me t’cilët batë biznise natën, për do komuna serbe, për do targa, dhe kur dushkut i duel tymi, filluet t’luftoni me karabuça, me boça me gogëla e populli sharroi n’gjynahet tueja!
Ku mbeti tash ajo “Liria ka emën”? Ku mbeti “daja, tigri, shqiponja, rambo, drini, gjarpni” tani kur KFOR shqyrton kthimin e kriminelëve n’vendin e krimit?
Ishit apo ishin vetëm emna që i mori era?
Pse e gjueni njeni tjetrin me kaladasha, mu tani kur po zbehet Liria?
S’e vëreni se fajtorë jeni të gjithë ju, që t’pakten njiherë i varet trokaçat e posteve n’qafat tueja?
Kuj i thoni:Ti na more n’qafë? Ti je idiot e idiot janë të gjithë ata që t’përkrahin!
Kuj i thoni:Ti e ktheve Serbinë kur të gjithë keni hangër ne nji sahan me ta dhe e keni ngulë nga nji gur ku s’duhet!
Dhe kuj ti besojmë tani? Atyne që e lidhën miqësinë me Radojçiq, apo këtij që shet trimni me gogëla dushku!
Ju mendoni se populli han bar?
Edhe zorrët n’bark ua mësuem edhe andërrat, ndaj kot e keni t’na shisni dushk për gogëla, po bahuni gati me i përforcua hujt e lirisë, se u kalbën n’rrenat tueja e KFOR e mori vesh se sa besnik jeni ndaj atdheut, prandaj luen me neve tue shqyrtua kthimin e ushtrisë Serbe n’vendin e krimit!
“Liria ka emën” vetëm kur Ju i leni interesat përsonale e lakmia e vetme bahet atdheu!
22.12.2022